Zyrtarja gjermane-Mustafës: Azil-kërkuesit i kthejmë për të mirën e tyre!

Ministrja për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale të Bavarisë, Beate Merk ka thënë se azilantët kosovarë do të kthehen pasi Kosova është vend i sigurt.

Ajo ka treguar se kërkesa e azilantëve nga Kosova do të trajtohet brenda dy javësh dhe përgjigja do të jetë negative për të qëndruar në Gjermani.

Këto komente Merk i ka bërë pas takimit që ka pasur sot në Prishtinë me Kryeministrin Isa Mustafa.
Lexojeni të plotë njoftimin e Qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten ministren për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale të Bavarisë, Beate Merk.

Kryeministri Mustafa dhe ministrja Merk kanë biseduar për proceset aktuale, për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Kosovës dhe Landit të Bavarisë dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për çështjen e migrimit të qytetarëve të Kosovës kohëve të fundit dhe trajtimin e azilkërkuesve në Landin e Bavarisë.

Ministrja Beate Merk informoi për ndryshimet që janë bërë në legjislacionin e Bavarisë dhe ndalimin e përkrahjes financiare si dhe për faktin se kërkesat për azil të kosovarëve do të procedohen brenda dy javësh.

Gjatë takimit, po ashtu u bë e ditur se azilkërkuesit kosovarët do të kthehen pasi që Kosova është një vend i sigurt dhe se kosovarëve nuk iu takon e drejta për azil.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të pritur dhe për riintegrimin e qytetarëve të Kosovës që do të kthehen, duke folur edhe për angazhimet konkrete dhe reformat që po ndërmerren në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e perspektives për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Mustafa dhe ministrja Merk, në kuadër të përkrahjes dhe bashkëpunimit me Landin e Bavarisë, biseduan edhe për mundësitë e punësimit sezonal, trajnimit dhe aftësimit profesional të qytetarëve të Kosovës.