Mafia ka goditur Republikën, jo vetëm Saimir Tahirin

Ben Blushi

Ndërgjegjia ma kërkon të them sot diçka për sulmin ndaj Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ministri i Brendshem u shantazhua direkt dhe në stilin e mafias dhe në qendër të sulmit ishte familja e tij. Besoj se nga krimet që kemi parë ky është më i pabesi dhe më domethënësi. Sepse ky krim ka pak nga të gjitha: dhunën, hakmarrjen dhe forcën e zezë të paligjshmërisë dhe kriminalitetit.

Jam i bindur që shumë njerëz majtas dhe djathtas kanë patur shumë dyshime për cilësinë e punës së tij. Dikush siç ndodhi edhe sot e ka quajtur të lidhur me krimin. Dikush e ka quajtur të shpejtuar, spontan,të hedhur, dhe jo shumë praktik. Të tjerë mes kolegëve të mi, janë ankuar se ai nuk e ka pastruar aq sa duhet policinë nga militantët e qeverisë së shkuar që gjeti në rradhët e policisë. Por si të gjithë ata që kanë patur dyshime pa patur prova, sot ka nje provë: bomba që iu vu këtij zyrtari të Shtetit në shtëpi, në familje, është e vetmja provë që kemi për të matur punën e tij. Nëse ai është i shpejtuar, është sanguin, është spontan dhe jo aq militant sa ç’i kërkohet të jetë, bomba provon që të paktën ka bërë detyrën e vet: ka luftuar krimin dhe prandaj krimi po e sulmon. I rrëzoj me bindje të gjitha akuzat se një pjesë e krimit e sulmoi ngaqë ai është palë me pjesën tjetër. Unë nuk i besoj këto. Saimir Tahiri këtu ka qenë. Një aktivist i përndezur i opozitës dje, që fluturonte mbi makina të djegura në 21 janar, që organizonte mitingje, takime, që akuzonte qeverinë e shkuar një njeri që denonconte edhe me fjalë edhe me shkumës, prapësitë dhe korrupsionin e djeshëm.

Nëse, siç thonë, ka qenë i lidhur me krimin pyetja është: pse krimi nuk e sulmoi atëherë kur ky nuk kishte asnjë pushtet? Pse një pjesë e krimit që ai paska mbështetur nuk i vuri bombë te shtëpia përpara se të bëhej Ministër i Brendshëm? Kjo do ishte shumë më lehtë për krimin dje kur ai ishte një qytetar i lirë dhe shumë më e vështirë sot kur ai drejton policinë. Pse nuk u pretendua se edhe viktimat e tjera të krimit ishin të lidhura me krimin siç ishte rasti i gjykatësit të ndjerë nga Vlora apo shumë biznesmenëve të gjymtuar dhe të vrarë nga tritoli? A ishin ata të lidhur me krimin. Jo. Askush nuk e tha. Atëherë pse e thonë për Saimir Tahirin?

Nuk është hera e parë që sulmohet familja e Saimir Tahirit. Besoj se të gjithë e kujtoni që kjo është hera e dytë. Dy herë që donin ta poshtëronin të dyja herët i kanë marrë për shenjestër familjen. Një herë këtë e bëri qeveria e shkuar e cila i arrestoi babain dhe para dy ditesh mafia, e cila sërish i mori në shënjestër babain. Kjo mund të jetë dhe patjetër është, një koicidence dhe nuk dua të them se pas bombes fshihet e njëjta dorë.

Abosolutisht jo. Por askush nuk më bind se ata që i vunë bombën pardje nuk kanë huazuar të njëjtin stil hakmarjeje. Ata nuk janë lodhur t’i gjejnë këtij njeriu “thembrën e Akilit”. Këtë shënjestër e kishin gati nga qeveria e shkuar e cila e arrestoi babain e Saimir Tahirit jo si një njeri që nuk pagunte taksat se kjo nuk ka ndodhur me mijëra të tjerë, por si babain e një kundërshtari politik. Ja pra një rast tipik sesi mbillet hakmarrja në Shqipëri, sesi frymëzohet paligjshmëria sesi mjafton të sajosh një tabelë dhe gjithkush që të urren për shkak të detyrës të gjuan atje. Të fyen, të poshtëron, të dhunon ndoshta edhe të vret. Fatkeqësisht kjo është vërteta.

Krimi mori borxh nga qeveria e djeshme shënjestrën kundër Saimir Tahirit. Dhe vetëm kaq mjaftonte për ta bërë sot opozitën edhe më të përmbajtur dhe shumë më solidare. Sepse me dashje apo pa dashje ajo ia ka përgatitur krimit metoden e hakmarrjes. Edhe dje edhe sot babai i Saimir Tahirit ishte tabela e qitjes. Dhe mjafton kaq për të kuptuar se në të dyja rastet bëhet fjalë për hakmarrje dhe jo për bashkëpunim. Sepse babai i Saimir Tahirit nuk u arrestua para dy vitesh si bashkëpuntor i qeverisë.

Edhe para dy ditësh atij nuk iu vu bombë si bashkëputor i krimit. Por si familjar i njeriu që në të dy rastet është në betejë. Dje kundër qeverisë, sot kundër mafias kriminale. Prandaj flas sot. Për t’i kërkuar opozitës dhe jo vetëm asaj të frenojë fantazinë e vet dhe ti japë solidaritet një njeriu që megjithëse nuk e do, është në detyrë, është nën sulm, është nën shantazh. Për çfarë e shantazhojnë? Bomba na e dha përgjigjen. Për detyrën që është duke kryer. Për luftën në Lazarat, për plantacionet në Dukagjin, për drogën në Xibrakë, për vendosmërinë dhe sigurisht për detyrën që mban. Saimir Tahiri nuk u sulmua si sanguin as si spontan. U sulmua si Ministër i Brendshëm.

Mafia nuk ka sulmuar Saimir Tahirin. Dhe jo vetëm ministrin e Brendshëm. Ajo ka sulmuar Republikën. Ka sulmuar detyrimin e përbashkët për të dalë më në fund nga një spirale njëzetvjeçare  e lidhjeve të krimit me politikën. Saimir Tahiri është njeri nga ne. Sot jemi të gjithë të sulmuar sepse krimi na ka kërkuar të ndalemi.

Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ne jemi të ndarë në luften kunder krimit siç edhe po ndodh sot në këtë parlament, që i iku detyrimit të vet moral dhe kushtetues për t’u ngritur mbi interesat e veta në luftë kundër krimit. Prandaj dua ta mbyll duke ju thënë: dënoni krimin pastaj merruni me Saimirin, sepse çdo formë tjetër e frymëzon krimin duke i krijuar pritshmërinë e aministisë morale të cilën po e kërkon me dëshpërim, me bomba dhe me tritol. Dhe sigurisht me besimin se një pjesë e këtij parlamenti mund ta falë nesër për arsye politike siç edhe mund të ketë ndodhur dje.

Fjalimi i mbajtur sot nga deputeti i PS-së në Kuvend