Naser Aliji huazohet nga Basel tek Vaduz, pritet zyrtarizimi

Naser Aliji, futbollisti shqiptar nga Maqedonia, i cili zgjodhi pak ditë më parë që të luajë me ekipin tonë përfaqësues, teksa kërkohej nga ekipet kombëtare maqedonase dhe zvicerane, pritet të kalojë në formë huazimi tek skuadra e FC Vaduz. Ekipi i principatës së Liktenshtejnit, që bën pjesë në ligën e dytë zvicerane, e sheh Naser Aliji, 21 vjeç, si përforcimin e duhur të merkatos së dimrit, teksa është shumë pranë marrëveshjes me ekipin e Superligës së Zvicrës, Basel. Aliji ka kërkuar vetë largimin, për faktin se dëshiron të luajë titullar. Sipas “Blick.ch”për këtë lojtar  ka treguar gjithashtu interes edhe ekipi  St. Gallen, që e sheh Alijin si pasues të Ermir Lenjanit, i cili pak kohë më parë iu bashkua Rënnnes në Francë. Megjithatë, Basel është treguar më i gatshëm që të futet në bisedime me Vadoz dhe të huazojë Naser Aliji deri në fund të sezonit tek ky ekip, duke mos e parë si rival në kampionat. Aliji sot pasdite fluturoi përsëri në Zvicër, nga kampi i stërvitje së FC Basel, në Marbella (Spanjë), deri sa të arrihet marrëveshja. Pritet që sulmuesi të prezantohet në fundjavë me Vaduz.