Do votojmë prapë kandidatët e drogës

 

Kur afatet ligjore për regjistrimin e kandidatëve janë afër limitit, Partia Demokratike ka bërë dje një propozim  për shmangien e personave me precedentë penalë nga procesi zgjedhor. Sipas projektligjit të hartuar nga deputetët e djathtë, çdo person me rekorde kriminale nuk duhet të kandidojë më 21 qershor. Projektligji i jep mundësinë politikës që të pastrohet nga individët që kanë probleme me drejtësinë, duke shmangur nga kandidimi jo vetëm kryetarët e bashkive, por edhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Lista e krimeve që ka renditur PD nis nga terrorizmi, krimi i organizuar dhe deri tek akuzat për shpërdorim detyre e korrupsion. Nga pikëpamja ligjore, nisma duket se është ajo e duhura, përveç një problemi: koha nuk mjafton për të kthyer në realitet ide të tilla. Për 55 ditë qytetarët shqiptarë do të shkojnë drejt kutive të votimit. Sipas Kodit Zgjedhor, brenda kësaj jave duhet të dorëzohen zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emrat e kandidatëve për njësitë vendore. Ndërkohë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor që pretendon Partia Demokratike, si rregull, duhen kryer gjashtë muaj para zgjedhjeve. Edhe sikur afati prej 6 muajsh të tejkalohet me konsensus, debati që do të kërkojë në komisione ky projektligj mund të shkojë deri pas zgjedhjeve. Pra, nga ana e procedurave, mazhoranca duket se e ka gati justifikimin për mosmiratimin e një nisme të tillë. Ajo që shkakton habi në këtë rast lidhet me faktin se përse opozita duhet të kujtohej vetëm pak ditë para afatit për të çuar në Parlament një projekt kaq të rëndësishëm? Çështja e dekriminalizimit të Kuvendit nuk u shfaq si problem dje. Që në muajin shtator të vitit të kaluar opozita kërkoi marrjen e masave për zyrtarët me precedentë penalë. Me ndërhyrjen e Bashkimit Europian u arrit një marrëveshje e cila prodhoi dhe një komision të përbashkët PD-PS për dekriminalizimin.

Sesa seriozisht e kanë çështjen e dekriminalizimit PD dhe PS kjo duket vetëm në një fakt. Komisioni i shumëpërflur që do të bënte “namin” duke ndëshkuar zyrtarët problematikë është mbledhur vetëm 4 herë, në gati pesë muaj punë! Në këto katër mbledhje, përveç sherreve mes Taulant Ballës dhe Oerd Bylykbashit nuk ka pasur asnjë nismë konkrete që të parashikonte zgjedhjet vendore. Lojë perfekte e të dyja palëve për të mos e miratuar! Ndaj dhe projektligjit i djeshëm i PD-së, më shumë se një nismë ligjore duket si një gjest sa për të larë gojën. Nga ana tjetër, mazhoranca me heshtjen e saj e ka pranuar këtë zhvillim të ngjarjeve. Në këtë pikë situata nuk ka ndryshuar aspak me disa vite më parë. Komisioni Parlamentar rezultoi një farsë dhe partitë justifikohen para elektoratit se nuk ka më kohë, duke qenë në rregull me nismat. Me këtë rrjedhë të ngjarjeve të dyja palët janë të kënaqur. Përveç rastit “Frroku”, arrestimi i të cilit erdhi si kërkesë nga Belgjika dhe jo nga politika shqiptare, asnjë deputetë nga lista prej gati 20 personash nuk u shqetësua nga dekriminalizmi dhe duket se do ta mbyllin mandatin rehat. Një hipokrizi e madhe e të dy kampeve. Bëjnë sikur nuk i duan, por në të vërtetë prapë po i kandidojnë.

Por problemi tashmë është se nuk u pastrua parlamenti me këto veprime të PD e PS. Veç deputetëve me precedentë penalë, të tjerë zyrtarëve të lartë me rekorde kriminale pritet t’u shtohen kandidatëve për  61 kryetarë bashkie. Sot dy forcat kryesore ndodhen para situatës kur kanë vendosur sërish kandidatë me probleme ligjore, bile disa duhen arrestuar. Denoncimet i kanë bërë po vetë selitë dy partive kryesore. Në mënyrë jo zyrtare flitet për të paktën 7 pretendentë për fitues në zgjedhjet e 21 qershorit që kanë probleme të forta me ligjin. Nëse do të verifikoheshin dhe emrat e kandidatëve të këshillave bashkiakë, lista do të ishte shumë më e madhe dhe me rekorde të frikshme. Përgjegjësia bie mbi PD-në, që e nisi fushatën e dekriminalzimit si një prej kauzave kryesore të saj dhe në fund e katandisi në një farsë, duke futur në listat e saj sërish individë problematikë. Po ashtu, pa përgjegjësi kryesore nuk mbetet mazhoranca që vazhdon të bëjë sikur nuk i sheh njerëzit me cv-kriminale brenda saj. Bile i ka në radhët e saj në parlament. Dhe jo pak!

Të dyja palët e dinë se çfarë të fortësh dhe njerëzish po lëshojnë në fushatë për të mbledhur vota, ndaj dhe nisma e djeshme e PD dhe heshtja e PS është vetëm një justifikim. Zgjedhjet e 21 qershorit, siç duket, nuk do të kenë asnjë ndryshim me ato të kaluarat. Të korruptuar, të dënuarit për vepra penale deri dhe kriminelë do të jenë sërish në ballë të fushatës.

Tallje e madhe me votuesit nga të dyja palët. Më saktë një turp që kemi deputetë kriminelë dhe po votojmë edhe disa kryetarë bashkie po me CV kriminale.