Plani Arvizu

 Nëse klasa politike nuk do të jetë në gjendje të hartojë një reformë të besueshme dhe që të eliminojë korrupsionin, Shqipëria nuk mund të pranohet kurrë si vend anëtarë i BE. Presidenti i Republikës është angazhuar për uljen e palëve politike në tavolinë. Reforma është marrë përsipër nga Ministri Nasip Naço dhe nga juristët e Partisë Socialiste, por që ajo të jetë e suksesshme duhet që dhe opozita të jetë dakord dhe të japë variantet e saja. Nuk është çështje votash, pasi nëse do t’i duheshin disa deputetë zotit Rama, në radhë janë disa syresh nga e djathta që janë gati të votojnë symbyllur çdo ligj të qeverisë “Rama”.  Madje, jo 84 vota, por edhe 92 e 95 vota janë gati. Më shumë se votat, këtë herë duhet një bashkëpunim ekspertësh dhe juristësh nga PD-ja që arrijnë të shohin mbi interesat politikë të Partisë Demokratike. Po ashtu, edhe nga mazhoranca nuk kërkohet një reformë që do të ndryshojë vetëm emrat e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë. Kërkohen institucione të besueshme dhe juristë që nuk i shesin vendimet me euro apo me interesa politike. Në parim të gjitha palët janë dakord. Kështu kanë qenë dhe në reformat e mëparshme, vetëm se rrugës rregullat janë ndryshuar dhe reforma është kthyer vetëm në ndërrimin e emrave të gjyqtarëve dhe llogarive bankare ku derdhen “gjobat” për vendimet e gjykatave. Loja me bojkot dhe me kushte për institucionet ndërkombëtare ka nisur edhe këtë herë. PD pranon të jetë pjesë e tryezës, por vetëm në rrafshin teknik, duke lënë në pikëpyetje qëndrimin që do të mbajë politikisht, kur në tryezë të ketë një draft konkret që duhet të miratohet. Të njëjtën gjë pretendon dhe mazhoranca, duke garantuar se politikanët  do të mbaj “duart” larg nga reforma duke vendosur ekspertët. Por ndërsa në tryezën e djeshme për drejtësinë, e majta dhe e djathta shkëmbenin mesazhe lidhur me “ekspertët”, ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu ka dhënë recetat për mënyrën sesi duhet të zhvillohet reforma. Ndërkombëtarët zakonisht flasin me gjuhë diplomatike dhe me mesazhe që kanë disa kuptime, ku secila palë gjen “grepin” e vet për tu kapur. Por nuk ka qenë ky rasti i djeshëm në fjalimin e ambasadorit Aleksandër Arvizu.

Diplomati amerikan ka paraqitur një plan prej 6 pikash, të cilat sipas tij duhet të merren për bazë në hartimin e reformës. Projekti i prezantuar nga ambasadori Arvizu ka pasur brenda edhe qëndrimin që duhet të mbajë mazhoranca, por edhe qëndrimin që duhet të ketë opozita. Sipas tij, reforma nuk duhet të jetë një proces i shpejt që përmblidhet brenda pak kohësh. “Kjo është një maratonë dhe jo një vrapim shpejtësie”,- duke nënkuptuar se fillimisht duhet të hidhet hapi i parë dhe nuk mbaron vetëm me disa ligje. Një tjetër sugjerim i diplomatit të SHBA është fakti që pjesë e ndryshmeve duhet të jenë të gjitha palët. Dy prej pikave të tjera të prezantuara nga ambasadori Arvizu lidhen me faktin se reforma duhet të zbatohet si pjesë e rekomandimeve të Bashkimit Europian dhe duhet të ketë kontributin e Komisionit të Venecias. Ndërsa pika e fundit dhe më e rëndësishmja lidhet me faktin se “procesi nuk duhet të politizohet, por duhet të jetë konsekuent me nevojat e qytetarëve shqiptarë”.

Në të gjitha raportet ndërkombëtare, drejtësia në Shqipëri cilësohet si pushteti më problematik në vend. Korrupsioni i gjyqtarëve dhe ndërhyrja e politikës në vendimet e drejtësisë janë disa nga kritikat më të përsëritura ndaj Shqipërisë. Kur nuk ka drejtësi asgjë nuk ecën mirë në një vend. Pikësëpari nga drejtësia varet zhvillimi i një shteti. E ndaj ndërkombëtarët insistojnë në këtë drejtim. Plani i prezantuar dje nga ambasadori Arvizu vjen në momentin që bashkë me reformën në drejtësi po diskutohet edhe ndryshimi i Kushtetutës. Prekja e ligjit themeltar të vendit nuk shihet më si tabu. Disa vite më parë ishte Partia Socialiste ajo që i dha më shumë kompetenca Kryeministrit dhe më pas kërkonte ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa sot që është në pushtet reforma në Kushtetutë bëhet edhe më delikate. Pasi duhet reformuar KLD në thelb, gjykata e lartë dhe ajo kushtetuese, krejt piramida e drejtësisë nga ku sistemi nuk ka funksionuar duke pjellë korrupsion galopant e një padrejtësi shembullore.

Aktorët kanë hyrë në fushë. Ambasadori amerikan si një njohës perfekt i sistemit të drejtësisë dhe politikës shqiptare, pasi ka shumë vite në Shqipëri, dha dje recetat e gatshme. Ato janë “receta” amerikane e jo personale, ndaj ai tha shkoqur bashkëpunoni për një sistem të ri drejtësie që ti rezistojë dekadave e jo viteve.

 

 

Receta amerikane për reformën në drejtësi:

Së pari, hidhni nga një hap. Kjo është një maratonë dhe jo një vrapim shpejtësie;

Së dyti, procesi duhet të jetë tërësor dhe duhet të jetë gjithëpërfshirës;

Së treti, udhërrëfyesi i BE-së duhet të shërbejë si drejtuesi kyç;

Së katërti, reforma duhet të përfitojë prej konsultimeve dhe mbështetjes së të gjithë aktorëve përkatës;

Së pesti, duhet të kërkohet kontributi i Komisionit të Venecias;

E fundit, dhe më e rëndësishmja, procesi nuk duhet të politizohet, por duhet të jetë konsekuent me nevojat e qytetarëve shqiptarë. Rezultati i dëshiruar përfundimtar është një Shqipëri më e mirë për të gjithë.