Një strategji e re makroekonomike

 Të dy këto shkolla janë përpjekur dhe kanë dështuar për kapërcimin e performancës së dobët të ekonomive me të ardhura të larta gjatë viteve të fundit. Eshtë koha për një strategji të re, e cila të jetë e bazuar në rritjen ekonomike të qëndrueshme, të bazuar në investimet.
Sfida thelbësore e makroekonomisë është të shpërndajë burimet e shoqërisë për të arritur në shfrytëzimin më të mirë të mundshëm të tyre. Punëtorët që zgjedhin të punojnë duhet të gjejnë punë; fabrikat duhet të vënë në punë në mënyrë eficiente kapitalin e tyre; dhe ajo pjesë e të ardhurave që kursehen dhe jo konsumohen, duhet që të investohen për të përmirësuar mirëqenien në të ardhmen.
Pikërisht para kësaj sfidës së tretë janë “dorëzuar” neokeinesianët dhe mbështetësit e ofertës. Shumica e vendeve me të ardhura të larta – SHBA, pjesa më e madhe e Europës dhe Japonia – nuk po arrijnë të investojnë në mënyrë të përshtatshme ose të mencur për të ardhmen. Ka dy mënyra për të investuar – së brendshmi, ose në nivel ndërkombëtar – dhe bota ka mangësi në të dyja.
Investimet e brendshëm vijnë në forma të ndryshme, duke përfshirë investimet e biznesit në makineri dhe ndërtesa; investimet e familjarëve në shtëpi; dhe investimet e qeverisë në njerëz (arsim), dije (kërkim dhe zhvillim) dhe infrastrukturë (transport, energji, ujë dhe përmirësim të klimës).
Qasja neokeinesiane është që të rriten investimet e brendshëm të cdo lloji. Në të vërtetë, sipas këtij pikëvështrimi, “shpenzimi është shpenzim”. Pra, neokeinesianët janë përpjekur të rrisin investimet e familjarëve përmes uljes pothuajse “përtokë” të normave të interesit, me më shumë blerje automjetesh përmes kredive të siguruara konsumatore, si dhe më shumë projekte infrastrukture nëpërmjet programeve afatshkurtër të stimulimit. Dhe kur shpenzimet për investime nuk lëvizin, ata rekomandojnë që t’i shndërrojmë kursimet “e tepruar” në një tjetër tepri konsumi.
Ata që mbështesin ofertën dëshirojnë të nxisin investimet private (sigurisht, jo publike!) përmes uljes së taksave dhe deregullimit. E kanë provuar këtë gjë në disa raste në SHBA dhe më së fundi gjatë administratës së George Bushit. Fatkeqësisht, rezultati i këtij deregullimi ishte fluska e famshme jetëshkurtër e tregut të banesave, dhe jo një rritje e qëndrueshme në investimet produktivë privatë.
Ndonëse politikat alternohen mes mbështetësve të ofertës dhe entuziasmit të neokeinesianëve, realiteti i pandryshueshëm gjatë viteve të fundit është një rënie domethënëse e investimeve, si pjesë e të ardhurave kombëtare, në shumicën e vendeve me të ardhrua të larta. Sipas të dhënave të FMN-së, shpenzimet totale për investime në këta vende kanë rënë nga 24.9% e GDP-së në vitin 1990, në vetëm 20% në vitin 2013.
Në SHBA, shpenzimet për investime ranë nga 23.6% të GDP-së në vitin 1990, në 19.3% në vitin 2013, dhe në terma neto, ranë edhe më shumë (dmth investimet totale duke përjashtuar amortizimin). Në Bashkimin Europian, rënia ishte nga 24% e GDP-së në 1990, në 18.1% në vitin 2013.
As neokeinesianët dhe as ekonomistët e ofertës nuk fokusohen në “ilacet” e vërtetë për këtë rënie të vazhdueshme në shpenzimet për investime. Shoqëritë tona kanë nevojë urgjente për më shumë investime, sidomos për të konvertuar prodhimin që shkakton ndotje të lartë, që kërkon shumë energji dhe që cliron shumë dioksid karboni, në ekonomi të qëndrueshme të bazuara në përdorimin eficient të burimeve natyrore dhe një zhvendosje drejt burimeve energjikë të pastër. Këta investime kërkojnë hapa plotësues nga ana e sektorëve publik dhe privat.
Investimet e nevojshëm përfshijnë një përdorim në shkallë të gjerë të energjisë diellore dhe të erës; një përdorim më të madh të transportit elektrik, si publik edhe privat; ndërtesa eficente nga pikëpamja energjetike; si dhe rrjete të energjisë elektrike që të përcojnë energjinë e rinovueshme në distanca të gjata (për shembull, nga Deti i Veriut dhe Afrika e Veriut, për në Europën kontinentale dhe nga shkretëtira Mojave e Kalifornisë, për në qendrat e banuara të SHBA).
Por pikërisht në një kohë kur shoqëritë tona duhet të bëjnë investime të tillë, sektorët publikë në SHBA dhe Europë kanë hyrë në një “grevë investimesh”. Qeveritë po ulin shpenzimet publike në emër të ekuilibrimit të buxhetit, dhe investitorët privatë nuk munden të investojnë të sigurtë në energji alternative, në një kohë kur rrjetet publikë të energjisë, rregullat e forta, formulat e cmimit dhe politikat kombëtare për energjinë janë të pasigurta dhe shumë të diskutuara.
Në SHBA, shpenzimet për investime publikë kanë rënë. As qeveria federale, as shtetet nuk kanë mandate politikë, strategji financimi, apo plane afatgjatë për të kristalizuar investimet në teknologjitë e mencura dhe të pastra të brezit të ardhshëm.
Si neokeinesianët, edhe mbështetësit e ofertës e kanë keqkuptuar këtë paralizë të investimeve. Neokeinesianët i shohin investimet, publikë dhe privatë, si thjeshtë një tjetër lloj kërkese agregate. Ata i neglizhojnë vendimet e politikave publike në lidhje me sistemet e energjisë dhe infrastrukturës (si edhe Kërkim & Zhvillimin për të nxitur teknologji të reja) që nevojiten për të cliruar shpenzime publike dhe privatë të qëndrueshëm nga pikëpamja mjedisore. Si pasojë, ata nxisin norma interesi zero dhe paketa stimulimi në vend që të bëjnë presion për politikat kombëtare të detajuara, aq të nevojshme për një rimëkëmbje të fortë të investimeve.
Mbështetësit e ofertës, nga ana e tyre, duket se kanë harruar varësinë e investimeve privatë, nga investimet plotësues publikë si dhe një politikë dhe një kuadër rregullator i qartë. Ata janë pro uljes së shpenzimeve qeveritare, duke besuar në mënyrë naive se sektori privat do ta plotësojë si me magji boshllëkun. Por, duke ulur shpenzimet publike, ata pengojnë investimet private.
Prodhuesit privatë të energjisë elektrike, për shembull, nuk do të investojnë për prodhimin e energjive të rinovueshme në shkallë të gjerë nëse qeveria nuk ka plane afatgjatë për klimën dhe energjinë, apo plane për të nxitur ndërtimin e linjave të transmetimit në distanca të gjata, për të përcuar burimet e rinj të energjisë së pastër tek qendrat e populluara. Ekonomistët e tregut të lirë nuk e kanë vrarë asnjëherë mendjen për detaje të tillë kaq të rrëmujshëm të politikave.
Eshtë edhe opsioni i përdorimit të kursimeve të brendshëm për të rritur investimet e huaj. Për shembull, SHBA mund të japë hua për ekonomitë afrikane me të ardhura të ulëta, që të blejnë hidrocentrale të rinj nga kompanitë amerikane. Një politikë e tillë do të sillte një përdorim të rëndësishëm për kursimet privatë në SHBA, për të luftuar varfërinë globale, ndërkohë që do të forconte bazën industriale të Amerikës.
Por edhe këtu, as neokeinesianët, as mbështetësit e ofertës nuk kanë bërë shumë përpjekje për të përmirësuar institucionet e financës së zhvillimit. Në vend të këshillojnë Japoninë dhe Kinën që të rrisin normat e tyre të konsumit, makroekonomistët do të ishin më të mencur nëse do i nxisnin këto ekonomi që të përdorin kursimet e tyre për të financuar jo vetëm investimet e brendshëm, por dhe të jashtëm.
Këto konsiderata janë të qarta për këdo që është i merakosur për nevojën urgjente për të harmonizuar rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Sfida më e madhe e brezit tonë është të konvertojë sistemet energjetikë dhe infrastrukturat ndotëse të botës, me sisteme të pastër, të mencur dhe eficientë, për shekullin 21. Investimi në një ekonomi të qëndrueshme do të rriste në mënyrë dramatike mirëqenien tonë dhe do të përdorte “tepricën” e kursimeve për qëllimet e duhur.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë automatikisht. Ne kemi nevojë për strategji afatgjata investimesh publike, planifikimi mjedisor, partneritetesh publikë-privatë për teknologji të reja dhe të qëndrueshme, si dhe një bashkëpunim më të madh global. Këta mjete do të krijojnë makroekonominë e re, mbi të cilën varet shëndeti dhe begatia jonë. /Project Syndicate/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al