Merkel: Greqia, fleksibilitet për reformat, por duhet rezultat konkret

 

Kujtim VANI

Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se Greqia disponon një nivel fleksibiliteti sa i përket reformaveqë do të zbatojë, mirëpo shtoi se “kuadri i përgjithshëm duhet të konkludojë në rezultatet e pritshme”. “Pyetja është nëse Greqia mundet dhe a ka për t’i përmbushur synimet që kemi të gjithë ne”, deklaroi Merkel gjatë një vizite në Helsinki. “Mund të ketë një diferencim lidhur me cilat masa do të zgjedhë të marrë qeveria, mirëpo përfundimisht kuadri i përgjithshëm duhet të konkludojë në rezultatin e pritshëm”, nënvizoi kancelarja gjermane. “E pamë në Irlandë, kur qeveria ndryshoi pjesë të programit. Mirëpo përfundimisht duhet të rehabilitohet stabiliteti financiar i vendit. Greqia po diskuton tani me institucionet. Presim rezultatin e atyre bisedimeve dhe do të presim edhe vlerësimin e institucioneve”, tha Merkel.

Debat parlamentar: Cipras kërkon që opozita t'i bashkohet përpjekjes kombëtare

Kryeministri Aleksis Cipras ka kërkuar që opozita t’i bashkohet përpjekjes kombëtare me qëllim që t’i jepet fund shtrëngesës, gjatë informimit të parlamentit për çështjet që kanë të bëjnë me negociatat aktuale me partnerët. Kryeministri vuri në dukje se erdhi koha të themi të vërteta që nuk fshihen më: “Synojmë një kompromis të ndershëm me partnerët. Mirëpo mos prisni nga ne kapitullim pa kushte. Kjo është arsyeja që po na bëhet një luftë e pamëshirshme. Kjo është arsyeja që shoqëria na mbështet”. Partitë e opozitës duhet të përgjigjen sonte nëse do të mbështesin politikën negociuese të qeverisë, me qëllim që t’i jepet fund shtrëngesës që vitet e fundit e shkatërroi ekonominë dhe shoqërinë, apo do të jenë zëdhënës të frymëzuesve të memorandumit, tha shprehimisht. Cipras i ftoi partitë që qeverisën pesë vitet e fundit të thonë se cilën reformë bënë për të mirën e vendit dhe e pyeti ish kryeministrin Samaras përse harroi obligimin e memorandumit për licencat e mediave radiotelevizive dhe hetimet për evazionin fiskal. “Qeveria e re greke po negocion, po lufton, po përgjaket që të ndalojë përgjakja e shumicës së popullit grek”, tha Cipras dhe shtoi se lista e reformave që qeveria u paraqiti partnerëve do të ndryshojë vendin. Cipras iu referua edhe “situatës pa precedent të asfiksisë monetare që po përjeton vendi”, i vetmi vend që nuk i rikapitalizon borxhet e veta, por i paguan nga buxheti i vet, “megjithëse disa u kujdesën që të krijohet kjo situatë asfiktike, duke e ditur se vendit po i afrohej ndryshimi”. Qeveria aktuale e shpëtimit social nuk ngurroi të flasë me gjuhën e të vërtetës dhe të pretendojë ato që ishin harruar, tha kryeministri, fjalë si dinjitet, por edhe Siemens, madje edhe brenda në Berlin. Në fjalimin e tij, Cipras sulmoi programin e reformave të qeverisë së mëparshme, duke theksuar se emërtonte “reforma” pushimet nga puna në sektorin publik, shfuqizimin e kontratave kolektive të punës dhe mbylljen e spitaleve dhe shkollave, në të njëjtën kohë që refuzonte të rregullonte fushën e mediave rediotelevizive, megjithëse këtë ia impononte memorandumi. Kjo “u harrua sa nga qeveria Samaras, aq edhe nga Trojka”, tha z.Cipras dhe vazhdoi: “Përse nga 2062 emrat e Listës Lagarde u kontrolluan vetëm 25? Sot po mësojmë nga shtypi i huaj, se nëpunësit e shtetit u tërhoqën, pasi iu bënë presione që të mos kontrollonin ata që ishin në Listën Lagarde, pse ishin bashkëpunëtorë të ngushtë tuajët, zoti Samaras. Në bankat zviceriane janë paraqitur vetëm 10 kërkesa për kontroll të transfertave të dyshimta gjatë gjithë mandatit të qeverisë së mëparshme dhe nuk e prisja kurrë që të më shtrohej pyetja madje edhe nga kancelarja e Gjermanisë se përse Greqia nuk ka nënshkruar akoma marrëveshje me Zvicrën”, tha Cipras dhe shtoi: “Këto janë ditët dhe veprat tuaja. Nuk paguan pjesën që u takonte për krizën dhe i nxorrën jashtë shtetit paratë e tyre. ashtu si ministri juaj i financave”. Sa i përket negociimit që po zhvillohet me partnerët, Cipras tha garantoi se nuk ekziston diplomaci sekrete nga ana e qeverisë dhe se negociimi “i sinqertë dhe i ashpër” do të vazhdojë deri në fund. Duke e marrë fjalën sërish në mbyllje të debatit parlamentar, kryeministri theksoi se qeveria po punon intensivisht që të materializojë marrëveshjen e Eurogrupit të 20 shkurtit, mirëpo “nuk shkojmë pa vija të kuqe; ekzistojnë kufij që nuk kemi të drejtë t’i kapërcejmë, në bazë të mandatit popullor dhe mbështetjes popullore që kemi, me qëllim që të largohet vendi nga aventura e tmerrshme”. Duke artikuluar këto “vija të kuqe”, Cpras tha se nuk ka për të pranuar masa shtrënguese si ulje të pagave dhe pensioneve, liberalizim të pushimeve masive nga puna, rritje të TVSH-së në ushqime dhe barna si dhe shitje “për një kafshatë bukë” të pasurisë publike. “Këto vija të kuqe kemi. Nuk tërhiqemi sado shantazhe që të na bëhen. Këto kërkova nga partitë e opozitës që të mbështesin, sepse janë vijat e kuqe të popullit grek në një negociim të vështirë”, theksoi kryeministri. Menjëherë pas fjalës së kryeministrit Cipras, ka reaguar ish kryeministri Andonis Samaras: “Ne jemi me Greqinë”, deklaroi në parlament shefi i opozitës Antonis Samaras, duke iu përgjigjur “dilemës së rreme që shtroi kryeministri”, siç tha, dhe shtoi: “Ne do t’ju mbështesim, por nuk do të mbështesim çdo gjë. Samaras vazhdoi duke thënë se “ne e nxorrëm vendin në suficite, por nuk do të mbështesim një rreth sakrificash që të na ktheni te recesioni”. Kryetari i Demokracisë së re, pasi e akuzoi kryeministrin se nuk e informoi thelbësisht parlamentin për negociatat, nënvizoi “Godisni opozitën që të paralajmëroni tuajët që nuk ju lenë të qeverisni. Nuk po qeverisni dhe vendi po fundoset”. Samaras shtroi pyetjen retorike se mos kryeministri thirri debatin parlamentar që ta bëjë opozitën “bashkëpërgjegjëse në një përplasje të mundshme që po drejtoni vendin”. Cipras shtroi pyetjen nëse përbërësit e SYRIZA-s pajtohen me privatizimin e portit të Pireut apo të aeroporteve dhe foli për një teatës negociimi virtual që koston do të ftohet ta paguajë populli grek. Më tej, kryetari i ND akuzoi qeverinë se në realitet nuk negocioi kurrë sepse nuk ka negociim pa të dhëna dhe shifra dhe se qeveria refuzoi t’ua jepte këto ekipeve teknike të institucioneve. Duke iu referuar vakuumit fiskal, zoti Samaras paralajmëroi se atë çka nuk mund ta mbulojë buxheti do të duhet të na e mbulojnë partnerët me kreditim “sepse në tregje nuk mund të futemi”. “Dilema e vërtetë është: përplasje me interesat që do të fitojnë nga kriza, përplasja me lobin e dhrahmisë, apo kursi europian”, tha kreu i “Potami”-t, Stavros Theodorakis, gjatë fjalës së tij në debatin parlamentar. Lobi i dhrahmisë ka disa pëkrahës ndërmjet deputetëve të SYRIZA-s, denoncoi Theodorakis dhe kërkoi ndryshime të guximshme në vend të një daljeje katastrofale nga euro dhe një tragjedi kombëtare. “Do të jemi me ju që të japim bashkë betejat për disa çështje, si çëahtja e madhe e borxhit që nevojitet ristrukturim”, tha kreu i “Potami”-t, duke shtuar se partia e tij do të përplaset me ideologjizmat e një pjese të SYRIZA-s. Duke komentuar kërkesën e kryeministrit që partitë të përgjigjen nëse pajtohen me masat për krizën humanitare apo rregullimin me 100 këstet, tha se “Potami” i votoi, por kërkoi vendosjen e minimumit të garantuar të të ardhurave, me qëllim që të mos ndihen si lypsarë ata që ndodhen nën limitin e varfërisë. Theodorakis e ftoi qeverinë që të sqarojë se përse nuk tregon të njëjtën ngutje që tregon për riaktivizimin e ERT edhe për frekuencat radiotelevizive me qëllim që mos të ekzistojnë bosa të pakontrolluar.

Përsa u përket bisedimeve me grupin e Brukselit (Brussels Group) sipas burimeve qeveritare po vazhdojnë në klimë të mirë dhe pranohet nga të dy palët se është shënuar progres në pika të negociatave”. Në përgjigje të “publikimeve të ndryshme që insistojnë ta paraqesin palën greke qoftë si “të papërgatitur” qoftë se “ka fërkime” ndërmjet delegacionit grek, të njëjtat burime theksojnë se këto publikime, “nëse nuk tentojnë të minojnë bisedimet, thjesht shtrembërojnë realitetin”. Sipasd qeverisë, pala greke ka qëndrime të argumentuara që ua paraqet institucioneve në procedura të gjata dhe lodhshme dhe shton se në mjaft raste këto qëndrime pranohen, ndërsa në raste të tjera ka mospajtime.