Gjoba dhe burg biznesit hajdut

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi dje ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore. Veç lehtësirave në procedurat e gjobave dhe uljen e tyre, ndryshimet e reja parashikojnë masa më të ashpra për bizneset që shkelin ligjin. Kështu, administratorët e bizneseve që nuk regjistrojnë punonjësit, si dhe ato biznese që nuk mbajnë kasë fiskale do të paditen penalisht. Siç deklaroi ministri i Financave, Shkëlqim Cani, këto masa ekstreme do të merren në rastet kur rezulton se shkeljet janë të përsëritura. "Dikush që e bën për herë të tretë, të katërt, të pestë, natyrshëm që kemi të bëjmë me raste i cili nuk është më një gabim teknik; nuk është më një gabim që erdhi qoftë edhe për nga një logjikë e caktuar, por është një gabim, i cili vjen i qëllimshëm e kuptohet dhe që ndaj këtij elementi ne themi që do të shkojë deri tek masat penale", – tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Ndryshimet e bëra dje në ligjin për procedurat tatimore tregojnë se qeveria ka vendosur të përdorë “kulaçin” dhe “kërbaçin” ndaj bizneseve. Nga njëra anë, janë miratuar ndryshimet në ligj për uljen e gjobave, gjë që do të thotë se për shkeljet që bëhen ndërkohë, administrata tatimore nuk do ta ketë më dorën e rëndë duke vendosur shifra marramendëse. Mesatarisht janë përgjysmuar një pjesë e gjobave që vendoseshin deri më sot. Por krahas kësaj, administratorëve të bizneseve u shtohet ndjekja penale, pra burgu, për rastet kur shkelje janë të përsëritura. Vendimi i marrë dje duket një detaj i parëndësishëm në morinë e ligjeve që janë ndryshuar nga të gjitha qeveritë në vend. Por efektet e këtij vendimi pritet të ndryshojnë situatën në të cilën ndodhet biznesi sot. Mes mijëra bizneseve dhe kompanive që operojnë sot në treg, problematika më e madhe është ajo e regjistrimit të punonjësve. Kompani që kanë me qindra punonjës, por edhe kompani modeste, shkelja kryesore që bëjnë është mosdeklarimi i punonjësve. Dhe kjo është e palejueshme, bile kriminale, ndaj duhet dënuar. E vendimi i djeshëm në këtë pikë duhet përshëndetur, pasi vlon puna në të zezë, ku punonjësit nuk sigurohen. Në këtë mënyrë, shmangin jo vetëm taksat, por heqin nga lista e sigurimeve me mijëra punonjës. Shkelja e dytë që bëhet është ajo me kuponat tatimorë dhe përdorimi i kasës fiskale. Edhe pse i vendosur me ligj prej disa vitesh përdorimi i kasës fiskale për bizneset, një nismë e tillë rezulton se nuk zbatohet ende. Fshehja e të ardhurave në këtë mënyrë, krijon edhe shmangien e tatimeve dhe shifrave të sakta për fitimin e kompanive. Si me kasat, ashtu dhe me regjistrimin e punonjësve, bizneset në vend krijojnë një gropë të madhe në buxhetin e shtetit. Metoda e gjobave ka funksionuar vetëm përgjysmë deri më sot. Janë të panumërta rastet kur bizneset arrijnë të gjejnë hapësirat ligjore, si dhe “miqtë” e duhur për të anuluar apo zbutur gjobën. Vendimi për hyrjen e këtyre shkeljeve në listën e abuzimeve dhe që tani mund të ndiqen penalisht, pritet të ndryshojë situatën. Jo se bizneset nuk do të kenë mundësi të gjejnë sërish “miqtë”, por impakti që do të jepet në publik është shumë herë më i madh. Njëlloj si në rastin e aksionit të energjisë, arrestimet dhe masat e ashpra bënë që shumë prej qytetarëve dhe bizneseve të dynden drejt sporteleve për të paguar energjinë elektrike. Një masë e tillë është mëse e nevojshme, duke parë se një pjesë e biznesit në vend funksionon ashtu si dhe në rastin e vjedhjes së energjisë. Kush ka pasur mundësi ka fshehur numrin e punonjësve dhe po ashtu të ardhurat për t’iu shmangur tatimeve. Një situatë e tillë në biznese ka hequr mundësinë që kompanitë të operojnë në mënyrë të ndershme. Ka mjaft biznese serioze në vend që konkurrojnë në treg në mënyrë të ligjshme, paguajnë taksat dhe respektojnë ligjet. Nga ana tjetër, biznese me shkelje, me fshehje faturash dhe pa numër të deklaruar punonjësish hyjnë në garë dhe konkurojnë në mënyrë të padenjë mijëra biznese të tjerë. Nëse u shtojmë këtyre problemeve dhe klientelizmin politik të një pjese të bizneseve, kjo çon në garë të pabarabartë dhe dëmi më i madh që mund t’u bëhet biznesit në vend. Propozimi i djeshëm mund të duket i ashpër, por është e vetmja mënyrë për të vendosur rregulla.

Nëse do të paguanin të gjithë, si edhe të vendosnin kasa fiskale buxheti i shtetit do të ishte i plotë, por edhe numri i të punësuarve do të rritet se detyrohen me këtë shtesë ligji që të deklarojnë të punësuarit, pra t’iu paguajnë Sigurimet Shoqërore. Ka shumë biznese, edhe të mëdha, që nuk paguajnë Sigurimet Shoqërore duke punësuar në të zezë mijëra vetë, ndaj kjo duhet dënuar, edhe me burg. Por qeveria duhet të ndihmojë bizneset që jo vetëm të zbatojnë ligjin, qoftë edhe me burg, por pikësëpari duke u ulur disa taksa jetike. Ka nevojë që partneriteti qeveri-biznes të jetë permanent dhe i sinqertë e jo me fushata. Gjithsesi, ajo çka kërkon qeveria të bëjë me biznesin ilegal apo që fsheh punonjësit, ka nevojë për inkurajim që të mbështetet nga publiku, sepse nëse e zbaton në mënyrë jo seleksionuese, atëherë ligji vendoset kudo e mbi këdo.

Ka nevojë edhe për një masë shtesë që duhet të marrë qeveria me këto vendime të cilat janë të drejta në thelb, por duan dhe pak burgje të reja, e mundet që një pjesë e buxhetit që do arkëtohet nga mospaguesit e taksave të përfundojë tek burgjet.