Nishani: Ligj organik për Presidentin

Një ligj i tillë, si dhe reformimi i kuadrit ligjor në kuadër të reformës në drejtësi mund të ishte një zgjidhje përballë përplasjes ndërinstitucionale, veçanërisht lidhur me dekretet e anëtareve të Gjykatave, siç po ndodh me Gjykatën e Lartë.
Presidenti ka qenë në proces të vazhdueshëm konsultimesh, lidhur me guvernatorin e ardhshëm të Bankës së Shqipërisë. Do të finalizohet dhe me takimet në prag me Edi Ramën, Ilir Metën dhe Lulzim Bashën
Kreu i shtetit foli edhe për emërimet e ambasadorëve, pakënaqësitë e mazhorancës ndaj tij. Por, sipas Nishanit përfaqësimi ynë diplomatik ka dhe probleme të tilla, si mungesa prej muajsh e një emri për ambasador në Izrael. 
Apo përfaqësimi në Vatikan me të ngarkuarin me punë, Ardian Ndreca, kandidat që kreu i shtetit nuk e pat aprvuar për ambsador. 

Presidenti mendon se konsultimi mes qeverisë dhe tij për ambasadrët, edhe pse ligji nuk e detyron diçka të tillë, do të ishte një proces i shëndetshëm emërimi.Zhvillimet janë të shumta qoftë në politikë, qoftë në atë çfarë ndodh në vend, megjithatë kemi diçka që presim nga ju së afërmi është pikërisht emri i Guvernatorit të ri. Kur do ta kemi këtë emër. Kryeministri ka qenë në zyrën tuaj tre herë lidhur me këtë. A kemi një akord mes jush, mes Presidentit dhe Kryeministrit lidhur me emrin e Guvernatorit apo janë diskutuar vetëm kriteret? Si do të kemi një emër dhe një përzgjedhje nga ana juaj duke pasur parasysh se keni shpallur konkursin dhe një sërë emrash kanë aplikuar?

 

Presidenti Nishani: Procedura është mjaft e qartë në Kushtetutë, kriteret janë gjithashtu të qarta në ligj. Nuk ka arsye apo nevojë për procedura ekstra kushtetuese apo ekstra ligjore. Unë edhe herë të tjera e kam bërë me dije për të qartësuar dhe për të informuar opinion publik, pasi çështja e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ishte një çështje që erdhi në mënyrë të panatyrshme në vëmendjen e opinionit publik dhe në realitetin institucional shqiptar. Në kontekstin e zbatimit të Kushtetutës dhe prospekt të ligjit, Presidenti i Republikës si autoriteti i vetëm kushtetues që do të propozojë emrin e Guvernatorit, është thellësisht dhe realisht i angazhuar me seriozitetin maksimal në këtë proces. Kam përcjellë tek opinioni publik një kërkesë për të marrë shprehje interesash nga individë të ndryshëm dhe kjo ka pasur një dhe vetëm një qëllim për ta pasur si një ndihmë të shtuar të marrjes së informacionit dhe të njohurive mbi kapacitetet që ne kemi, për të shkuar më pas drejt kandidaturës më të mirë të mundshme, kuptohet, së pari brenda kuadrit kushtetues, kriteret e këtij ligji, por edhe parametra më të mirë përsa i takon çështjes së profesionalizmit dhe integritetit, që është një dimension më i gjerë për kandidatin apo kandidaten që do të drejtojë Bankën e Shtetit shqiptar. Të gjitha takimet kanë qenë takime konsultuese kryesisht rreth situatës të krijuar në Bankën e Shqipërisë. Mendoj se gjithësekushi dhe çdo institucion është i qartë në lidhje me përcaktimet kushtetuese dhe tagrin kushtetues të çdo institucioni tjetër dhe mbetem besimplotë që kjo do respektohet nga çdo lloj pushteti dhe institucioni tjetër në vend. Është një proces, i cili do të konkludohet së shpejti. Unë kam pasur një informacion të bollshëm mbi kapacitetet që ne kemi për drejtimin e Bankës së Shtetit shqiptar. Kam parashikuar që ditën e enjte të thërras për konsultë Kreun i Parlamentit, Kreun e Qeverisë dhe Kreun e opozitës.

Gazetarja: Në takime të veçanta apo…?

Presidenti Nishani: Në takime të veçanta për të konsultuar pikërisht standardet dhe kriteret më të mira të mundshme për të vajtur tek emri kurorëzues që vetëm Presidenti do t’ia propozojë më pas Parlamentit. Kjo konsultë ka pikërisht këtë qëllim që, Presidenti t’i adresohet Parlamentit me një emër, i cili të gjejë dhe të marrë mirëkuptimin dhe besimin e Parlamentit. Pra për të mos e futur procesin në një ngërç të panevojshëm. Jam plotësisht i motivuar që të shkojmë tek kandidati më i mirë i mundshëm dhe unë besoj se janë të gjitha potencialet që midis njerëzve që ne kemi, të cilët edhe janë ofruar përmes prezantimit të eksperiencave të ndryshme që kanë pasur dhe kanë në çështjet e sistemit fiskal, bankar e kështu me radhë, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë në mënyrë të tillë që edhe Banka e Shtetit shqiptar të marrë zyrtarisht Guvernatorin e ri në krye të punëve të saj.

Gazetarja: A shkon kjo procedurë e juaja në mënyrë komplementare dhe me propozimin nga qeveria e një anëtari për Këshillin Mbikëqyrës ndërkohë që dhe Parlamenti ka hapur procedurën për zgjedhjen e dy anëtarëve të tjerë apo ju, siç e keni shprehur që, tashmë Kushtetuta nuk jua detyron që Guvernatori të jetë brenda radhëve të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës do të vazhdoni të përzgjidhni emrin tuaj pas këtyre konsultimeve?

Presidenti Nishani: Të drejtat dhe detyrimet qoftë të Këshillit të Ministrave, qoftë të Parlamentit për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë janë gjithashtu të përcaktuara në ligj. Është një çështje tërësisht e sovranitetit dhe së drejtës të këtyre institucioneve për të përmbushur dhe ata detyrimet që kanë në raport me ligjin dhe kjo nuk ka asnjë lloj lidhje dhe nuk ka ndikim tek vendimet e Presidentit të Republikës për të ushtruar Presidenti i Republikës të drejtat dhe tagrin e tij kushtetues.

Gazetarja: Sa besimplotë mund të jemi tek ky proces duke pasur parasysh që pikërisht tek këto çështje ku kërkohet konsensus, kompromis mes institucioneve kemi vënë re që mungon: kemi rastin e Gjykatë së Lartë ku, mos gabohem, pesë herë radhazi janë rrëzuar dekretet tuaja dhe Gjykata e lartë praktikisht është e bllokuar për shkak të vendeve vakante që ndodhen prej kohësh aty. Kemi dhe rastin e fundit kur u kthyen dy dekretet tuaja ndërkohë që vetë mazhoranca, përfaqësues të saj e kanë ndjerë veten si të rënë në kurth për shkak të emrave ‘të shkëlqyer’ thonë ata ‘që na keni dërguar, por nuk keni ndjekur procedurën’. Do të ndryshoni diçka në procedurën për zgjedhjen e anëtarëve në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të kemi një zgjidhje të kësaj situate?

Presidenti Nishani: Zgjidhja është fare e lehtë. Çdo institucion të respektojë Kushtetutën jo vetëm frymën, por dhe germën e saj. Të respektojë ligjin dhe të respektojë pushtetet e tjera. Kam qenë i motivuar dhe i angazhuar dhe i investuar në sjelljen institucionale në respekt të plotë jo vetëm të së drejtës që kam si Presidenti i Republikës, por dhe në respekt të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore të vendit, në rastin konkret, madje dhe të interpretimeve dhe sqarimeve të Gjykatës Kushtetuese të kërkuara posaçërisht për të shmangur këtë dualizëm apo këtë ngërç midis institucioneve në zgjedhjen apo emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Dhe jam plotësisht i qetë në ndërgjegjen time institucionale dhe njerëzore dhe për punën korrekte dhe sjelljen institucionale që kam ofruar në rastin e zgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Fakti që ka pasur qëndrim deklarues publik nga ana e Parlamentit që kandidatët e propozuar nga Presidenti kanë përmbushur plotësisht kriteret e ligjit tregon dhe afirmon këtë që unë thashë deri më parë në lidhje me sjelljen institucionale të Presidentit të Republikës. Nuk mund të ndryshojë sjellje as Presidenti dhe askush tjetër përsa kohë është i detyruar pikërisht nga ajo që unë përmenda si infrastruktura kushtetuese ligjore e vendit, që orienton mënyrën e sjelljes institucionale dhe detyron këtë sjellje nga Presidenti, nga Qeveria, dhe Parlamenti dhe çdo institucion tjetër në këtë vend. Jam përsëri i angazhuar maksimalisht dhe mjaft i vendosur për të vijuar respektimin e këtyre përcaktimeve kushtetues ashtu siç nuk do të ndaj të drejtën dhe tagrin tim kushtetues me asnjë institucion tjetër, ashtu siç nuk kam kërkuar të marr tagrin kushtetues të asnjë institucioni tjetër. Në të kundërt, do të kalojë në një kaos ndërinstitucional dhe paqartësi kushtetuese dhe krijimin e problemeve të panevojshme të tjera për vendin dhe në tërësi për kulturën juridike dhe institucionale të vendit. Kështu që, unë besoj që nëse të gjithë fillojnë dhe  kuptojnë se jo vetëm parimet bazë të demokracisë që janë: ndarja, kontrolli dhe balancimi i pushteteve, por dhe parimet themelore të kolonës së një shteti që janë përcaktimet e mënyrës se si duhet të veprojë çdo institucion nga ana e Kushtetutës dhe ligjit janë të vetmet sjellje që duhet të respektojmë, unë besoj se konsensusi në mënyrë mjaft të thjeshtë gjendet dhe zgjidhjet vijnë atje, tek institucionet që përcaktohen si institucione që duhet të bëjnë zgjidhjen përkatëse. Kështu që, dhe në rastin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë unë besoj që, si dhe në rastet e tjera, unë përsëri mbetem në besimin që do të kuptohet përfundimisht se sa e rëndësishme është respekti reciprok në raportin institucional në vend.

Gazetarja: Pra, me pakë fjalë mazhoranca duhet të kuptojë që ajo nuk mund të caktojë emrat nga lista juaj që t’i dërgoni më pas në Kuvend?

Presidenti Nishani: Natyrisht, nëse do të kishim një rast të tillë kur mazhoranca do t’i thoshte Presidentit – ‘ky është emri që duhet të sjellësh’ – atëherë ka rënë integriteti, në radhë të parë, i Institucionit të Presidentit të Republikës. Së dyti, është çmontuar Kushtetuta e vendit. Dhe së treti, është bërë “de facto” e kundërta e asaj e cila është përcaktuar “de jure” në legjislacionin e vendit.

Gazetarja: Përpjekjet e para për një reformë në drejtësi sapo kanë nisur, në fakt ka shumë vite që flitet për një reformë në drejtësi, tashmë po flasim përsëri për atë ndërkohë që ju zhvilluat një tryezë më 6 tetor dhe patëm së fundmi një tryezë të organizuar nga Ministria e Drejtësisë me përfaqësues nga të gjitha krahët e politikës, por dhe nga përfaqësues të institucioneve të drejtësisë. Si e patë këtë tryezë? A kishte diçka ndryshe nga ajo e 6 tetorit apo palët ishin aty ku ishin edhe më përpara?

Presidenti Nishani: Procesi i nisur është pozitiv. Përsa kohë kemi një nisje të një rruge të një rruge të caktuar është gjithmonë pozitive dhe me shpresë. Ajo që është kryesore në reformën në drejtësi, pasi nuk vihet në dyshim domosdoshmëria dhe nevoja në realizimin e saj, por kryesorja është në ekzistencën e vullnetit. Nëse nuk ka vullnet real, nuk kemi për të realizuar një reformë reale në sistemin e drejtësisë. Prandaj, unë do të vazhdoj të këmbëngul në atë që ka të bëjë me shprehjen reale dhe implementimin e vullnetit për të pasur dhe realizuar reformën në sistemin e drejtësisë. Reforma në sistemin e drejtësisë natyrisht që ka aktorë të ndryshëm, por nuk është një produkt, i cili i shërben një institucioni të vetëm, përkundrazi, i shërben asaj që themi ne, në mënyrë të përditshme, shtetit shqiptar, shtetit të së drejtës, shoqërisë shqiptare, domethënë qytetarëve shqiptarë, por kjo do t’u shërbejë në kuptimin afatgjatë të kohës. Unë e kam shprehur në kohë të tjera që, nëse do të jemi të suksesshëm në reformën në drejtësi, e ardhmja e Shqipërisë do të jetë e suksesshme. Nëse do të jemi të pasuksesshëm dhe do të bëjmë gabime në reformën në sistemin e drejtësisë kemi dëmtuar drejtpërdrejtë të ardhmen e Shqipërisë, të ardhmen e vendit. Kështu që, në këtë kontekst, unë mendoj që tryeza e Presidentit të Republikës me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve, qoftë vijimi për shkak të  rekomandimit që doli nga kjo tryezë, i tryezës së Ministrisë së Drejtësisë, janë hapa pozitivë por ende nuk ka të jetësuar atë që unë thashë me vullnetin për të realizuar reformën në drejtësi. Do ta shikoj të jetësuar këtë vullnet kur të shikoj një platformë konkrete dhe një plan veprimi konkret, i cili do të përkthejë në terma konkret në legjislacion dhe në mënyrën se si do të reflektohet dhe ndërhyhet në legjislacion, në infrastrukturë dhe në gjithçka tjetër në mënyrë dhe terma konkretë në mënyrë që qytetari shqiptar ta shohë dhe ta kuptojë se çfarë do të thotë dhe çfarë do të bëhet me reformën në drejtësi. Institucionet e vendit të shikojnë se çfarë do të bëhet me këtë reformë dhe çfarë angazhimesh ata duhet të marrin dhe kur partnerëve ndërkombëtarë t’u kërkohet eksperiencë dhe ekspertizë konkrete dhe çështje konkrete. Pra, kjo mund të jetë reforma në drejtësi dhe gjithsesi besoj që i ka mundësitë për të përparuar.

Gazetarja: A duhet të preket edhe Kushtetuta? Mazhoranca këtë ka shpallur si qëllim kryesor për të zgjidhur ngërçin në Gjykatën e Lartë, për t’i dhënë fund ndoshta edhe polemikave mbi Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për të parë se si mund të funksionojnë me ndryshimet ligjore ndoshta edhe Gjykata Kushtetuese. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, por edhe Ministri i Drejtësisë folën së fundmi për ndryshim të Kushtetutës, për rishikim të ligjeve organike. A jeni ju për një rishikim të Kushtetutës? Dhe një nënpyetje e kësaj: A ka nevojë edhe Institucioni i Presidentit për një ligj organik?

Presidenti Nishani: Çështja e ndërhyrjes në Kushtetutë është një çështje që i takon debatit politik dhe palëve politike dhe asesi e Presidentit të Republikës. Kështu që duke qenë se është një çështje që i takon tërësisht këndvështrimit, marrëveshjes dhe konsensusit politik midis aktorëve politikë. Presidenti i Republikës nuk mundet të ndërhyjë në këtë debat politik. Dhe unë nuk do të bëj një hap të tillë për t’u përfshirë në debatin politik për çështje që i takojnë plotësisht politikës dhe aktorëve politikë të vendit.

Çështja e ligjit për Presidentin e Republikës është prej kohësh një domosdoshmëri dhe për fat të keq Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, madje edhe shteti më i ri i saj, Kosova, e ka tashmë një ligj për Presidentin e Republikës. Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka një ligj të tillë. Prej më shumë se një vit e gjysmë është depozituar në Ministrinë e Drejtësisë një projekt nga një grup pune i udhëhequr nga përfaqësues të Kabinetit të Presidentit të Republikës për ligjin për Presidentin e Republikës. Ky projekt me sa di unë ka mbetur në sirtarët e Ministrisë së Drejtësisë. Është një nevojë, një domosdoshmëri për të harmonizuar mënyrën e funksionimit ndërinstitucional të Institucionit të Presidentit të Republikës, statusin e Presidentit të Republikës dhe natyrisht qartësimin e atyre të drejtave dhe tagrin kushtetues që ka Presidenti i Republikës në përmbushje të misionit të Kreut të Shtetit shqiptar.

Gazetarja: Ju jeni shprehur në një intervistë televizive, në përballjen me analistët në mos gaboj, që pavarësisht se nuk është domosdoshmëri ligjore që e kërkon ligji, për një nevojë të konsultimit të Presidentit, ose nga ana e ekzekutivit, të Ministrit të Jashtëm, të Kryeministrit me Presidentin lidhur me ambasadorët duke pasur parasysh që herë pas here zvarritet dërgimi i ambasadorit në një vend apo kthehet mbrapsht. Ndoshta ky proces konsultimi do të zgjidhte ngërçe të tilla. A ia keni shprehur këtë ide Kryeministrit apo Ministrit të Jashtëm apo nuk e keni çuar më tej këtë ide, këtë nevojë të konsultimit për t’u dhënë fund ndoshta edhe hatërmbetjeve të qeverisë ndaj jush lidhur me disa prej ambasadorëve që ka propozuar ajo?

Presidenti Nishani: Nuk besoj që institucione të tjera përveç Presidentit të Republikës mund të kenë hatërmbetje, në qoftë se do të flisnim për hatërmbetje. Pasi me të vërtetë, i vetmi institucion që është cenuar në këtë proces nga pikëpamja formale, është ai i Institucionit të Presidentit të Republikës dhe askush tjetër. Gjithsesi këto janë çështje që nuk ndikojnë në sjelljen institucionale të Presidentit të Republikës. Konsultën paraprake mes Presidentit dhe qeverisë e kam konsideruar gjithmonë si një domosdoshmëri për të parandaluar çdo problematikë të panevojshme që mund të vijë si rezultat i këndvështrimeve dhe gjykimit të ndryshëm nga këto institucione të asaj çka ka një përfaqësues i shtetit shqiptar, siç është ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i vendit, duhet të përfaqësojë dhe të prezantojë. Nuk është realizuar deri më tani. Natyrisht që edhe nga ana e Presidentit do të ketë reflektime më pas, pasi nuk mund të pranojë më vijimin e një praktike të tillë të emërimit pa konsulta. Për më tepër duke pasur parasysh që tashmë ka një tejkalim edhe të atij që është parashikuar në ligj përsa i takon çështjes së diplomatëve të karrierës dhe përfaqësuesve politikë. Kam konstatuar të njëjtin shqetësim edhe nga Komisioni i Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë. Por besoj që duhet të çojmë drejt zgjidhjes në mënyrë praktike objektivat tona. Ka pothuajse gati një vit, tani po mbushet, që është liruar me propozim të qeverisë ambasadori ynë në Izrael dhe ende nuk ka një propozim për emërimin e ambasadorit të ri të Shqipërisë në Izrael, në një kohë që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit – mora si shembull këtë rast, – janë intensifikuar dhe vazhdojnë të intensifikohen më shumë, veçanërisht në fushën e shkëmbimeve tregtare, ekonomike, kulturore. Pra nëse në ndonjë rast Presidenti i përgjigjet menjëherë propozimit, atëherë nuk ka asnjë justifikim tjetër që të mbetet vakant për një kohë të gjatë vendi i një ambasadori për shkak se mungon propozimi për emërimin e ambasadorit. Duhen parë në kontekstin e një lloj sjelljeje institucionale sa më shumë racionalë që të jemi dhe komplementare ndërmjet institucioneve vendimmarrëse në procese të tilla. Fola për rastin e ambasadorit, por mund të flas për raste që lidhen me çështje të ndryshme të funksionimit të shtetit.

Gazetarja: Çfarë mendoni, çfarë ju shkon ndërmend kur një emër që ju nuk e keni “bekuar” si ambasador siç është ai i Ardian Ndrecës, emërohet nga qeveria si i Ngarkuar me Punë në Vatikan?

Presidenti Nishani: Këto janë çështje që i takojnë qeverisë, por unë nuk mund të pranoj asesi që niveli i përfaqësimit në Vatikan të jetë në nivelin e të ngarkuarit me punë. Kjo është e papranueshme për shkak jo vetëm të objektivave dhe marrëdhënieve që ka Shqipëria me Vatikanin. Ne patëm si vend dhe si komb një nder të veçantë me vizitën e fundit të Papa Françeskut në Shqipëri dhe ky nder që na u bë, meriton një angazhim dhe një vlerësim shumë të madh nga Shqipëria dhe shqiptarët. Kështu që për mua është e papranueshme që ne të përfaqësohemi në Vatikan si asnjë vend tjetër i Evropës Perëndimore, në nivel të Ngarkuari me Punë. Kjo duhet korrigjuar menjëherë.

Gazetarja: Zoti President, mosmarrëveshjet me institucionet shpesh vazhdojnë në vend. Tensioni politik është vazhdimisht i bollshëm. Pritet të kemi një rritje të tij, pasi jemi disa muaj përpara zgjedhjeve vendore. Kur do ta shpallni datën për zgjedhjet vendore? Kam përshtypjen se jemi në ditët e fundit të afatit?

Presidenti Nishani: Jo, nuk jemi në ditët e fundit. Ka përcaktime mjaft të qarta ligjore, të cilat e kanë përcaktuar mirë se kur Presidenti do të caktojë datën e zgjedhjeve. Afati përfundimtar është diku nga mesi i dhjetorit në mos gaboj.

Gazetarja: Do të prisni edhe një vendim të ndarjes territoriale lidhur me këtë çështje apo është diçka e ndarë nga kjo?

Presidenti Nishani: Jo, është një çështje tjetër. Çështje e angazhimeve dhe detyrave të Presidentit të përcaktuara qartë në ligj. Nuk ka nevojë për dyzime në këtë mes.