Kërcënohemi nga terrorizmi dhe krimi

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i mbledhur mbrëmjen e djeshme nga Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, ka pasur në axhendë numër një çështjen e terrorizmit. Takimi i drejtuesve më të lartë të vendit, Presidentit, Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministres së Mbrojtjes dhe krerëve të shërbimeve inteligjente ka nxjerrë për publikun detaje nga masat e marra për sigurinë. Takimet e Këshillit të Sigurisë përbëjnë nivelin më të lartë dhe informacionet klasifikohen mjaft sensitive. Megjithatë, krerët e shtetit kanë gjykuar që të ndajnë me opinionin disa prej informacioneve, duke e transmetuar takimin e tij live në media. Konkluzioni është se pas sulmeve në Francë, drejtuesit e shtetit kanë pranuar se Shqipëria rrezikohet nga terrorizmi, ndaj është kërkuar një angazhim më i madh i strukturave mbrojtëse. Presidenti Bujar Nishani vuri theksin në masat që duhen marrë ndaj shqiptarëve të rekrutuar në grupet terroriste në Siri dhe Irak. Ndërsa kryeministri Edi Rama kërkoi që institucioneve të sigurisë së vendit kundër terrorizmit, si policia dhe shërbimet inteligjente, t’u shtohen edhe Forcat e Armatosura. Këshilli i Sigurisë Kombëtare është institucioni më i lartë për strategjitë e sigurisë në vend. Mbledhjet e këtij institucioni, ku bëjnë pjesë gjithë drejtuesit lartë të shtetit dhe shërbimeve inteligjente, nuk janë të shpeshta. Mbledhja e fundit është bërë gati një vit më parë, kur u miratua Dokumenti Strategjik për 10 vitet e ardhshme. Për herë të parë, në këtë dokument përmendej në mënyrë zyrtare si rrezik për vendin terrorizmi. Një vit më pas Shqipëria ka miratuar ligjin për dënimin e personave që marrin pjesë në konflike jashtë vendit, e thënë ndryshe, për “xhihadistët”. Shërbimet inteligjente dhe Prokuroria kanë arritur të zbulojnë disa muaj më parë një bazë për rekrutimin e xhihadistëve në Siri dhe të zbardhin mënyrën sesi funksionojnë rekrutimet. Disa persona janë të arrestuar dhe pritet të dalin në gjykim. Por shifra prej rreth 150 shqiptarësh nga Kosova dhe Shqipëria që janë aktivë në luftime në Siri është një problem me të cilin autoritetet shqiptare mund të përballen nëse ata kthehen një ditë. Për këtë qëllim, rreziku i terrorizmit dhe i veprimtarisë së organizatave teroriste është evident më shumë se kurrë në vend. Por terrorizmi nuk është i vetmi rrezik i Shqipërisë. Krimi i organizuar është një rrezik po kaq i madh që i kanoset sigurisë së vendit. Në një vit ka pasur tre ngjarje.Lazarati ishte strumbullari i një aktiviteti kriminal që xhironte miliarda lekë, duke përfshirë brenda tij edhe struktura të shtetit dhe një rrjet të gjerë trafiku nga Shqipëria, Italia dhe deri në Holandë. Ishte një nga zonat që gjeneronte para të pista, trafiqe, krime dhe ndikime, deri në sferat e larta të pushtetit politik dhe të drejtësisë. Fatmirësisht, Lazarat të drogës nuk ka më, por skema e funksionimit të tij mund të përsëritet sërish, nëse institucionet nuk do të jenë në gjendje të ndalojnë që në fillesat e tyre krijimin e strukturave të narkotrafikut. Rasti i dytë është zbulimi i bandës së vrasjeve me pagesë. Mënyra sesi vepronte banda e njohur me të akuzuarin kryesor si killer profesionist Julian Sinanaj kishte të njëjat modele si terrorizmi. Ekzekutime të stilit mafioz dhe vrasje me tritol e shpërthime. Viktimat nuk kanë qenë vetëm shënjestrat e porositura, por edhe njerëzit që rastësisht ndodheshin në vendin e atentatit. Brenda dy viteve numërohen rreth 60 atentate me tritol në gjithë vendin, ku objektivi kanë qenë biznesmenë, struktura të policisë dhe rivalë të grupeve kriminale. Një bilanc i tillë me 60 shpërthime eksplozivi nga krimi i organizuar është njëlloj si terrorizmi. Ndaj ekzekutimet dhe vrasjet nuk duhen parë si një “larje hesapi” mes bandave, por si një kërcënim real i sigurisë së vendit.

Së fundi, edhe më alarmant për nivelin e sigurinë në vend është zbulimi i laboratorit të drogës në Xibrakë të Elbasanit. Dyshimet e prokurorisë flasin se rrjeti i drogës që u kap në Tiranë shtrihej të paktën në 6 shtete. Të ardhurat e siguruara nga trafiku i drogës  rezultojnë se kanë qenë rreth 20 milionë euro, por shuma totale mund të jetë edhe disa qindra miliona euro, nëse grupi nuk kapej me ndihmën e gjermanëve. Një grup kriminal që grumbullon një pasuri të tillë marramendëse nuk do të merrej vetëm me trafikun e drogës. Këto para do të investohen, në mos janë investuar, në biznese të fuqishme që mund të kapin dhe strukturat e shtetit. Ky është rreziku real i vendit pas terrorizmit.

 Ndërsa në raport me elementët e mundshëm terroristë apo që kanë lidhje me njërëzit e tyre në Siri, si dhe me ato që mund të kthehen, ka një plan të miratuar që i survejojnë kudo me agjentë sekret. Po kështu masat e sigurisë janë rritur në aeroporte dhe portet e vendit , pa harruar pikat e kalimit tokësor të kufirit. Bile pika e Morinisë si një mundësi penetrimi nga elementë terroristë po monitorohet vazhdimisht. Gjitha strukturat e Shtetit janë përbashkuar dhe po survejojnë ,edhe me agjentë të infiltruar brendave rradheve të këtyre kontigjenteve, për çdo lëvizje apo mundësi për ndonjë akt terrorist me karakter fetar.