Infeksioni i bajameve, kirurgjia zgjidhja përfundimtare

Diskomfort në fyt, prishje e gjendjes së përgjithshme, temperaturë e lartë, dhimbje fyti, vështirësi në gëlltitje dhe rritje e limfonodujve janë disa prej shenjave që shfaqin personat e prekur nga problemet me bajamet.

Shkaktarët më të shpeshtë të tonsiliteve akute (infeksioneve në bajame) janë infeskionet bakteriale dhe virale.

“Bajamet kanë funksion mbrojtës për organizmin, por nëse ky funksion nuk kryhet më dhe përkundrazi këto bajame janë vatër infeksioni për disa organe në organizëm atëherë duhet t’i nënshtrohen interventit”, shprehet Dr. ORL, Orjeta Tonuzi.

Bajamet në përgjithësi mund të operohen pas moshës 3 vjeç. Indikacion i heqjes së bajameve janë infeksionet e përsëritura të tyre 4 – 5 infeksione në vit.

Cili është shkaku i dhimbjes së bajameve?

Bajamet dhembin si pasojë e infeksionit të tyre. Infeksionet e bajameve në gjuhën tonë quhen tonsilit akut. Shkaktarë të tonsiliteve janë infeksionet virale dhe ato bakteriale. Këto infeksione favorizohen shumë nga ulja e imunitetit, lagështia dhe i ftohti.

Çfarë simptomash shfaqen tek personat e prekur?

Simptomat që shfaqen gjatë tonsilliteve akute fillojnë me diskomfort në fyt, prishje e gjendjes së përgjithshme, temperaturë e lartë, dhimbje fyti, vështirësi në gëlltitje, rritje e limfonodujve etj.

Cilët janë shkaktarët e këtij infeksioni?

Shkaktarët më të shpeshtë të tonsiliteve akute janë infeksionet bakteriale (streptokoku, stafilokoku, hemofilusi) dhe infeksionet virale (adenoviruset).

Si kryhet diagnostikimi i tyre?

Diagnostikimi bëhet me ekzaminimin e tonsilave nëpërmjet oroskopisë ku në tonsilitet akute, tonsilet mund të jenë të skuqura dhe edematoze në rastet e anginave katarrale, pika qelbi në sipërfaqen e tonsilave në rastin e anginave folikulare dhe membrane qelbi me ngjyrë të verdhë në rastet e anginave lakunare, ku temparatura është mbi 39 gradë, erë e keqe nga goja dhe adeno patiregionale.

Personat që kanë bajame kronike, çfarë duhet të bëjnë?

Tonsilitet kronike shfaqen në dy forma: forma hipertrofike që shfaqet me rritjen e tonsilave si pasojë e shtimit të veprimit funksional, si dhe për shkak të inflamacioneve të shpeshta të bajameve, formë që ndeshet më shpesh te moshat fëminore dhe forma atrofike që ndeshet tek të rriturit që manifestohet me zvogëlim të volumit të tonsilave, si pasojë e infeksioneve të përsëritura. Në rast se këto forma japin shqetësime të tilla, si vështirësi në frymëmarrje, infeksione të veshit, ulje të dëgjimit, vështirësi në gëlltitje, zmadhim i gjendrave limfatike të qafës apo infeksione urinare, arteitet etj, atëherë këto bajame duhet të operohen.

Kur lind nevoja për t’i operuar bajamet dhe në çfarë moshe?

Bajamet në përgjithësi mund të operohen pas moshës 3 vjeç. Si indikacion i heqjes së bajameve janë infeksionet e përsëritura të tyre 4 – 5 infeksione në vit, në kulturën e fytit evidentohet prania e streptokokut beta hemolitik, vështirësi në frymëmarrje te fëmijet, erë e keqe nga goja etj.

Pra, a duhet t’i heqim?

Bajamet kanë funksion mbrojtës për organizmin, por nëse ky funksion nuk kryhet më dhe përkundrazi këto bajame janë vatër infeksioni për disa organe në organizëm atëherë duhet t’i nënshtrohen interventit.

Kur hiqen bajamet ndodh që personat e prekur të infektohen më lehtë, duke qenë se mikrobet hyjnë më lehtë në organizëm. Çfarë kujdesi duhet të tregojmë në këtë rast?

Nëse bajamet janë kronike dhe manifestohet me shqetësimet e mësipërme atëherë ato bajame duhet të hiqen, pasi vetë bajamet bëhen vatër infeksioni për organizmin, por problemet me fytin pas heqjes së bajameve shkaktohen nga pengesat në hundë. Pra nëse një pacient ka hundë vazhdimisht të zëna sidomos gjatë ditëve të ftohta atëherë mund të shfaqen faringitet, si pasojë e futjes së ajrit të ftohtë. Në këto raste në fillim rekomandohet zgjidhja e problemeve në hundë dhe më pas të rekomandohet heqja e bajameve.

Po përsa i përket ushqimeve gjatë periudhës post operatore, çfarë këshillohet të konsumohet?

Gjatë periudhës post operatore të bajameve duhet të bëhet shumë kujdes me mënyrën e të ushqyerit. Në përgjithësi në ditët e para rekomandohen ushqime të lëngshme e të freskëta ose pak të ftohta, në ditët në vazhdim. Këto ushqime mund të jenë të buta dhe të vakta, por jo të forta. Ky lloj ushqimi këshillohet deri 2 javë pas operacionit më pas mund të shmanget vetëm pirja e lëngjeve shumë të ftohta pasi mund të shkaktojnë faringite. Ushqimet e tjera mund të konsumohen normalisht.

Intervistoi: Vilma Kërçiku TV KLAN