Blendi Fevziu: Rama nuk bëri ndonjë heroizëm në Beograd

E para Kryeministri i Shqipërisë nuk ka bërë asnjë gjest provokues në Beograd. Rama nuk i përmendi publikisht Vuçiçit as thirrjet anti shqiptare në stadium një muaj më parë, as deklaratat e tij të absurde mbi Shqipërinë e madhe, as masakrat ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe as luftrat në Ballkan që kanë nisur pikërisht në Beograd! Të gjitha këto mund të perceptoheshin si një provokim, edhe pse janë të vërteta të njohura tashmë nga të gjithë. Por ajo që bëri kryeministri i Shqipërisë, nuk kishte asgjë të tillë. Përmendja e Kosovës dhe deklarimi se është një realitet i njohur nga 108 vende dhe nga Gjykata Ndërkombëtare është një e vërtetë dhe një e vërtetë që s’e kontenston dot askush. Nuk është opinion, nuk është koment, por është thjeshtë një fakt! Ka dhjetra personalitete që ja kanë thënë këtë Presidentit Nikoliç, Kryeministrit Daçiç apo Vuçiçit vetë. Fakti që u tha në Beograd, në një konferencë shtypi në pallatin qeveritar nuk e bën as më të zezë as më rozë. Është thjeshtë një gjë që ka ndodhur dhe kaq. Reagimi i Vuçiçit, përmendja e fjalës provokacion apo dramaciteti që i dha duke e konsideruar një ulje koke për gjithë serbët, ishte më shumë se sa marrëzi. Mospërkthimi nga televizioni serb i deklaratës e bën edhe më absurd këtë qëndrim. Ajo të bën të besosh se Serbia jeton ende në një kullë të mbyllur dhe s’guxon të zgjasë kokën në dritare për të parë realisht atë që ndodh jashtë saj. Do të ishte mirë ta bënte këtë, për të kuptuar që Kosova është aty, që vendet fqinjë kërkojnë marrdhënie normale dhe askush në botë nuk është përfshirë në një përbetim antiserb. Thjeshtë kjo është pasoja e izolimit që solli Millosheviçi dhe paranoja që e mbajti atë në pushtet për 2 dekada duke rrënuar Serbinë!

A mund ta shmangte Rama përmendjen e Kosovës dhe a mund të bënte ai sikur ajo s’ishte aty! Po, mund të bënte edhe këtë, por cila do ishte vlera në këtë rast? Dy vendet duhet të ndërtojnë një marrëdhënie të re, jo duke bërë sikur s’ekzistojnë problemet e së shkuarës, por duke i njohur dhe duke u ngritur mbi to! Pra Serbia duhet ta kuptojë që Kosova është një realitet dhe shqiptarët ta kuptojnë që marrëdhëniet normale me Serbinë janë garanci shumë e rëndësishme për të pasur një të ardhme më të mirë. Nëse njëra nga palët bën sikur s’e sheh këtë, kjo është një gjë pa kuptim.

Nuk jam dakort me histerinë e rrjeteve sociale mbi “heroizmin” apo “trimërinë” në Beograd. Nuk besoj se Rama ka bërë ndonjë gjest heroik, nuk besoj se ai është nisur në Beograd nën trysninë se ishte në garë me Lorik Canën, Andi Lilën apo Granit Xhakën për atë që ata bënë në Stadium në 14 tetor. Edhe pse besoj se klima e ndezur që prodhoi ndeshja Serbi – Shqipëri ka shënjuar thellë marrëdhëniet mes dy vendeve. Dhe kam frikë se kjo shenjë do vijojë ende për një kohë të gjatë. Nëse kjo vizitë do ishte bërë në një tjetër kontekst do të kishte pasur tjetër pritshmëri. Me gjasë edhe Kryeministri Serb nuk do të kishte ndenjur me veshët përpjetë për të gjetur “provokimin” dhe as do të qarravitej se po i ulnin kokën në mes të Beogradit. Thjeshtë do të thoshte: ne mendojmë ndryshe dhe vizita do vijonte normalisht.

Vizita nuk solli gjë në raportet mes dy vende. Mbase i ndezi ato më shumë. Në këtë shikim mund të ishte edhe një dështim! Por a na duhen kaq shumë marrëdhëniet mes dy vendeve, kur së paku njëra nga palët, e në këtë rast serbët, kanë frikë të dëgjojnë ose quajnë provokim diçka që është vërtet një realitet? E dëgjova Kryeministrin Serb të thoshte se Kosova është Serbi! Do ta kisha pyetur atë, nëse Kosova është Serbi, përse ai dhe anëtarët e tij të qeverisë kërkojnë leje nga Kryeministri Thaçi për të hyrë në Kosovë, qoftë edhe për të vizituar një manastir? Marria e deklaratës së Vuçiç qëndron edhe në pamundësinë e tij për ta zbatuar atë! Nëse duam marrëdhënie të mira, nëse duam një sjellje të vërtetë europiane, le ta nisim duke e pranuar këtë realitet që është dhe duke tentuar të ndërtojmë ura bashkëpunimi, kryesisht ekonomike, për të cilat kemi kaq nevojë. Por nëse Kryeministri Serb përsërit 5 herë fjalën provokim; nëse shfaqet dukshëm demode në qëndrimet dhe sjelljen e tij, nëse e quan të gjithën këtë “ulje kokë në mes të Beogradit” s’ka asnjë dyshim që kjo i bën shqiptarët të ndihen krenarë. Jo sepse kanë bërë diçka heroike, por sepse e kanë kuptuar, që thjeshtë realiteti, e vërteta, e bën politikën serbe të ndihet kokëulur, pikërisht në Beograd!