Fatmir Hysenbelliu: Jeta ime mes futbollit dhe biznesit… të modës

Nga Albina Gjergji

E ka nisur karrierën futbollistike që në moshë të vogël, dëshirë e cila më vonë do t’i kthehej në një dashuri aq të madhe, sa do të luftonte për të arritur objektivat, për të firmosur më pas për ekipet më në zë brenda dhe jashtë vendit. Pas disa eksperiencave në Bari (Itali), Totenhem, (Angli), Genoa (Itali), Lugano (Zvicër), Partizanin, Tiranën, nga të cilat ruan kujtime të veçanta, Fatmir Hysenbelliu aktualisht është aktivizuar si mesfushor në ekipin e Dinamos. Edhe pse ekipi kohët e fundit nuk është shfaqur në gjendjen e tij më të mirë, (kujtojmë këtu humbjen me Bylis në Ballsh), mesfushori tregon për gazetën “Koha Jonë”, që Dinamo mbetet një ekip elitar edhe pse shanset që të ngjitet në Kategorinë Superiore tashmë janë të vogla. Me ide të qarta dhe mjaft ambicioz, përtej futbollit, Hysenbelliu në këtë intervistë ndalet e na rrëfen edhe pasionet e tjera të tij, sidomos atë të  Biznesit dhe Modës, ku duket se ylli i së ardhmes sapo ka nisur t’i shkëlqejë. Dhe kjo jo vetëm falë fatit, për të cilin edhe krenohet që është i biri i një prej biznesmenëve më të suksesshëm në vend, por edhe sepse këto pasione duket se kanë lindur bashkë me të. Ndërkohë që luan me Dinamon, Fatmiri është edhe shef marketingu në biznesin e babait, Irfan Hysenbelliu, por një nga projektet që do të mbajë ekskluzivisht firmën e tij është edhe krijimi i një “brand-i”, marke veshjeje, i konceptuar “luxury” nga ai dhe i destinuar për tregun ndërkombëtar. Sa i takon jetës private, Hysenbelliu vazhdon lidhjen me këngëtaren Anxhelina Hadërgjonaj, por ndryshe nga intervistat e mëparshme, apo lajmet e shoëbiz-it, të cilat e kanë cekur vetëm në sipërfaqe lidhjen e tyre, futbollisti këtu ndalet e na zbulon edhe disa “sekrete” të tjera që deri më tani nuk i dinim.

 

Fatmir aktualisht ju luani si mesfushor-sulmues për Dinamon e Tiranës. Si jeni gjendur dhe si ndjeheni në këtë ekip?

Me Dinamon ndjehem mirë. Pata një dëmtim që në fillim sa firmosa kontratën dhe pas stërvitjes së tretë pata një dëmtim, kështu që mungova për 5-6 ndeshje dhe nuk e ndihmova dot ekipin që në fillim, por pastaj rikuperova dëmtimin me sukses. Fitova gjendjen time fizike të mirë me stërvitje, kështu që kalova dëmtimin që është shumë e rëndësishme dhe tani jam pothuajse në 70 % tim.  

E keni nisur karrierën në futboll që i vogël, ku keni luajtur me të rinjtë e Barit, por edhe në serinë B italiane, gjithashtu edhe në Angli me ekipin e Totenhem dhe Fulham. Cilën prej këtyre eksperiencave cilësoni si më të veçantën?

Për mendimin tim çdo eksperiëncë si në Shqipëri, si jashtë Shqipërisë, në çdo vend të jesh, si e mirë si e keqe është një eksperiencë që do të mësosh diçka. Edhe nga një eksperiencë e keqe mëson diçka. Kështu që për mua të gjitha përvojat kanë qenë të vlefshme dhe i konsideroj të shkëlqyera. Si në Bari, si në Angli për mendimin tim secila ka pasur vendin e vet për formimin tim si futbollist.

Tek cili ekip ruani kujtimet më të bukura?

Tek ekipi që ruaj kujtimet më të bukura është Bari, sepse është ekipi që unë kam kaluar më gjatë, katër vjet dhe ky ekip u bë si një familje për mua.

Gjithashtu ju keni qenë pjesë edhe Genoas e më pas e Luganos, Zvicër. Si u bëtë pjesë e tyre?

Me Genoan unë e firmosa kontratën, por nuk luajta dot, sepse direkt ka qenë kontrata që unë të huazohesha tek ekipi i Luganos dhe tek Lugano kam luajtur për gjashtë muaj. Tek Genoa ka qenë një menaxher i presidentit të Geonas, Prezziosi-t që më ofroi këtë kontratë, që të lija Barin për ekipin e Genoas, ku më pas ata më huazuan për tek Lugano. 

Duke u rikthyer në kampionatin shqiptar, pas humbjes me Bylis në Ballsh dhe para ndeshjes me Lushnjën në Tiranë, në dy sfida direkte me dy ekipet kryesuese të grupit B, a besoni se ka më shanse Dinamo të ngjitet në Kategorinë Superiore?

Para ndeshjes me Ballshin shpresoja dhe si një shpresë të madhe, sepse kampionatit shqiptar i mungon një ekip si Dinamo me elitën e saj, por mbas asaj humbjeje faktikisht jam mërzitur shumë dhe shanset janë minimale që ne tani të ngjitemi në Kategorinë Superiore.

Dinamo edhe pse ka një ndër komplekset më të mira sportive në vend, po has më tepër vështirësi se ekipet e tjera që stërviten aty si Kukësi, apo Sopoti. A ka ndikuar ky faktor në gjendjen aktuale ku ndodhet një prej skuadrave më me histori në futbollin shqiptar?

Për mendimin tim, sepse secili ka mendimin e tij, pothuajse nuk ndikon stërvitja, orari i stërvitjes, sepse nëse ti stërvitesh në orën 9:00 të mëngjesit, në orën 13:00 (drekë), ose në 15:00 ti e bën brenda rregullave të futbollit, e bën brenda gjithë orareve siç luajnë të gjithë ekipet në të gjithë botën, por nëse ne do të stërviteshim në orën 20:00 ajo do ishte një problem, kështu që nuk duhet të themi që prej orareve të stërvitjes nuk kemi arritur rezultatet e duhura.

Keni provuar në karrierën tuaj të luani me tre ekipet  e kryeqytetit. Tek cila nga këto ekipe keni gjetur atmosferën më të mirë sportive?

Jam një person që nuk më pëlqen të veçoj njërën, apo tjetrën. Kam qenë një vit tek Tirana, tek Partizani kam qenë 6 muaj, kurse tek Dinamo tani bëj 2 muaj. Mund të them që secila ka atmosferën e vet, secila ka tifozerinë e saj të zjarrtë, por me bindje e them se, me të tre këto ekipe për mendimin tim është krenari të luash.

A keni nisur të mendoni për të ardhmen tuaj, pas këtij sezoni? Do të jetë ajo sërish në kryeqytet, në Shqipëri, apo keni planifikuar ndonjë eksperiencë jashtë vendit?  

Faktikisht organizimi i trajnimeve në Shqipëri akoma lë për të dëshiruar. Ashtu si edhe në ekipet e para deri diku. Jashtë është shumë më i organizuar sporti nga grupmoshat deri tek ekipet e para.

Thamë që e keni nisur karrierën me ekipet e të rinjve në Itali. Në konstatimin tuaj pas kthimit në Shqipëri, klubet tona a i përqasen nga serioziteti dhe përkushtimi të rinjve që kanë dëshirën, pasionin dhe talentin e duhur për futbollin?

E ardhmja ime deri tani është akoma me dyshim. Do shoh dhe këto ndeshjet e fundit që kanë mbetur me Dinamon, që mbarojnë në mes majit dhe pastaj do të shoh. Por nuk hiqet mundësia që mund të jem këtu edhe sezonin tjetër, duke parë edhe çfarë projektesh ka klubi, nëse duan ta ngejnë këtë ekip në Superligë, por ekziston mundësia edhe me ndonnjë ekip jashtë vendit.

Ndeshja më e veçantë e karrierës suaj, apo ndonjë gol që keni shënuar dhe që e kujtoni si diçka mbresëlënëse?

Ndeshja me e veçantë për mua besoj ka qenë tek të rinjtë e Barit, ku shënova 5 gola në një ndeshje. Një ndeshje mjaft domethënëse për mua kjo, sepse këtu, pra me te rinjtë e Barit isha edhe kapiten i ekipit. Ky ishte një onor i madh për mua, sepse të jesh i pari dhe të jesh kapiten i ekipit që ka vite në Itali është një nder i madh dhe unë e vlerësova shumë.  

Fatmir ju jeni djali i një prej biznesmenëve më të suksesshëm në Shqipëri, veçanërisht në botën e medias, (botues i “Panoramës”, “Gazetës Shqiptare”, “Balkanëeb”, etj.) i Irfan Hysenbelliut. Ky fakt, pra të qënurit djali i një prej biznesmenëve më të suksesshëm në vend, mendoni se ju ka favorizuar, apo disanvatazhuar në profesionin tuaj si futbollist?

Babai im është një nga personat që e shoh si idhull për atë që ka bërë, si e ka arritur dhe nga si e ka nisur. Faktikisht çdo baba, të jemi realist gjithmonë përpiqet të bëjë më të mirën për fëmijën e tij. Kontaktet me menaxherët, ose me disa klube po të mos ishte babai im do ishte shumë e vështirë që të depërtoja në pasionin që kam për futbollin. Ai ka lejuar që të kem kontaktet e duhura për karrierën time që të shfaq talentin. Nëse unë nuk do kisha talent, bota jashtë nuk të mban, kështu që mendoj se në një farë mënyre deri tani ia kam shpërblyer sakrificat që ka bërë për mua. 

Kush ka qenë shtysa kryesore që t’i hyni futbollit dhe sa ju kanë mbështetur prindërit në pasionin tuaj?

Një miks midis njohjeve të babait, përkushtimit dhe talentit tim. Jashtë shtetit nuk ka qenë disavantazh ndërhyrja për kontakte nga ana e babait tim, disavantazh ka qenë në Shqipëri, sepse në Shqipëri gjithmonë ekziston ai paragjykimi që, “he se ai është djali i filanit” e të tjera paragjykime të këtij lloji. Kur ti luan mirë thonë “ok, është futbollist i mirë”, ndërsa kur bën një ndeshje jo cilësore thonë, “he mo se ky është djali i filanit, është miku, etj.” dhe deri diku, për të mos thënë deri në 70% të rasteve më ka penalizuar kjo gjë. 

Përveç botës së sportit, ka pasione të tjera Fatmiri dhe cilat janë ato?

Familja ime nuk ka dashur që unë të luaj futboll, sepse ata gjithmonë ka dashur që unë të vazhdoja bizneset e familjes dhe thonin që “ti s’ke nevojë të lodhesh kaq shumë”, ose “të përplasesh, të vritesh, të bësh lodhje fizike, kur ti ke të gjitha të mirat”. Por ja që ky është pasioni im dhe unë e kam kërkuar vetë dhe e kam arritur këtu ku jam me forcat e mia. Por ata e panë që mua më pëlqentë kjo gjë dhe e kisha pasion dhe sigurisht që më mbështetën. Por që të dalim konkretisht tek pyetja juaj, pasion tjetër i imi është edhe Moda dhe Biznesi. Moda, sepse më pëlqejnë shumë firmat, më shumë ato që janë ekskluzive, më pëlqejnë dizajnerat e ri. Ndërsa Biznesi është një tjetër pasion i imi. Besoj se jam një sipërmarrës i mirë i biznesit dhe kam ide shumë të vlefshme dhe revolucionare në kompani.

Prej disa kohësh jeni në një lidhje me këngëtaren Anxhelina Hadërgjonaj, vajzën e artistes Albërie Hadërgjonaj. Mund të flisni pak për njohjen me të?

Unë dhe Anxhelina kemi një lidhje prej 3 vitesh e gjysmë, një lidhje që të gjithë e dinë. Për momentin ajo jeton në Amerikë, ku vazhdon studimet dhe pasionin e saj që është muzika. Unë për momentin po vazhdoj këtu profesionin tim, që është biznesi dhe futbolli. Kam mbaruar vitin e kaluar Bachelor-in për Menaxhim Biznes dhe tani po vazhdoj masterin tek Universiteti “Luarasi”.

Ku jeni njohur dhe a është e vështirë një lidhje në distancë, duke qenë se ajo jeton në Amerikë, ndërsa ju në Shqipëri?

Ne jemi njohur në Shqipëri. Distanca është e vështirë faktikisht, por është edhe teknologjia që na mban në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin dhe na afron më shumë me personin që duam. Plus që ne e shohim njëri-tjetrin pothuajse çdo muaj, ku ose shkoj unë në Amerikë, ose vjen ajo këtu.

Mendoni se keni gjetur dashurinë e jetës dhe çfarë është dashuria për ju në parim Fatmir?

Nëse kam gjetur dashurinë e jetës, ajo shihet në vazhdim, por nëse nuk do ta doja Anxhelinën, apo nëse do e kisha seriozisht me të nuk do humbja kohë, tre vite e gjysmë jetë me të.

Çfarë vlerësoni më shumë tek Anxhelina? Po ajo tek ju?

Vlerësoj karakterin e saj, impenjimin, është një vajzë që ka ambicie dhe kjo është shumë e rëndësishme për të rinjtë e sotëm, që të kesh ambicie dhe të diskutosh ç’do jetë!

Jeni xheloz? Kush më shumë?

Për mendimin tim ku nuk ka xhelozi nuk ka dashuri. Fillimet gjithmonë kanë qenë nga të dyja palët xhelozi, por tani edhe me distancën kemi arritur në një besim tek njëri-tjetri, që nuk bëhemi xhelozë për gjëra të vogla.

Si e kaloni kohën e lirë dhe a keni shumë miq?

Kohën e lirë e kalojmë me pushime, me familjen time, ajo me familjes time, ndërsa unë kur shkoj në Amerikë me familjen e saj. Ndërsa sa u takon miqve, faktikisht të dy kemi rreth shoqëror të ngushtë, kështu që nuk është se kemi ndonjë dëshirë që të kemi më shumë miq, pasi të dy preferojmë pak dhe të saktë.

Projektet e tua, jashtë fushës së futbollit?

Përsa u përket projekteve të mia jashtë fushës së futbollit do të thoja prioritet janë mbarimi i Masterit 2-vjeçar. Këtë vit mbaroj vitin e parë. Aktualisht unë jam edhe zëvendës president i Kompanisë së babait tim, ku punoj paradite dhe jam shef i marketingut, plus ka mundësi që në të ardhmen të kem edhe një firmë timen veshjesh “luxury”, të shtrenjtë dhe ekskluzive, që mund të shitet vetëm jashtë vendit, por kjo mbetet për t’u parë.