Misioni i Ri i Isa Mustafës

Asnjë koalicion nuk është i pamundur në politikë, për më tepër mes PDK dhe LDK që nuk e kanë për herë të parë. Ajo që është e veçantë këtë herë, ka të bëjë me faktin se me nënshkrimin e marrëveshjes me Thaçin, Isa Mustafa ka nënshkruar njëkohësisht edhe fundin e kauzës së tij politike. Pa ndonjë tipar të veçantë lidershipi, ylli i Mustafës u ngjit me shpejtësi në politikën kosovare falë një qëndrimi të fortë parimor për t’i dhënë fund koalicionit të atëhershëm PDK- LDK. Nga këshilltar i rezervuar i kryetarit të atëhershëm Fatmir Sejdiu, Mustafa u vendos në vijën e parë të LDK duke predikuar atë që dëshironin shumica e votuesve të LDK, shkëputjen nga qeverisja me Thaçin dhe ringjalljen e partisë së dikurshme të Ibrahim Rugovës. Me ktë kartë morale, Mustafa fitoi zgjedhjet në Prishtinë në vitin 2009 duke i shpëtuar nderin LDK dhe brenda një kohe të shkurtër siluroi Fatmir Sejdiun duke e mposhtur qartë në garën për kreun e partisë. “Profa” diti të shfrytëzojë në maksimum frustrimin e lëdëkëistëve nga dominimi i Thaçit, pakënaqësinë ndaj disa zyrtarëve të LDK që përfitonin nga ndarja e pushtetit me PDK dhe me moton: Kurrë koalicion me Thaçin, e mundi ish shefin e tij, Fatmir Sejdiun. Falë këtij morali politik dhe predikimit se më mirë në opozitë se sa të ndajë pushtet me PDK, Mustafa fitoi simpatinë e mediave dhe u pa si një mundësi për të bërë një ndryshim kualitativ në politikën e Kosovës. Të shumtë ishin ata që i dhanë mbështetje, përfshi edhe autorin e këtyre radhëve.

Marrëveshjen e re me Hashim Thaçin, unë nuk e shoh as si tradhëti ndaj votuesve të LDK e as si pabesi të Isa Mustafës. Eshtë thjesht pranimi de jure i asaj që prej kohësh po ndodhte de facto. Isa Mustafa nuk mundi të shndërrohej në liderin e ndryshimit të munguar. Nuk arriti të reformojë LDK, humbi Prishtinën, nuk e mundi dot Hashim Thaçin në zgjedhje. Dhe sot pranoi kapitullimin e misionit të tij, duke bërë atë që kishte bërë edhe paraardhësi i tij. Përqafimin me atë që edhe në zgjedhjet e fundit doli i pari. Thaçi, si fitues i zgjedhjeve parlamentare, nominoi Isa Mustafën si kryeministër dhe ky pranoi. Këtu merr fund historia për një lider dhe nis përditshmëria e një politikani.

Ata që mund të ndihen të lënduar apo të zhgënjyer me zgjedhjen e Mustafës, problemin e kanë me veten. Kreu i LDK vërtet i nxorri si idiotë politikë Albin Kurtin e Ramush Haridnajn që “lidhën besa- besë” për një qeveri anti Thaçi, por edhe ata vetë deshën të besojnë në diçka që e dinin se nuk mund ta besonin. Në qëndrueshmërinë e Isa Mustafës. Një opozitë që nuk arriti një koalicion parazgjedhor pikërisht prej paaftësisë së Mustafës, shpresonte të bënte një qeveri si bashkim i humbësve. Mustafa premtoi, nuk e bëri, por nuk dështoi. Dështuan ata që besuan premtimin.

Sigurisht që edhe për Isa Mustafën nuk ka qenë e lehtë të mbërrijë deri në këtë pikë. Ndoshta edhe ai ka qenë në ngërç mes dëshirës për t’u bërë lider dhe interesit për të qenë kryeministër. Ky ngërç shpesh e ka bërë edhe nervoz. Madje njëherë, nga nervozizmi besoj dhe jo nga keqdashja, duke iu përgjigjur një intervistës time në Express ku thoja se blloku opozitar duhet të mendojë për zgjidhje dhe jo për t’i gjetur një vend pune Isa Mustafës, ky i fundit shkruante: “Ai mund të merret me punë të tjera në Shqipëri, sepse nuk është korrekte që nga atje të mendoj të më gjej punë në Kosovë”. Në fakt punën në Kosovë nuk mund t’ia gjeja unë, atë ia gjeti Hashim Thaçi. Mustafa mund të vuajë me vete fatin e tij, të atij që niset për të bërë histori por përfundon duke e përsëritur atë, por ky është një realitet që tashmë duhet ta pranojë.

Kontradikta mes dëshirës dhe mundësisë, ndoshta e shtynte Mustafën të mallkonte Thaçin, të deklaronte se kurrë nuk do të mbante PDK në qeveri, se do të bënte gjithçka për një qeveri të bllokut opozitar, etj. Ndërsa realiteti duhet t’i ketë mësuar se nuk mund të arrish gjithçka duke mallkuar e përjashtuar, se duhet lënë gjithnjë një derë hapur kur nuk je në gjendje të hapësh vetë një rrugë, se kur i humbet zgjedhjet duhet ta respektosh fituesin, se Hashim Thaçi, e hidhur ose jo, në politikë është “profë” për “Profën”. Erdhi historia në atë pikë që sot Isa Mustafa është në krah të Hashim Thaçit, kryeministër me votat e tij, aleatë në qeverisje. Prandaj kurrë nuk thuhet kurrë në politikë, aq më pak kur nuk ke staturën e liderit të vendimeve të mëdha. Thaçi i fitoi zgjedhjet, nuk tha asnjëherë kurrë, nuk tha asnjëherë vetëm unë, u tregua i gatshëm të flasë me të gjithë, i sigurtë se një ditë do të trokisnin në portën e tij. Ky është një leksion për Profën, që tashmë po bëhet kryeministër nga njeriu me të cilin nuk pranonte të ulej në tryezën e negociatave. Ironia e fatit, falë Thaçit (duke e sulmuar atë) u bë kryetar i LDK, falë Thaçit tentoi të shpëtonte fytyrën pas humbjes në zgjedhje (duke shpikur VLAN) dhe falë Thaçit tashmë e ka një vend pune. Do të jetë kryeministër me votat e PDK pasi me ato të LDK nuk e arriti dot. Hashim Thaçi i siguroi partisë së tij një tjetër mandat në qeveri, ndërsa Isës i ngarkoi Misionin e Ri. Misionin e vjetër, atë të liderit që do ta pavarësonte LDK nga PDK, Isa Mustafa e mbylli edhe me letra bashkë me marrëveshjen për kryeministër.

Lapsi.al