Shqipja gjuha zyrtare në një spital në SHBA

 

Emigrantët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë respekt dhe të drejta.

Në spitalet amerikane, përveç faktit që pacientëve shqiptarë iu sigurohet përkthyesi (në rast se nuk e flasin anglishten), kurse spitali publik Jacobi Medical Center në Bronx të Nju Jorkut, përdor gjuhën shqipe edhe në mbishkrimet e orientimit në spital.

Ja se çfarë shkruan profesor Gjokë Gojçaj i cili ka publikuar këto fotografi nga mbishkrimet e këtij spitali:

“Një shembull demokracie dhe qytetnimi amerikan. Gjatë një vizite të rastit në Spitalin Publik Jacobi, në Bronx. Gjuha Shqipe, gjuhë e tretë zyrtare në këtë spital!
– Një mësim i shkëlqyer ky për KKSH dhe 11 partitë shqiptare të 40 mijë shqiptarëve autoktonë në Mal të Zi! A duhet më shumë koment këtu?!”, shkruan Gojçaj në faqen e tij të rrjetit social Facebook.

Siç mund të vihet re edhe nga këto foto, udhëzimet e këtij spitali janë në gjuhën angleze, spanjolle dhe shqipe. Gjithashtu udhëzimet përmbajnë edhe alfabetin Braille (Një metodë leximi/shkrimi për personat që kanë humbur shikimin).

A mund të krahasohet një situatë e tillë me spitalet në Mal të Zi, apo emigrantët shqiptarë në SHBA me shqiptarët autoktonë në Mal të Zi? Sigurisht që jo, por këtë le ta vlerësojnë lexuesit.