Dren Abazi, artisti i parë shqiptar që prek skenën e “Jazz Festival de Paris”

Albina Gjergji

Është një nga emrat më të kërkuar në tregun muzikor shqiptar. I vlerësuar më së shumti për baladat e ndjera me tekste domethënëse, Dren Abazi padyshim konsiderohet vlerë në mesin e artistëve të mirëfilltë shqiptarë. E ndërsa po bëhet gati për publikimin e një kënge të re dhe albumin e dytë të tij, Dren Abazi dhe orkestra e tij na vijnë me një lajm të bukur. Me datë 14 qershor do të marrin pjesë në njërin prej festivaleve më të mëdha të muzikës Jazz në botë, atë të “International Jazz Festival de Paris, Sunset Festival”. Ata do të mbajnë tre koncerte dhe gjithashtu do të përmbyllin festën me një tjetër koncert në “Jazz in Sienne”, për “Fette de la Music” (festa e muzikës) më datë 21 qershor, në ditën ndërkombëtare të muzikës. Këtë vit në skenën ku do të interpretojë edhe Dren Abazi pritet të ngjiten emrat më të njohur të muzikës Jazz-it në botë si; Marcus Miller, Herbie Hancock, Lë Ritenour, Ibrahim Maloouf, Jazz runner, Ray Lema, etj. Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme në jetën e tij profesionale, por edhe për shumë detaje të tjera, të cilat na i zbulon më poshtë, këngëtari shprehet mjaft i kënaqur.

Zig-Zag Orchestra, së shpejti pritet që të marrë pjesë në njërin prej festivaleve më të mëdha të muzikës Jazz në Botë, atë të “International Jazz Festival de Paris”. Si erdhi tek ju kjo pjesëmarrje Dreni?

Po, sigurisht kjo është ndër ftesat më të bukura që më kanë ndodhur kohët e fundit. Jam shumë krenar për këtë. Unë për herë të fundit në Paris isha para dy muajsh për dy koncerte dhe ato ditë të qëndrimit tim atje pata fatin të takoj drejtorin artistik të disa festivaleve më të rëndësishme këtu, të cilit përveç të tjerash i dhashë edhe një disk me albumin tim. Përshtypjet e tij sigurisht kanë qenë të mira, përderisa ai pas disa ditëve më ftoi që unë bashkë me orkestrën time të jemi pjesë e këtyre koncerteve. Do e nis me 14 qershor me një koncert në “Le Tarnac Theatre” të Parisit për të vazhduar në “Jazz festival de Paris” me 16 qershor, që është një nder festivalet me prestigjioze botërore, pastaj me 21 në “Fete de la Muzisique” dhe do ta permbyllim me një koncert 2 orësh ne “Boat Festival”, “Jazz in Seine” me 24 qershor.

Në ditën ndërkombëtare të muzikës do të mbani tre koncerte dhe po ashtu do ta përmbyllni këtë koncert në “Jazz in Sienne”, për “Fette de la Music” (festa e muzikës) më datë 21 qershor në Paris, çfarë domethënie ka për ju ky event?

Do jenë gjithsej 4 koncerte dhe një jamsession që do bëhet me datë 21 në Paris me rastin e “Fete de la Musique”, ku të gjithë muzikantët do luajnë me njëri-tjetrin në mënyrë të lirë. Këtu mbase është kënaqësia më e madhe, shkëmbimi i eksperiencave dhe takimi me muzicientë të jashtëzakonshëm nga mbarë bota. Të luash në “Fete de la Musique” në France është një fat i madh, sepse pikërisht këtu edhe e ka zanafillën kjo festë, që tani ka përmasa ndërkombëtare. Kur them që duhet të jesh me fat, flas për faktin që në këtë ditë, në Paris ke kamerat drejt teje nga të gjitha televizionet më të rëndësishme botërore dhe vëmendja mediatike është shumë e madhe. Ka menaxherë të ndryshëm, muzicientë, shtëpi diskografike dhe nëse je i mirë gjithmonë ka një mundësi edhe për ty.

Këtë vit në këtë skenë pritet të ngjiten emra të njohur të muzikës së Jazz-it në Botë si, Marcus Miller, Herbie Hancock, Lë Ritenour, Ibrahim Maloouf, Jazz runner, Ray Lema, etj.. Si ndjeheni që do të performoni përkrah këtyre emrave të mëdhenj?

Kjo është diçka që, dikur ndoshta më është dukur sureale, ndërsa tani po bëhet realitet. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme, diçka që sigurisht të mbush me pozitivitet dhe energji të mirë. Vetëm fakti që ke mundësi të dëgjosh live emra të tillë mjafton. Të tjerat pastaj janë luks.

Së bashku me orkestrën tuaj do të qëndroni në Paris për 2 javë, aq sa edhe zgjat festivali. Gjatë kësaj kohe si do ta “shfrytëzoni” qytetin më romantik të botës?

T’ju them të drejtën, gjëja e fundit që mendoj në këto momente për atë se çfarë do bëj atje është të qënit romantik. Jam 100 % i përqendruar në atë sesi do dalin koncertet, sesi do paraqitemi ne. Është përgjegjësi shumë e madhe, prandaj edhe puna duhet bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Dreni, projekti më i fundit që keni lançuar në tregun tonë muzikor është ai i këngës me titull” "Sa larg", së bashku me Zig-Zag Orkestra. Si ka qenë pritshmria e saj krahasuar me këngët e tjera që keni prezantuar?

“Sa larg” është një nga këngët e albumit të ri që do dalë në fund të vitit dhe sikurse të tjerat është pjesë e konceptit të asaj që do të ketë në këtë album. Unë mendoj që secili ka target grupin e tij, të cilit i drejtohet dhe “feedback” nga ndjekësit e mi është gjithmonë ai më i miri që unë e pres.

Muzika dhe teksti janë bërë nga vetë ju, domethënë ju shkruani edhe tekste këngësh. A është më e lehtë të shkruash tekste këngësh, apo të bësh muzikë? Cili është raporti juaj mes këtyre dy elementëve artistikë?

Teksti dhe muzika janë dy komponentë shumë të rëndësishëm në këngë. Muzika është ajo që bën këngën, por një tekst i mirë i jep një peshë edhe më të madhe këngës. Sidoqoftë unë mendoj që jam më i mirë si kompozitor, sesa si tekstshkrues. Ndoshta për faktin që gjithmonë kohën më të madhe ma merr shkrimi i një teksti.

Kur do të dalë albumi dhe ç’përmbajtje këngësh të tjera do të ketë?

Albumi i dytë është në përfundim e sipër dhe shpresoj ta nxjerr në treg deri në fund të vitit. Do të përmbajë 8 deri në 10 këngë, të gjitha autoriale. Sigurisht do ketë edhe koncerte promovuese në Prishtinë, Tiranë si fillim e pastaj do mendoj edhe për në qytete të tjera, pse jo?!

“Love song", një këngë dimri e juaja që pret një pranverë të vijë. Tani që pranvera ka trokitur, ç’këngë të radhës do të presin fansat tuaj?

Unë s'e shoh muzikën të ndarë në stinë dhe asnjëherë nuk bëj këngë të tilla të ndikuara nga njëra, apo tjetra stinë. Fansat është e rëndësishme të presin nga unë dhe ajo që është më e rëndësishme është që ajo që presin të mos i zhgënjejë asnjëherë. Për këtë do isha i lumtur.

Muzika që ju krijoni duket se është aq cilësore, po aq sa edhe është shpërblyer, duke u bërë pjesë e një filmi me metrazh të gjatë, një koproduksion shqiptaro-francez ky. Si e keni pritur këtë lajm kur e morët vesh që muzika juaj është përzgjedhur për këtë film dhe sa i vështirë është ky proces?

Në dallim me rastin e kaluar kur kompania hollivudiane, "20 century fox" bleu këngën “Natën” për filmin “Let's be cops”, si kolonë zanore tek ky film për të cilin po flasim unë po shkruaj komplet muzikën, jo një këngë. Normalisht që kjo është një punë shumë më komplekse. Duke e njohur punën time dhe influencën që kam edhe nga etno-muzika jonë dhe duke qenë se filmi “The return” flet për një realitet shqiptar, atëherë regjisori i filmit e pa të arsyeshme që t'më ftojë mua si kompozitor të muzikës për filmin e tij. Normalisht mua më ka pëlqyer filmi dhe jemi dakorduar të punojmë bashkë në këtë projekt. Puna është akoma në fazat e para. Montazhi i filmit sapo ka përfunduar dhe tani do vijnë fazat e tjera ku një rol të rëndësishëm normalisht zë edhe muzika.

Ju keni shkruar muzikë edhe për filma të tjerë. Ka ndonjë lajm të radhës që doni të na jepni? Sigurisht të mirë dhe në kuadrin e muzikës së filmave?

Po, por kryesisht kam bërë muzikë për filma të shkurtër, reklama të ndryshme, etj.. Është hera e parë që punoj në një film të metrazhit të gjatë.

Edhe vëllai juaj, Arti i përket botës së artit, siç edhe ka emrin. Ndonjë duet në të ardhmen me të?

Mund edhe të ketë. Momentalisht secili prej nesh është në rrugën e vet dhe kur flasim edhe për muzikën që bëjmë nuk është që ka shumë të përbashkëta. Sidoqoftë ne luajmë shumë shpesh bashkë në shtëpi. S'është e domosdoshme të bëjmë edhe klip mbase.

Aktualisht përveç përgatitjeve për në “Jazz Music Festival” me se po merreni?

Aktualisht, përveç datave të koncerteve që kam dhe që normalisht duhet t’i respektoj, s'po bëj ndonjë punë tjetër. Normalisht jam duke punuar në studio me këngën e re. Do të mundohem ta nxjerr me klip para se të nisemi për Francë.

Kohën e lirë si e kaloni?

Kam shumë qejf të shoh filma. Jam në gjendje të shoh 3-4 filma radhazi. Kjo ndoshta si pasojë e asaj që fatkeqësisht kohët e fundit nuk po lexoj shumë libra.

Lidhja juaj me Tiranën është po aq e fortë sa edhe me Prishtinën, çfarë gjeni ndryshe në Tiranë nga jeta në Prishtinë?

Ka kohë që, Tirana në veçanti ka fituar tek unë statusin e vendit më të dashur për mua. Duke qenë se në fillimet e mia kam ardhë më së shumti për koncerte dhe aktivitete të ndryshme, kryesisht të lidhura me muzikën, me kohë kam krijuar raporte të shkëlqyera dhe kam njohur njerëz të rinj. Shoqëria, me të cilët normalisht ka vazhduar, ndaj tani vij shumë herë edhe për qejf, jo vetëm për koncerte. Tiranën e mendoj si një vend, ku edhe mund të jetoj në të ardhmen si duhet. Nuk mendoj që ka ndonjë ndryshim esencial, sidoqoftë më pëlqen energjia që marr në Tiranë.

Sukseset më të mëdha ku i numëroni, në cilin shtet, apo qytet, Kosovë, apo Shqipëri?

Secili vend e ka rëndësinë dhe vlerën e vet. Nuk do kisha ditur të përgjigjem në këtë pyetje ndryshe.

A është e bukur jeta jote Dreni?

Besoj se po.

Çfarë e bën më së shumti të bukur?

Jam i lumtur dhe kam fat t’i kem afër njerëzit që dua. Lumturia është të jesh i mjaftuar me atë që je dhe të duash atë që ke.

Çfarë vlerësoni më së shumti tek karakteri i një femre? Po fizikisht?

Të t'jap një përgjigje klishe? Sinqeritetin. Në përgjithësi më pëlqejnë femrat që kanë vetëbesim dhe bëjnë si të vështira! Ndërsa fizikisht? Këmbët dhe gishtërinjtë e këmbëve padyshim.

Çfarë nuk duroni/toleroni dot tek sjellja e një femre?

Nuk më pëlqejnë femrat që s'kanë repekt për veten, njëlloj siç nuk më pëlqejnë femrat e dehura.