Ridvan Dibra: Letërsia ime, synon thellësitë e qenies

Në analizat e krijimtarisë së tij letrare e kanë emërtuar shpesh si “kafkian”, “postmodernist”, “eksperimentalist i madh” etj, por ai vetë do ta emërtonte letërsinë e tij si “letërsi që synon thellësitë e qenies”. Fjala është për profesorin dhe shkrimtarin e njohur Ridvan Dibra. Teksa në një intervistë për “Koha Jonë” ai flet për krijimtarinë e tij letrare, letërsinë shqipe, mungesën e kritikës letrarë duke përsëritur bindjen që një kritik i vërtetë ndeshet më rrallë se një shkrimtar i tillë….   

E keni filluar krijimtarinë tuaj letrare me poezinë, për të lëvruar më pas disa gjini të tjera të letërsisë sikurse janë tregimi, esseja, romani. Në cilën prej këtyre gjinive ndjeni se jeni më shumë vetvetja?

– Vetvetja? Ende vazhdoj të mos e kem të qartë se çfarë do të thotë “të jesh vetvetja”.  Çdo njeri ka në veten e tij disa “vete”, të cilat përplasen e kundërshtohen, duke nxjerrë në spikamë herë njërën e herë tjetrën. Sidomos individi bashkëkohor: kaq i paqëndrueshëm dhe kaq lehtësisht i manipulueshëm në “vetet” e tij. Dhe sidomos shkrimtari që e “grimcon” veten e tij tek çdo vepër që shkruan. Por që mos ta lë pa përgjigje pyetjen tuaj, them se te tregimi e romani ndihem më mirë, më i sigurt, më i besueshëm ndoshta; apo “më shumë vetvetja”, siç shpreheni ju.

Në analizat e krijimtarisë suaj ju kanë cilësuar shpesh si “kafkian”, “postmodernist”, “eksperimentalist i madh” etj… Nëse do ju duhej t’i vendosnit një emër krijimtarisë suaj, si do ta cilësonit?

– Po, kështu janë shprehur disa kritikë e studiues. Dikur, para shumë vitesh, vlerësime të tilla ma kanë përkëdhelur sedrën jo pak. Tashti, kuptohet, i gjykoj më ftohtë dhe më kthjellët. Më i vëmendshëm dhe më i interesuar jam kur më bëjnë vërejtje.  Porse kritikët ndër ne rrallë bëjnë vërejtje. Zakonisht lavdërojnë.  T’i vë një emër krijimtarisë sime? Nuk njoh detyrëmë të vështirë për një shkrimtar, sesa atëherë kur është i detyruar të flasë për punën e vet. Ndaj dhe jap intervista fort rrallë.  Megjithatë, ju prisni një përgjigje dhe unë letërsinë time kisha për ta emërtuar si “letërsi që synon thellësitë e qenies”.  Të tjerët, ndoshta, mund ta gjykojnë krejt ndryshe.

Thuhet shpesh se shkrimtarët ka gjithmonë diçka që i frymëzon ndërkohë që shkruajnë. Ndoshta një person, vend apo diçka tjetër. Juve çfarë ju frymëzon teksa uleni të shkruani?

Ato që thashë pak më sipër: “vetet” e mia; grindjet e mia të brendshme. Vazhdoj të kem aq shumë pikëpyetje brenda vetes, aq shumë dilema e pyetje pa përgjigje. Nëse ato do të reshtin një ditë (çka s’ka logjikë të ndodhë), nuk besoj se do të shkruaj më. Kuptohet, shtysë “frymëzimi” është edhe shumëçka tjetër që në një mënyrë a në një tjetër, lidhet me ato që thashë në fillim, domethënë me grindjet e mia të brendshme. Kjo ndodh edhe në ato vepra që lexuesit mund t’i duken krejt “larg meje”, si për shembull te romani im i fundit, “Legjenda e vetmisë”. Një konceptim i tillë i krijimit, bën që proza ime të jetë e varfër me personazhe; në romanet e mia ndesh jo më shumë një, apo dy-tre karaktere. Në një kuptim, jam rrekur të bëj një prozë sa më vertikale: drejt thellësive e mistereve të qenies. Sa ia kam arritur, e gjykojnë të tjerët.

Ju keni lindur në një qytet që njihet ndryshe si djepi i kulturës dhe ka nxjerrë brez pas breziemra që kanë spikatur në fushat e tyre respektive. A ju ka ndihmuar ky fakt në afirmimin tuaj si shkrimtarë?

Po, Shkodra njihet si e tillë. Edhe pse metafora e djepit më bezdis. Në djep dremit dhe mbahesh i lidhur. Por, pa dyshim, që është fat të kesh lindur në Shkodër. Nuk është pak të thithësh ajrin që kanë thithur gjenitë shkodranë të artit e të krijimit; të shkelësh nëpër rrugët e rrugicat ku kanë shkelur ata. Kësisoj, ndikimet dhe raportet me ta janë të pashmangshëm. Porse raportet e mia me qytetin tim të lindjes më shumë se thjesht gjeografike a historike, janë marrëdhënie fryme. Siç mund ta dini, unë kam krijuar qytetin tim imagjinar, krahinën time, që e kam quajtur Egobokë; aty gjallojnë personazhet e mi. Dhe natyrisht, Egoboka ka jo pak Shkodër.

Vazhdimisht shohim të  rinj të cilët aspirojnë të shkruajnë dhe pasi botojnë  vetëquhen shkrimtarë. Si do ta cilësonit një fenomen të tillë?

Normal do ta quaja. Sidomos tashti në kushtet e blogjeve a rrjeteve socialë, kur përballemi me lehtësinë e papërballueshme të publikimit (LPP). Le të vetëquhen shkrimtarë! E rëndësishme është të të konsiderojnë të tillë të tjerët. Më sollët në kujtesë botimin tim të parë: një cikël vjershash në revistën e atëhershme “Pionieri”. Duhet të kem qenë diku në klasën e gjashtë apo të shtatë. Mbaj mend sesi atë numër reviste e mbaja gjithkund me vete, ia tregoja gjithkujt dhe veten e quaja shkrimtar. Kurse sot…  Vazhdoj të kem dyshime nëse e meritoj këtë emërtim.

Sipas jush, cilat janë disa nga problemet më të mprehta me të cilat haset letërsia shqipe?

Mendoj se një shkrimtar nuk është personi më i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, qoftë edhe për faktin se është pjesë e kësaj “loje”, domethënë e kësaj letërsie; dhe si i tillë, e ka të vështirë të dëshmohet krejt objektiv. U takon kritikëve e studiuesve të përgjigjen. Megjithatë, po thërras për ndihmë pedagogun te unë dhe po ju jap një përgjigje. Në gjykimin tim, letrat shqipe vazhdojnë ta kenë problem patetizmin (social, nacional etj.), duke iu shmangur kësisoj thelbit (sipas meje) që ka një letërsi serioze: ekzistenca dhe misteri i qenies njerëzore.  Gjithashtu, më trishtojnë edhe rastet e kujdesit të pakët ndaj gjuhës së bekuar shqipe, apo rastet e imitimit nga modele letrare të huaja.

Kritika letrare është mjaft e rëndësishme për zhvillimin e letërsisë, e jo vetëm, por edhe për të orientuar lexuesin. A është ky një problem i madh që lexuesi shpesh nuk orientohet për të zgjedhur librat e duhur?

 

Po, keni të drejtë, kritika letrare lot rol të rëndësishëm për ta orientuar drejt lexuesin. Dhe cilindo shkrimtar shqiptar ta pyesësh, do nisë menjëherë ta vajtojë mungesën e kritikës letrare tek ne. Siç mund të kem bërë edhe unë ndonjëherë. Por, në gjykimin tim, problemi është mjaft më kompleks. Letërsia botërore njeh shembuj të shumtë e të mrekullueshëm kur një shkrimtar i njohur ka zbuluar e promovuar një tjetër të panjohur, pa pritur vëmendjen e kritikës letrare e cila, zakonisht, shquhet për miopi. Ndër ne, kjo ndodh rrallë, tepër rrallë; zakonisht, pas vdekjes së shkrimtarit. Mjafton t’ju sjell në vëmendje rastin e poetit të mrekullueshëm, Frederik Rreshpja. Por dua ta përsëris atë që kam thënë edhe njëherë tjetër: në bindjen time, një kritik i vërtetë ndeshet më rrallë se një shkrimtar i tillë.

Shohim që vëmendja e opinionit dhe lexuesve është përqendruar nga librat historikë dhe librat me kujtime. A po prodhohet më letërsi e mirë në Shqipëri?

 

Po, bëhet letërsi e mirë. Edhe pse, jo rrallë, një letërsi e tillë humbet prejse projektorët e bujës mediatike apo zyrtare orientohen e drejtohen aty ku nuk duket.  E bëj një pohim të tillë edhe për faktin se sivjet, duke qenë anëtar jurie, isha i detyruar të lexoja jo pak autorë shqiptarë. Tekstet e disave prej tyre më befasuan vërtet.

 

Cilat janë disa këshilla që do të jepnit për shkrimtarët e rinj?

 

Këshilla? Kush jam unë të jap këshilla? Kur vetë unë, ndonjëherë, kam nevojë për to. Mandej, kam bindjen se shkrimtarin nuk e bëjnë këshillat. Diçka tjetër e gatuan atë. Përvojat, përplasjet, dështimet, dhimbjet, zhgënjimet, rëniet…  Edhe ri-ngritjet, kuptohet. Nëse dikush ka lindur të bëhet shkrimtar, do të bëhet se s’bën; do t’i gjejë vetë rrugët e orientimet. Edhe në i mungofshin këshillat e ndonjë mjeshtri. Shikoni, shkrimtarët më të shquar botërorë nuk janë produkte shkollash e kursesh krijimtarie, ku jepen mësime e këshilla pa fund rreth zejes së shkrimit. Jo, ata janë diçka tjetër.

 

Jeni duke shkruar diçka për momentin?

Kuptohet që po. Nisur nga fakti që një shkrimtar është në “gjendje pune” edhe kur realisht nuk shkruan. Kam bërë gati një libër me shënime, aforizma e gjendje, të mbajtura prej meje qysh para njëzet vitesh e në vazhdim. Gjithashtu, po përgatis për botim një përmbledhje me drama të shkruara këto dhjetë vitet e fundit. Them se këto dy botime do të dalin në dritë vitin e ardhshëm.

Intervistoi: Sidorela Lepuri