Të gjithë në gjunjë para Kryeprokurorit

Në historinë e 24 viteve të pluralizmit politik në vend, për herë të parë, para institucionit të akuzës janë vënë në rresht gjithë drejtuesit kryesorë të shtetit. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta; kryeministri Edi Rama; ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri; deputetë, prokurorë dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Dje, si asnjëherë, në zyrat e organit të akuzës dha versionin e tij për akuzat e Doshit edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Gjatë karrierës së tij politike si president gjatë viteve 1992-1997, si kryeministër gjatë viteve 2005-2013, apo dhe si kryetar i Partisë Demokratike  Berisha nuk ka pranuar të ulet përballë prokurorëve për të dhënë dëshmi.As për vrasjen e Azem Hajdarit nuk ka pranuar të shkojë të jap deshmi. Hera e parë që ai shkon para prokurorëve. Por sipas ministrit Tahiri, urojmë të mos jetë e vetmja herë që ai paraqitet para organit të akuzës.

Akuzat e deputetit Tom Doshi për tentativë vrasje dhe “komplot shtetëror” kundër tij kanë krijuar një situatë të paprecendentë në Shqipëri. Akuzat janë të rënda, në mos më të rëndat ndaj drejtuesve politikë. Situata në vend është e ndezur. Sulmet politike nga partitë sa vijnë dhe shtohen. Ish-kryeministri Berisha, pavarësisht dëshmisë në Prokurori, nuk hoqi dorë nga varianti se “vrasja” e Doshit është planifikuar nga zyrtarët e lartë të qeverisë. Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i kujtoi Berishës se dje ishte në Prokurori si dëshmitar, por herën tjetër mund të jetë si i akuzuar. Të rinjtë e Partisë Demokratike nisën “nxemjen” për protestën e ditës së enjte duke u tubuar para Kryesisë së Kuvendit. Burime nga PD-ja i dhanë udhë skenarit për përplasje të dhunshme duke folur për “mbylljen” e kreut të Kuvendit brenda godinës së Parlamentit ,derisa të pranojë dorëheqjen. Një skenar ky që mund të sjellë pështjellime dhe trazira të tjera. Në këtë situatë shpërthyese, që precipiton nga ora në orë, me dëshmi dhe kundërdëshmi, nxehje gjakrash dhe thirrje për “përballje me popullin”, e vetmja shpresë është që drejtësia të veprojë. Sytë janë tek Adriatik Llalla. Por edhe në “gjunjë” janë zyrtarët  me të lartë të Shtetit para Numrit Një të akuzës shqiptare, Adriatik Llalla.

Prej një jave, Prokuroria ka nisur një hetim intensiv. Në pyetje janë marrë gjithë personat që Tom Doshi ka përfshirë në këtë histori. Veç emrave të përmendur nga deputeti i Shkodrës, listës i janë shtuar dhe ish-ministri Dritan Prifti, i cili do të jetë sot në Prokurori. Por listës pritet t’i shtohen edhe personazhe të tjerë të njohur në vend. Bile edhe nga media. Cilido qoftë rezultati i hetimeve, sajesë apo e vërtetë, duket se do të ketë një fletë-arresti për një person me imunitet. Në mos me shumë se për një .Implikimi i emrave kryesorë të shtetit dhe ligjvënësve shqiptarë, e ka bërë këtë çështje të shihet si një test për Shqipërinë edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Ambasada amerikane në Tiranë, si edhe delegacioni i Bashkimit Europian kanë pasur këto ditë kontakte intensive me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Në një çështje, ku duket se politika është përzierë keqazi me persona me precedentë penalë dhe ku gjithë historia po përdoret për kapital politik, selitë diplomatike i kanë dhënë mbështetje organit të akuzës, për të mos u ndikuar nga presionet që mund të vijnë. Mbështetja nga ndërkombëtarët për Adriatik Llallën është në kulm.

Është nga ato ngjarje ku në lojë nuk është vetëm imazhi i politikanëve, por edhe prestigji i institucioneve të drejtësisë. Është në loë dinjiteti i Shtetit. Prokuroria e Përgjithshme është i vetmi institucion që mund ta zgjidhë këtë lëmsh të rrezikshëm, i cili mund të sjellë pasoja për vendin. Sfida e parë, ajo e thirrjes së zyrtarëve të lartë mund të quhet e tejkaluar për kryeprokurorin Lalla. Edhe pse duket një detaj pa rëndësi, të thërrasësh para prokurorëve gjithë drejtuesit e vendit është diçka që më parë nuk mund të imagjinohej në vend. Aq më pak, mund të imagjinohej se Berisha një ditë do të dorëzohej për t’iu përgjigjur thirrjes së prokurorisë. As që i ka shkuar në mendje ndonjëherë Sali Berishës se mund të paraqitej në dyert e prokurorisë.Por shkoi dje dhe pa asnjë naze. Ishte krijuar një opinion i gabuar se zyrtarët e lartë të Shtetit dhe politikës nuk shkojnë tek prokurorët e thjeshtë, por ja që këto ditë i kemi parë të gjithë ,njeri pas tjetrit, tamam si “varg specash”.

Ndaj mund të themi se demokracia ka ecur në drejtimin e duhur në këtë sens, sepse vajtja para drejtësisë e zyrtarëve të lartë dukej si një gjë që nuk mund të ndodhte.Por urdheri i prerë i Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës Adriatik Llalla ka qenë se asnjë lëshim dhe nëse ndonjeri nuk vjen do ta sillnin me policinë gjyqësore, duke bërë shembull cilindo që nuk shkonte tek prokuroria.