Vllaznisë i ikën një tjetër talent, Arsid Kruja shitet në Arabinë Saudite

Në fund të pjesës së parë të këtij sezoni, Vllaznisë së Shkodrës i largohet një ndër lojtarët më të talentuar. Arsid Kruja, 21 vjeç, lojtari i ekipit U-21 të Shqipërisë do të nisë një aventurë në kampionatin e Arabisë Saudite.  Klubi i Futbollit “Vllaznia” njoftoi se është arritur sot akordi mbi transferimin e futbollistit Arsid Kruja tek klubi Hajer Al Hasa, në  Arabinë Saudite. Mësohet se klubi arab ka paguar rreth 100 mijë dollarë për të fituar shërbimet e talentit shkodran, pasi Kruja ishte në kontratë deri në qershor të vitit 2017, ndërkohë që më parë në kampionatin arab kanë luajtur edhe Gilman Lika e Migen Memelli. Tashmë mbetet vetëm procedura e firmosjes së  kontratës nga të dyja palët dhe brenda 2-3 ditëve ajo mund të konsiderohet e mbyllur dhe lojtari do të udhëtojë drejt Arabisë  për të  nisur një  aventure të re. Në Ulqin, ku Vllaznia po zhvillon fazën përgatitore të dimrit, pas përfundimit të pjesës së parë të këtij sezoni skuadrës së drejtuar nga Baldo Ranieri i është afruar vetëm një futbollist dhe pikërisht Bardulla, që i dha fund karrierës tek Teuta.