Fatos Lubonja: Tritolin e kanë vënë njerëzit që nuk mbajnë dot më

Fatos Lubonja thotë se prapa tritolit të vendosur ditët e fundit në Tiranë, mund të qendrojnë njerëz që nuk mbajnë dot më.

Sipas Lubonjës, që i ka qejf teoritë revolucionare, tritoli mund të jetë një reagim ndaj pakicës së varfër, nga shumica që po e grabit.

“Megjithatë, unë po guxoj të hedh në treg edhe një pistë alternative, që nuk para ma ka zënë syri në mediat tona: bombavënësi/it edhe mund të mos jenë nga ata trafikantët e thekur të drogës, as të lidhur me këtë apo atë forcë politike, por njerëz që s’mbajnë dot më pikërisht për shkak të një pushteti, që rrjep e varfëron paturpësisht shumicën për të pasuruar paturpësisht një pakicë”, shkruan ai për “Panorama”.

Njerëzit sipas tij janë të revoltuar me abuzimet e pushtetarëve, dhe për këtë merr shembull marrëveshjen e heshtur për koncensionin e parkimeve publike në Tiranë.

“Edhe në mos qoftë e vërtetë kjo pistë, por ajo se bombat i kanë venë trafikantët, a nuk kanë të drejtë ata të mendojnë se tek e fundit tritolin po ua vënë të ngjashmëve të tyre, madje se moralisht qëndrojnë më lart se ata pasi, për t’u pasuruar vënë veten në rrezik, kurse këta rrufjanë duan të pasurohen duke mos rrezikuar asgjë, përveç jetës së atyre që u premtojnë përditë se po punojnë për lumturinë e tyre”, e mbyll Lubonja argumentin e vet.