Simptoma, pse ndodh mosmbajtja e urinës?

Mosmbajtja e urinës (Inkontinenca) ndodh kur çrregullohet procesi normal i grubullimit dhe zbrazjes së saj. Kjo simptomë është shqetësuese, si për meshkujt ashtu dhe femrat, por femrat janë më të predispozuara për zhvillimin e Inkontinencës urinare për arsye të diferencave anatomike në regionin e legenit, si dhe  ndryshimet që ndodhin nga shtatzënia dhe lindja.

Dr. Rezar Rusi  thotë se shkaqet e mosmbajtjes së urinës janë të ndryshme, si tek meshkujt ashtu dhe femrat. Dr. Rusi thekson se mosmbajtja e urinës nuk është një sëmundje, por një simptomë që paraqitet në forma të ndryshme.

Përcaktimi i llojit të inkontinencës vendos dhe mënyrën e trajtimit. Në vijim të intervistës do të njiheni edhe me metodat e trajtimit dhe terapitë që duhet të kryhen në rastet e situatave të rënda.

Përse ndodh mosmbajtja e urinës? Mosmbajtja e urinës ose inkontinenca urinare ndodh kur çregullohet procesi normal i grumbullimit dhe i zbrazjes së urinës. Mosmbajtja e urinës nuk është një sëmundje, por një simptomë që paraqitet në forma të ndryshme. Shkaqet e saj janë të ndryshme sipas formës, gjithashtu ekzistojnë dhe faktorë të tjerë predispozues për shfaqjen e saj.

Kush janë më të predispozuar për t’u prekur, femrat apo meshkujt? Mosmbajtja e urinës mund të shfaqet, si te meshkujt ashtu dhe te femrat, por në përgjithësi femrat vuajnë më shumë. Shkaqet e inkotinencës janë të ndryshme në mosha të ndryshme, në meshkuj dhe femra. Në fëmijëri, kontrolli i vezikës urinare zhvillohet më herët te vajzat se te djemtë dhe lagia është më e zakonshme te djemtë se te vajzat. Megjithatë në moshat e rritura, femrat janë më të predispozuara se meshkujt për zhvillimin e inkontinencës urinare për arsye të diferencave anatomike në regionin e legenit, si dhe ndryshimet që ndodhin nga shtatëzania dhe lindja. Sidoqoftë shumë burra vuajnë nga mosmbajtja e urinës. Me kalimin e moshës ajo haset më shumë, por nuk është domosdoshmërisht pjesë e paevitushme e plakjes.

Çfarë shenjash shfaq mosmbajtja e urinës dhe sa forma të saj dallohen? Shenjat që paraqet inkontinenca varen nga tipi i saj. Ka disa tipe të mosmbajtjes së urinës, por më të zakonshmet janë: Inkontinenca e stresit – Kjo konsiston në rrjedhje të pavullnetshme të urinës gjatë momentit të kollitjes, teshtitjes, kur qesh, bën ushtrime fizike ose ngre pesha të rënda, veprime të cilat përcjellin presionin nga shtrëngimi i barkut në vezikën urinare. Inkontinenca e papritur (urgjente) – Është një rrjedhje e pavullnetshme e urinës, si rezultat i një ndjenje për të urinuar që shfaqet në mënyrë të papritur, urgjente që nuk mund të ndalet dot. Nevoja për të urinuar shpesh mund të jetë ditën ose natën. Inkontinenca urgjente është zakonisht si rezultat i aktivitetit të shtuar të muskujve të vezikës urinare (detrusori) të cilët kontrollojnë aktivitetin e vezikës. Kjo mund të shkaktohet nga shkaqe të vogla siç është infeksioni ose nga shkaqe më teë forta siç janë çregullimet neurologjike ose diabeti. Inkontinenca e mbimbushjes – Pacienti mund të ketë derdhje të shpeshtë ose të vazhdushme të urinës me porcione të vogla. Kjo ndodh për arsye se vezika është aq shumë e mbushur saqë s’ka forcë për ta zbrazur menjëherë, por vazhdon të zbrazet nga pak në mënyrë të pavullnetshme. Inkontinenca funksionale – Një dëmtim fizik ose mendor mund të bëjë që pacienti të mos arrijë në banjë në kohë. P.sh. nëse pacienti ka një artrit të theksuar të duarve, ai s’është në gjendje të zbërthejë shpejt pantallonat. Inkontinenca e përzjerë – Do të thotë që pacienti vuan nga disa lloje inkontinencash urinare.

Cilët janë faktorët që rrisin rrezikun e kësaj simptome? Ka disa faktorë që rrisin rrezikun e inkontinencës: – Gjinia. Gratë janë më të predispozuara për të patur inkontinencën e stresit. Shtatëzënia, lindja, menopauza dhe anatomia normale e femrës, janë faktorë të veçantë vetëm për gratë. Megjithatë, burrat me probleme të prostatës kanë rrezik të rritur për inkontinencën e urgjencës dhe atë të mbi mbushjes. – Mosha. Me rritjen e moshës, muskujt e vezikës dhe të uretrës humbin forcën e tyre. Me kalimin e moshës ndodhin ndryshime që ndikojnë në pakësimin e kapacitetit urinëmbajtës të vezikës, duke rritur mundësinë e urinimit të pavullnetshëm.  -Mbipesha. Mbipesha rrit presionin në vezikë dhe në muskujt që e rrethojnë, duke i dobësuar ato, kështu që procesi i kollitjes dhe teshtitjes shoqërohet me pikim të urinës në mënyrë të pavullnetshme. – Sëmundje të tjera. Sëmundjet neurologjike dhe diabeti mund të rrisin rrezikun e inkontinencës.

Si kryhet ekzaminimi? Është i rëndësishëm përcaktimi i llojit të inkontinencës. Në bazë të saj vendoset për mënyrën e mjekimit. Mjeku fillon duke pyetur për historinë e sëmundjes dhe vazhdon me ekzaminimin fizik. Mbas kësaj mjeku do të kërkojë:- Analizë të urinës. Kjo bëhet për të parë nëse ka shenja infeksioni, gjak në urinë ose anomali të tjera. – Ditari i urinimit. Pacienti mban një ditar gjatë disa ditëve, duke rregjistruar sasinë e lëngjeve që pi, kohën kur urinon, sasinë e urinës që eliminon rastet kur ka nevojë urgjente për të urinuar,  si dhe numrin e episodeve të inkontinencës. – Matja e urinës së mbetur në vezikë pas urinimit. Pacientit i kërkohet të urinojë në një enë duke matur sasinë e urinës. Pastaj mjeku mat urinën e mbetur në vezikë me anën e ekos. Një sasi e madhe urine e mbetur në vezikë tregon mundësinë e një bllokimi ose një problem i lidhur me nervat dhe muskujt e vezikës urinare.

Ekzaminime speciale Nëse kërkohet informacion i mëtejshëm, mund të rekomandohet: -Ekzaminim urodinamik. Ky kryhet me anën e një aparature që rregjistron presionin brenda vezikës. Ky test ndihmon në matjen e forcës së vezikës dhe gjendjen e sfinkterit. Ky është një mjet i rëndësishëm për të përcaktuar llojin e inkontinences. – Cistoskopia. Cistoskopi është një tub i hollë i pajisur me lente dhe dritë që futet nëpërmjet uretrës brenda vezikës urinare. Me anë të saj shihen anomali të traktit urinar. – Eko e legenit. Mund të zbulohen anomali të traktit urinar ose genital.

Çfarë trajtimi këshillohet të bëhet? Trajtimi i inkontinencës urinare varet nga lloji i saj, ashpërsisa e shenjave dhe shkaqeve të saj. Mund të nevojitet një trajtim i kombinuar. Fillimisht mjeku rekomandon mjekimin më të lehtë dhe pastaj sugjeron opsione të tjera nëse i pari s’jep rezultat.

Teknika ndihmëse -Trajnimi i vezikës, për të vonuar urinimin në momentin që lind nevoja urgjente për urinim. Fillohet me mbajtjen e urinës për 10 minuta sa herë që ka nevojë për urinim urgjent. Qellimi është që të zgjatet koha midis urinimeve deri në dy ose katër ore.  – Urinimi i dyfishtë. Kjo nënkupton një urinim normal, pastaj pritet pak minuta dhe provohet përseri për të urinuar. Ndihmon në zbrazjen më të plotë të vezikës duke evituar inkontinencën e mbimbushjes.  – Grafiku i urinimit, për të urinuar çdo dy ose katër orë në vend të urinimit sipas nevojës. – Menaxhimi i dietës dhe lëngjeve, për të rifituar kontrollin e vezikës. Duhen evituar alkooli, kafeja dhe ushqimet me aciditet. Paksimi i konsumimit të lëngjeve, rënia në peshë ose shtimi i aktivitetit fizik mund të lehtësojnë problemin.

Ushtrimet e muskujve të dyshemesë së legenit Mjeku rekomandon kryerjen e ushtrimeve të shpeshta që ndihmojnë në forcimin e muskujve që marrin pjesë në kontrollin e urinimit. Këto ushtrime që njihen ndryshe dhe si ushtrime të Kegel janë në mënyrë të veçantë efektive në inkontinencën e stresit, por mund të ndihmojnë gjithashtu edhe inkontinencën e urgjencës. Për të bërë këto ushtrime të muskujve të dyshemesë së legenit, ju do imagjinoni sikur po tentoni të stoponi rrjedhjen e urines: – Shtrëngoni muskujt që shërbejnë për stopimin e urinës për pesë sekonda, pastaj lëshojeni për pesë sekonda të tjera. (Nëse kjo është mjaft e vështirë, fillohet duke e mbajtur për dy sekonda dhe lëshohet për tre sekonda).  – Vazhdohet duke mbajtur muskujt e shtrënguar çdo herë deri dhjetë sekonda. – Qëllimi është të kryhet ky ushtrim tre herë rrjesht, duke e përsëritur dhjetë herë në ditë.

Stimulimi elektrik Përdoren elektroda që vendosen përkohësisht në rektum ose në vaginë për të stimuluar dhe forcuar muskujt e dyshemesë si legenit. Stimulimet e lehta elektrike mund të jenë efikase për inkontinencën e stresit dhe inkontinencën e urgjencës, por mund të jetë e nevojshme që ato të përsëriten shumë herë gjatë disa muajve.

Medikamentet -Antikolinergjikët. Këto mund të qetësojnë një vezike superaktive dhe mund të ndihmojnë në inkontinencën e urgjencës. -Alfablokuesit. Këto përdoren te burrat me inkontinencë urgjente (nga stimulime të vezikës) ose inkontinencë nga mbingarkesa. Ato veprojnë duke relaksuar muskujt e qafës së vezikës dhe muskujt e prostatës, si rezultat lehtësohet zbrazja e vezikës. – Estrogene lokale. Kjo përdoret te gratë. Estrogeni lokal që mund të jetë në formë kremi, unazë ose copë vendoset në vaginë duke ndihmuar në tonifikimin dhe rigjallërimin e indeve të uretrës dhe zonës së vaginës. Kjo mund të pakësojë disa nga shenjat e inkontinencës. Përveç medikamenteve ekzistojnë dhe disa paisje mjekësore për trajtimin e grave.

Ku konsistojnë këto paisje? Tampon uretral, është një paisje e vogël si tampon, një përdorimsh që futet përkohësisht në uretre përpara një aktiviteti fizik të veçantë, siç është tenisi. Kjo shërben si nje tape per te parandaluar lagien dhe hiqet para urinimit. – Unazë e fortë që futet në vaginë dhe lihet gjithë ditën. Kjo paisje mban lart vezikën meqë ajo shtrihet pranë vaginës, duke parandaluar kullimin e urinës. Mund të përfitojnë prej saj rastet me inkontinencë që janë pasojë e rrëshqitjes (prolaps) së vezikës ose mitrës.

Po në rastet më të rënda, çfarë terapish kryhen? Në raste më të rënda aplikohen terapi intervenuese. Këtu përfshihen: – Injeksione të materialeve mbushëse. Konsiston në injektimin e një materiali sintetik në indet që mbështjellin uretrën. Materiali mbushës shtyp uretrën dhe redukton pikimin e urinës. -Toksina butilinike tip A (Botox). Nga injeksionet e Botox në muskulin e vezikës përfitojnë pacientët që kanë një vezikë superaktive. Në përgjithësi botoxi ju rekomandohet personave vetëm nëse mënyra e parë e mjekimit s’ka qenë e suksesshme. – Stimuluesit e nervave. Nën lëkure implantohet një paisje e ngjashme me pace maker (që përdoret në kardiologji), për të dërguar impulse elektrike të padhimbshme të nervat që kontrollojnë aktivitetin e vezikës (nervat sakrale).

Mjekimi kirurgjikal Nëqoftëse metodat e tjera s’japin rezultat, atëherë mund të përdoren procedura të ndryshme kirurgjikale. – Procedurat sling. Kjo procedurë përdoret në trajtimin e inkontinencës së stresit. – Ngritja e qafës së vezikës urinare. Ky është një operacion që konsiston në ngritjen e qafës së vezikës me anë të ndërhyrjes nëpërmjet barkut. – Kirurgjia e prolapsit (rrëshqitjes). Tek gratë me inkontinencë të perzierë dhe rrëshqitje të organeve të legenit, kirurgjia mund të përfshijë kombinimin e procedurës sling me kirurgjinë e prolapsit.- Sfinkteri artificial urinar.

Materiale absorbuese (thithëse) dhe katetere Nëse trajtimet e ndryshme nuk e eliminojnë tërësisht inkontinencën, mund të përdoren materiale ndihmëse: – Veshje mbrojtëse. Këto janë materiale speciale që shërbejnë për të thithur urinën dhe vendosen nën mbathje. – Katetere. Nëse inkontinenca është si rezultat i mos zbrazjes tërëisht të vezikës, rekomandohet futja e kateterit disa herë në ditë për zbrazjen e saj nga vetë pacienti.

Ku përqendrohet kujdesi vetjak në shtëpi për personat e prekur nga mosmbajtja e urinës? Problemet që dalin nga njomja me urinë kërkojnë një kujdes shtesë për të parandaluar irritimin e lëkurës: – Të përdoren peceta për t’u pastruar. – Të lihet lëkura të thahet në ajër. – Të evitohet larja e  shpeshtë e trupit pasi kjo dëmton mbrojtjen natyrale të vezikës nga infeksionet. – Të përdoret krem për të mbrojtur lëkuren nga urina.

Intervistoi: Vilma Kërçiku TV Klan