No Pasaran! Këtu nis Eksodi

 

Frrok Çupi

Mbrëmë kalova përsëri te sheshi para Univesritetit të Tiranës. Ndalo! Nuk kalohet me makinë këndej!- bëri me dorë polici i turit. As nga ana e Rektoratit ku dikur ka qenë Biblioteka e Universitetit. As nga mbrapa Akademisë së Arteve (tani quhet Universiteti i Arteve) ku kanë qenë një fushë basketbolli dhe një lulishte e bukur.

No Pasaran! Këtu nuk kalohet!

Shkrimtari Petro Marko, i sapo kthyer nga Lufta e Spanjës (Lufta Civile që solli në krye njërën nga diktaturat, (jo komunistët por frankistët), kur botoi romain e tij "No Pasaran" (Këndej nuk kalon), kishte në sy pamje lufte dhe heroizmi. Libri për të ndaluarën u bë i famshëm. Aq sa e "famëshme" dhe më e gjërë po bëhej përditë e ndaluara edhe në Shqipëri. Derisa diktatura u plotësua me viktima, me të vuajtur, me të dënuar, me të dhunuar, dhe… më në fund me një radhë të gjatë emigrimi.

Emigrimi i shqiptarëve në fund të frymës së diktaturës, 1990, u quajt Biblik. Gjithë ai shpirt vullkanik i largimit ishte mbushur, pak nga pak, me helmin e të ndaluarës. E ndaluar këtu! E ndaluar atje! E ndaluar majtas! E ndaluar djathtas!

Kjo ishte e ndaluara e diktaturës që kaloi.

… Sa herë kaloj për te Sheshi i Madh para Universitetit ku shmallesha me vitet e mija universitare, tashmë ndjehem keq. Këtu ndalohet të kalosh me makinë. Për herë të parë qëkurse në vendin tonë u lejuan makna private, tashmë është ndaluar të kalosh këtu. Natën bie një shkretëtirë mjegulle dhe fashash dritash që nuk lejohen. Fashat e dritave i lajnë muret e Universitetit, të Akademisë, të Presidencës, të kolonave të Rektoratit… si gjuhë e stërmëdha që tentojnë ta kthejë sheshin në sterilitet. Sterilitet si dikur kurTirana nuk kishte asnjë makinë private; madje edhe shtetëroret ishin veç nja katër a pesë dhe nuk lëviznin natën…

 Kam qëndruar kushedi sa herë për ta vëzhguar këtë teatër absurd. Kam dalë nga spektakli në sallën e Konverteve të Akademisë së Arteve dhe përsëri më është dukur se arti i bukur i shpalosur në sallë, sapo del në shesh kthehet në një absurd. Të mbyt absurdi.

Përtej sheshit, në rrugët e tjera rrotull që mund të quhen rrugë dytësore, nuk ekziston absurdi i boshësisë. Atje ekziston absurdi i xhunglës. Në rrugën para Televizionit, në rrugën prapa Stadiumit, në Lekë Dukagjini, në Papa Gjon Pali i Dytë, në Ibrahim Rugova, në Bajram Curri,… kudo ka një tmerr makinash. (Të gjithë emrat e rrugëve janë emra njerëzish që adhuruan dhe përhapën idenë e lirisë). Duket se makinat e mëdha, të zeza e luksoze kanë mprehur brirët e mëdhenj dhe shtyhen me njëra tjetrën; ndërsa të voglat struken nën hijen e tyre. Kështu, siç bën makina me makinën, Sheshi i Ndaluar dhe i boshatisur, i ka shtyrë të gjitha makinat në rrugët dytësore. Njeriu këtu bëhet për hekura derisa të çlirohet nga trafiku….

Ky është absurdi tjetër, absurdi i xhunglës i shkaktuar nga teatri absurd i boshësisë.

Kalimin me makinë në sheshin e Universitetit e ka ndaluar qeveria socialiste pak muaj pasi mori frenat e mundësive për të shpallur të ndaluar atë çfarë i thoshte mendja. Në shoqëritë e dobëta post- komuniste është shumë e lehtë për qeverinë që të shpallë të ndaluar ( ose të lejuar) atë çfarë i ka qejfi. Sigurisht, njerëzit nuk reagojnë dot si qytetarë të botës së përparuar. Sheshi i Ndaluar para Universitetit është vetëm simboli i "mollës së ndaluar" që ka shpallur qeveria majtiste (ish- komuniste).

Fillimisht ndaloi të drejtën për punë në administratën shtetërore të "armiqve", dmth., të simpatizanëve demokratë. Pastaj shpalli të ndaluar lojërat e fatit dhe Çmendurinë. Vetë qeveria tha se me lojërat e fatit prishej morali dhe familja. Mirëpo edhe këto i ndaloi "për ata që kemi kundër", duke i marrë në duart e veta. Qeveria futi duart të kontrollojë moralin dhe besimin. Pastaj ndaloi çdo të vobektë që të vonohej me pagesat e energjisë elektrike. Pastaj në formë ndaluese vuri mijëra kilogramë tritol në pallatet e popullsisë që nuk e donte. Ndaloi investimet sidomos për rajonin e Veriut ku komunizmi nuk ka pasur strehë të mirë. Pastaj ndaloi Universitetin e Kukësit ku regjimi komunist ndëshkoi me vdekje me varje poetin e fundit të botës së diktaturës. Qeveria ka ndaluar investimet, ka ndaluar lejet e ndërtimit, ka shtrënguar taksat… Ka ndaluar edhe fshatarët e Lazaratit për kultivimin e kanabisit.

Edhe lejimet e qeverisë bëhen me idenë e një gjëje tjetër të ndaluar. Qeveria po lejon kultivimin dhe përdorimin e drogave, por edhe këtë me qëllim që të kontrollohet nga qeveria përkundrejt të drejtës së të tjerëve.

…. Simboli i të ndaluarës shikohet te Sheshi.

Pse e ndaluan Sheshin?

Edhe kjo vjen si një bestytni prej kohës së diktaturës. Atëherë ishte i bllokuar Sheshi dhe Bulevardi. bllokuar aeroporti dhe qiejt. Ishte i bllokuar Blloku Byroist, aq sa dukej se fjala bllokim vinte me ngarkesën e rëndë të Bllokut. Ndaluar bari i lulishtes (ky ishte shtruar për të kapur armiqtë e klasës) Kush e shkelte- në burg! Si tani, në burg për pesë lekë të energjisë elektrike… në burg për lyerjen e ballkonit, në burg pse nuk punove mirë….

Atëherë ku të shkojmë?

Sa e rëndë është, por sa e vërtetë:

Ka mbetur e pandaluar veç një gjë, Lëvizja, e drejta për Lëvizje. Njerëzit po marrin rrugët. Njerëzit nuk e durojnë më talljen prej qeverisë. Nuk e durojnë më shpirtligësinë e qeveritarëve. Njerëzit të shikojnë në sy kur je "shtet" dhe të kuptojnë se "nuk i do". Me siguri kryeministri gëzohet përnatë tek merr vesh sa mundohen njerëzit e ndaluar për të kaluar te Sheshi i Universitetit. Me siguri lumturohet me të munduarit.

Të munduarit janë ushqimi me të cilin u rrit e u gatua diktatura komuniste. Të munduarit edhe tani janë ata që begatojnë qeverinë. Të munduarit po i mundojnë me qëllim që ditën e fundit të mos kenë as kotheren e bukës dhe frymën e lirisë, e, atëherë të munduarit votojnë pro dhunës. Sa djallëzore është qeveria e keqe!

Mirëpo njerëzit kanë gjetur rrugën e eksodit. Shqipëria është ktheyr në vendin e tretë të botës për nga numri i azil- kërkuesve. Menjëherë pas Sirisë ku ka luftë të përgjakshme. Më duket se zë fill nga Sheshi i Ndaluar….

Edrejta, si sheshi, ishte ndaluar disa herë. Dhe sa herë u ndalua, aq herë shqiptarët morën rrugët. E ndaluan për Bllokun…. e ndaluan për tribunën e Kuqe…, e ndaluan pse ishte e Musolinit… e ndaluan për Hrushovin dhe Çu En Lain…

Gjithherë njerëzit ikën, sa herë iu ndaluan lirinë, bukën dhe kulturën.

Tani shikoni një kopje