Nesër, përplasja e madhe para Parlamentit në Tiranë

 

Nesër pritet të jetë një nga ditët që do të provojë sesa është pjekur klasa jonë politike, por edhe shoqëria shqiptare. Mitingu i paralajmëruar për në orën 11:00 i ka të gjithë elementët e një proteste-revolte të frymëzuar nga opozita. Situata ekonomike, pakënaqësitë nga një pjesë e reformave të qeverisë, mosmbajtja e premtimeve janë disa nga arsyet se përse mund të propozonte opozita demonstratë. Por ndryshe nga sa pritej, Partia Demokratike ka gjetur si argument kryesor akuzat e deputetit Tom Doshi kundër kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Dëshmitë e pakonfirmuara të deputetit, si edhe ndryshimi i varianteve për “planin e eliminimit” të tij i shtojnë dhe më shumë pikëpyetjet e gjithë kësaj historie. Megjithatë, për Partinë Demokratike duket se verifikimi i akuzave është çështje dytësore përballë shfrytëzimit të situatës momentale politike për të krijuar kriza e destabilitet.

Prej tre ditësh, të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike protestojnë para zyrave të Kryesisë së Kuvendit duke kërkuar dorëheqjen e kryeparlamentarit Ilir Meta. Përditë nga selia e PD-së u bëhet thirrje njerëzve për të marrë pjesë në protestë. Në selinë blu kanë nisur të bëjnë llogaritë sesa mijëra qytetarë do vijnë nga rrethet, duke u mundësuar dhe transportin falas me autobuzë. Situata  është tensionuar dhe me bllokimin e komisioneve të Kuvendit. Në mënyrë demonstrative deputetët e PD-së janë larguar dje nga gjithë komisionet me pretendimin se nuk mund të jenë pjesë e punimeve të Kuvendit, kur drejtuesi i parlamentit akuzohet për krime. Një deklaratë e kryetarit të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, lidhur me protestën e nesërme, se PD-ja nuk mban përgjegjësi për atë që do të bëjë populli, u ka dhënë udhë më shumë skenarëve për një demonstratë të dhunshme. Sado që dje, Paloka në një intervistë në “Top Channel” u mundua të sqarojë se PD-ja nuk kërkon pushtet me dhunë, sërish dalja nga kontrolli e protestës mbetet një opsion i mundshëm. Aq më tepër, kur dihet se PD-ja ka një histori të sajën në kthimin e mitingjeve nga paqësore në demonstrata dhe akte dhune. Mjafton të kujtojmë vitin 1998.

PD-ja thotë se do të zhvillojë protestë paqësore, por deri tani, elementët që kanë dalë nga stafi organizativ nuk ngjajnë si skema për të shmangur tensionet. Në orën 11:00 pritet që protestuesit e PD-së të bllokojnë Kuvendin, duke mos lejuar as hyrjen dhe as daljen e deputetëve dhe të kreut të Kuvendit nga zyrat e institucionit, pa dhënë, sipas tyre dorëheqjen. Pra do ta rrethojnë parlamentin nga të gjitha anët dhe pritet ti zenë brenda deputetët dhe kryetarin e parlamentit. Ndërkohë në seancën e Kuvendit, deputetët e PD-së pritet të uzurpojnë podiumin duke  bllokuar vazhdimin normal të seancës. Një grup protestuesish të FRPD-së është porositur që të vendoset para godinës së Kuvendit që në orët e para të paradites dhe do të qëndrojë deri në orët e vona të mbrëmjes. Veç këtyre detajeve, pritet të ketë dhe elementë të tjerë surprizë nga stafi që po organizon protestën, detajet e të cilave janë mbajtur sekret nga deputetët e Partisë Demokratike. Nëpër koridoret e selisë blu thonë se ka një plan sekret për nesër, pra pas orës 11.00. Por cili është tamam këtë nuk e di asnjeri përveç Sali Berishës e Lulzim Bashës dhe disa personave që do nxisin turmën të turret drejt sallës ku do të jenë deputetët. Thuhet se plani është për të hyrë në parlament e për të bllokuar Ilir Metën.

Ndërkohë që nga ana e drejtorisë së Policisë së Tiranës, sot pritet të ketë mbledhje të drejtuesve të policisë për hartimin e planit të masave dhe angazhimin e strukturave për ruajtjen e qetësisë dhe rendit publik. Në protestat e mëparshme të Partisë Demokratike, Drejtoria e Policisë ka zgjedhur që të vendosë në kordonët e policisë vetëm police femra, me qëllim mosagravimin e situatës. Nuk dihet ende nëse kjo strategji do të ndiqet edhe këtë herë nga Ministria e Brendshme, pasi të dhënat janë se një pjesë e protestuesve mund të jenë të dhunshëm dhe se do të ketë përplasje. Nuk besohet se policet femra do të mund të bllokojnë turmën të futet në parlament. Ndaj mësohet se e gjithë policia e shtetit dhe Garda do jetë në gadishmeri maksimale. Por një gjë dihet se policia dhe garda e Republikës nuk do të qëllojnë me armë nëse situata del jashtë kontrollit. Nuk duan të përsëritet një tjetër 21 janar ndaj nuk mund të qëllojnë ndaj protestuesve sado të dhunshëm të jenë ato nesër.

Përmendja e ngjashmërive të 21 janarit me 12 marsin, edhe nga vetë deputetët e Partisë Demokratike, ka rritur dhe më shumë tensionet për protestën e ditës së enjte. Kjo do jetë përballja e parë e vertetë e policisë së Saimir Tahirit me demokratët,pasi deri tani ato kanë qenë si “lule në pranverë”.

Nesër do të shikohet forca e Shtetit, urdhërat e Edi Ramës dhe vendosmeria e Lulzim Bashës