Zbulohet juria e “Tu Si Que Vales Albania”, nga 1 prilli në “Vizion Plus”

(Holta Dulaku, Agron Llakaj, Kristi Popa dhe Vikena Kamenica, katërshja gjykuese…)

“Tu Si Que Vales Albania” është talent show më i ri në ekranet shqiptare, që do të nisë transmetimet e tij nga e mërkura e 1 prillit në ekranin e “Vizion Plus”. Talente të të gjitha fushave do të shfaqin më të mirën e tyre për javë të tëra në spektaklin më të ri shqiptar, i cili do të drejtohet në këtë edicion të parë të tijin nga gazetari dhe moderatori, Drini Zeqo. Paneli gjykues do të përbëhet nga producentja e njohur Holta Dulaku, autori dhe drejtuesi i “Al Pazar” Agron Llakaj si dhe nga kantautori Kristi Popa. Ndërkohë që ccdo javë jurisë do t’i bashkohet dhe një anëtar i katërt, që do të përfaqësojë mendimin e publikut në këtë spektakël. Në puntatën e parë, ulur në këtë poltron do të qëndrojë mezzosopranoja e mirënjohur, Vikena Kamenica. “Tu Si Que Vales Albania” është patentë origjinale e “Endemol” dhe vjen në variantin shqiptar nën dirigjimin e një stafi profesionistësh të përbërë nga  Holta Dulaku, Ardi Asllani dhe Bledar Linza. Ekipi ka shëtitur nëpër të gjithë Shqipërinë në kërkim të talenteve, ndërkohë që audicionet për të qenë pjesëmarrës vazhdojnë të jenë të hapura. Mos mungoni, çdo të mërkurë, ora 21:00 në ekranin e “Vizion Plus”. “Tu Si Que Vales Albania”, po fillon…