Republika në duart e Adriatik Llallës

 

Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar drejtuesit më të lartë të tij, përveç Presidentit të Republikës, do të jenë sot në Prokurori. Organi i akuzës u ka nisur fletë thirrje me urgjencë dje pasdite Kryetarit të Kuvendit  Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama,Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe deputetëve Mark Frroku e Mhill Fufi, por edhe ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Eugen Beçi. Zyrtarët e lartë të shtetit janë thirrur në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, bazuar në dëshminë që ka dhënë deputeti Tom Doshi. Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha do të thirret në bazë të deklaratave që bëri dje në Kuvend, ku pranoi se kishte informacione për atentatin ndaj Doshit, tre muaj më parë.Ai tha se e di  që para tre muajve dhe duhet të jap shpjegime si e di dhe pse e di , nëse ka gjë për të ditur. Dhe si shpjegohet që nuk i ka treguar deputetit të tij të PD-së Mhill Fufi që të ruhet se mos e vrasin. Janë shumë pikëpyetje që do dalin nga prokurorët edhe për ish-kryeministrin Berisha.

Procedura e prokurorisë që duket e thjeshtë në pamje të parë, pasi për çdo ngjarje thirren personat që kanë informacione rreth saj, është një risi për zhvillimet në vend. Deri më sot, nuk ka pasur guximin asnjë prokuror që të thërrasë në zyrën e tij për të dhënë dëshmi drejtuesit kryesorë të shtetit. Ndërsa si asnjëherë tjetër, Prokurori i Krimeve të Rënda ka firmosur thirrjen e 7 zyrtarëve të lartë të vendit. Natyrisht që është Prokurori i Përgjithshëm i Republikës z. Adriatik Llalla që ka urdhëruar të zbatohet ligji ndaj kujtdo shtetari të lartë.  Këtë nuk e ka bërë asnjeri në historinë 25 vjeçare të demokracisë, përveç zotit Llalla, i cili po merr staturën e kandidatit  për Kryetar Shteti në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017. Dhe pikët e tij në publik janë në kuotat më të larta.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta konfirmoi dje se do të paraqitej në orën 08:00 në zyrat e organit të akuzës për të dhënë dëshminë. Po ashtu, edhe Kryeministri Edi Rama, e të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe Ministri Tahiri,por dhe dy deputetët. Sfida në këtë rast mbetet për ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë karrierës së tij politike nuk ka asnjë rast kur t’i jetë përgjigjur thirrjes së prokurorisë dhe të jetë paraqitur vetë për dëshmi. Pra që të lerë me shkrim një deshmi. Kur deshmon e firmos mban përgjegjsi penale për çdo germë.

Akuza e Tom Doshit se ka pasur një plan për të vrarë atë dhe deputetin Fufi përfshin deri tani rreth 17 emra. Ngjarja ka pështjelluar keqazi politikën shqiptare si asnjëherë tjetër gjatë viteve të fundit. Një deputet shkodran dhe  pas tij gjithë opozita akuzojnë numrin 2 të shtetit për vrasje me pagesë. Opozita është në prag të protestave dhe vendi rrezikon të shkojë drejt një destabilizimi të përgjitshëm, ndaj Prokuroria ka fatin e çështjes në dorë, por dhe të stabilitetit politik për krejt vendin që ti jap përgjigje sa më shpejt akuzës. Prej më shumë se një jave, opinioni është ushqyer vetëm me hamendje dhe me skenare të gatuar sipas interesave politike. Cila është e vërteta? A ka pasur një plan vrasje? Kush e ka organizuar dhe mbi të gjitha pse duhej vrarë deputeti Doshi? A është e vertetë apo histori e sajuar me shumë mjeshtri dritanpriftiste? Këto pikëpyetje ende nuk i dimë. Kemi dëgjuar vetëm atë që kanë dashur të thonë politikanët. Dimë variantin e Doshit, por kemi dhe variantin e Ilir Metës, Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Askush nuk mund të thotë se Tom Doshi gënjen dhe ka sajuar gjithçka, por askush nuk mund t’i marrë deklaratat e tij si të mirëqena pa u provuar nga drejtësia.Askush nuk e di nëse është e vertetë apo e sajuar kjo video. Nga ana tjetër, askush nuk i jep të drejtë opozitës të quajë Kryetarin e Kuvendit vrasës, Kryeministrin bashkëpunëtor në këtë skenar dhe Ministrin e Brendshëm si të përfshirë në pazare me një kriminel. E vetmja mënyrë është që Prokuroria ta hetojë sa më shpejt këtë çështje duke shmangur çdo dyshim sado të vogël. Akuzat janë të rënda. Mbase nga më të rëndat në adresë të drejtuesve të shtetit. Këtu nuk flitet më për debatin politik të ditës, por për gjithë themelet e shtetit dhe Republikës. Akuzat, të sajuara ose jo, në çdo vend do të sillnin trazira. Shqipëria është vetëm një hap larg tyre. Vetëm një hap larg destabilitetit të madh e që po filloi nuk ndalet kollaj.

 Hetimi i kësaj çështje do të përcaktojë zhvillimet politike në vend, por jo vetëm ato. Ndaj sot Republika është në duart e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, jo vetëm në kuptimin figurativ. Ai ka në dorë fatin e drejtësisë, të Shtetit, të Shqipërisë.