Si arriti t’i manipulojë shqiptarët “patrioti” Cana

 Ndoshta për herë të parë ndodhi që askush, ama askush, nuk shikoi drejt vetes, “nga ne”, të gjithë u turrën andej dikah, mësynë një armik fiktiv – që s’është më!?

Nga Serbia.
Them: s’është më, pasi që personalisht ndihem fitues moral dhe real.
Ndonëse isha viktimë e drejtpërdrejtë e fashizmit të Milosheviqit, për një vit në kampin e përqendrimit “Zabela” në Pozharevc, i akuzuar për terrorizëm, në kohën kur, njëjtë si sot shkruaja në gazetë!!!
Kosova e ka fituar shtetin nacional në përballje me Serbinë.
E pse po çarten shqiptarët fitues?
Pikërisht kjo më frikëson, sepse nacionalizmi kur nuk gjen një armik shpërthen nga brenda…
Fituesi duhet të sillet modest dhe jo i azdisur ndaj humbësit, thonë princërit fisnikë që nga mesjeta e këtej.
Dhe e tëra kjo, ky shpërthim i çartur shqiptar, ndodhi për hir të një rrene të Armand Dukës e Lorik Canës…

Ata pafytyrësisht gënjyen tërë shqiptarët kudo që janë dhe sportdashësit në tërë rruzullimin se nuk i pyeti askush nëse donin ta vazhdonin lojën dhe ja që i paskësh pyetur, dhe ja që kanë menduar menjelehtësisht t’i fitojnë tri pikë pa mund dhe dije dhe ja që paskëshin nënshkruar raportin zyrtar të kontrolluesve të UEFA-s se REFUZOJNË!?

Sipas ligjësive të turmës, shumë shqiptarë më së pari ia “mësynë armikut” të quajtur Serbi, e cila s’është më faktor këtej pari, sepse është humbëse e luftës për Kosovën.
E së dyti, ia mësynë Lubonjës në Tiranë dhe mua në Prishtinë!?
E së treti, kujt tjetër pos – sipas skemës tipike shqiptare – Francës dhe Platinisë!?
Skemë ideale për interpretimin ideologjik të historisë e që është në thelb histeri kolektive.
Pa ne, Fatosin, Halilin dhe Mishelin, po get do të ishin të lumtur turmat: edhe ajo serbe, edhe ajo shqiptare!?
Dyshoj, do të mbesin të mjerë ende, për aq sa i shquan kjo mendësi!
Porse nacionalizmi folklorik dhe fshataresk shqiptar (tërë jetën këtë term e përdor në kuptimin e mendësisë, jo në atë gjeografik) buron nga frika joracionale se Serbia na ka faj sot 15 vjet pas lufte, sepse jetojmë keq!?

Ose, si projeksion i frikës po aq joracionale se mos Serbia ka me u kthye në vendin e krimit!
Unë mund të them me goxha siguri se Serbia nuk ka me u kthye në vendin e krimit, së paku jo në shekullin në të cilin po jetojmë, por s’mund ta garantoj askënd se në mungesë të armikut të quajtur Serbi, ka për të jetuar mirë në Shqipëri apo Kosovë!?
Këta zemërfyt shqiptarë, pasi që e “turpëruan” Serbinë në mes të Beogradit, iu vërsulën Fatos Lubonjës në Tiranë, Halil Matoshit në Prishtrinë dhe gjithnjë në kontekstin e “Evropës plakë dhe kuçkë” iu vërsulen edhe Maja Kocijançiqit, si antishqiptare.
Por shih çudinë, në fund nuk guxuan t’i thonë baroneshës Catherin Ashton diçka të tillë.
Edhe pse ajo tha diçka që do të hyjë në të gjitha antologjitë e mendimit evropian:
“Guximi juaj e ka bërë Ballkanin një vend më të mire” – këto fjalë i janë drejtuar jo Lubonjës ose Matoshit, por, o Zot i madh, Tomislav Nikoliqit, presidentit aktual të Serbisë, të mbiquajturit “Toma Grobar”, pasardhësit të Vojvodës së vetëshpallur serb Voja Sheshelit!!!

E këtë fjali duhet ta zbërthejnë të gjithë ata shqiptarë zemërfyt, plisa e pisa, që shajnë pa hak, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në disa media serioze; që më shajnë mua, Lubonjën apo secilin ‘taksiratli’ që nuk i bashkohet turmës në mendësi, që nuk ka brohoritur kurrë “Vrani e mbytni…”, këdo qoftë, por që kanë thirrur e apeluar vetëm për paqe dhe dashuri, një jetë njeriu!?
Dua t’u them qe, qysh foli Kocijançiq e Ashton, o burra e gra, qe kjo është gjuha me të cilën flet Evropa.
Evropa si balancuese e tërbimeve dhe zemërimeve të ballkanasve.

Vetëm se ta dini mirë, kjo gjuhë nuk është e Evropës “suaj kuçkë”, por e Evropës sime “loçkë” – si projekti më i madh paqësor pas Luftës së Dytë Botërore – që e bën edhe Tomislav Nikoliqin të ndihet mirë, që nuk është në luftë më me shqiptarët aq sa t’ia bëjë me sy baroneshës dhe e bën ‘vladarin’ aktual serb Vuçiq të thotë: “Nuk i urrej shqiptarët”!?

Baronesha, evropiania më e madhe e cila është puthur më shumë me Hashimin se sa Tomën me Putinin, po i jep të tana meritat jo HTH, por Tomës: “Thellësisht besoj se në saje të guximit Tuaj politik dhe udhëheqjes suaj të shtetit, rajoni i Ballkanit sot duket vend më i mirë.”
Dhe për informacion të lexuesve, baronesha ka qenë deri më tashti përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme.

Mirëpo, problemi i kosovarëve me origjinë shqiptare është se harrojnë shpejt, pikërisht ashtu siç turren shpejt.
Dyshoj nëse dikujt në Kosovë i kujtohet kjo fjali e kryeministrit aktual shqiptar.
Edi Rama pas dështimit të marrjes së statusit të vendit kandidat për BE, pas një të share që i bëri “Evropës plakë” dhe çarqeve ekstremiste evropiane, duhej që të shpikte diçka “legjendare” për të dalë nga deficiti i qeverisjes së tij, njëjtë sikur paraardhësi i tij që akuzonte gjysmën e dynjasë për albanofobi.
Maskarada e Beogradit ishte thjesht mashtrim publik, zhvendosje e vëmendjes nga hallet shqiptare.

Tashti kush do le të vrapojë e të grithet e të çirret për pushtetin personal të Edit apo secili që rastis t’i fitojë zgjedhjet.
Ai zotëri do të vete në Beograd, me retorika të forta, por me nëntekste shumë të qeta dhe shumë pajtuese.
Tirana (përkatësisht Shqipëria zyrtare) u tërhoq në mënyrë brilante nga nacionalizmi i shfaqur në media këtyre ditëve.
Rama ose shërbëtorët e tij mblodhën intelektualët shqiptarë, i qitën në TV dhe që të gjithë po thonë se shqiptarët duhet të jenë të matur, të punojnë për pajtim dhe t’i ulin tensionet në fqinjësi, sepse janë evropianë.
Këtë e thanë në TV-të tiranase Pëllumb Xhufi, Romeo Gurakuqi & Co.
Në Prishtinë, së këndejmi, dikush ia bëri anamnezën e dikush autopsinë debatit, që shpërtheu, por që s’ishte debat – ishte vetëçaraveshje në dhunë e sipër – pas incidentit në Beograd.
Mediat serbe dihet, si gjithnjë ishin uniforme – ngjyer me të zezë – thjesht fashiste.

Mund të jetë botuar ndonjë shkrim i balancuar karshi 1 000 shkrimeve histerike antishqiptare.
Ndodhi me këtë rast edhe një çudi tjetër: Njerëzit i ndërruan rolet!?
Kosmopolitanët e dëshmuar të Tiranës (pos Fatos Lubonjës, që mbeti krejtësisht i vetmuar, por qëndroi drejt) u shndërruan në turbonacionalistë (madje edhe i biri i Kiços, Beni, Ben Blushi, që ka një gjysh serb, tha se edhe atë e kapen ca ethe të nacionalizmit shqiptar në momentet e ballafaqimit me nacionalizmin serb!?
E tash merreni me mend sa larg mund të shkojnë nacionalistët zhurmaxhinj të dëshmuar përreth Sali Berishës si Artur Zheji ose Blendi Fevziu, ose fashistët me nënvetëdije komuniste-totalitare si Spartak Ngjela, Ardi Nurollari apo Sokol Balla &Co, ndërsa liberalët si Fatos Lubonja u cilësuan vetëm “kolorit”, por antishqiptar gjithqysh (si një i zi ose i verdhë mes të bardhëve!?) në debatet puro-fashiste shqiptare (këtë ia tha ndërsy Lubonjës këshilltari i ish- zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, Mentor Nazarko).
Ashtu më thonë se po thoshte për mua një rrogëtar i HTH, këshilltar i një zëvendëskryeministri në Kosovës, një analfabet funksional dhe ‘fullinjorant’

Këtej Bjeshkëve të Namuna tmerr nga zhurma, aq sa të krijohej perceptimi se po ndodh hataja vetë, “Nata e Bartolomeut”, por fatmirësisht që në Prishtinë nuk ka më as hebrenj dhe as serbë!?
Ka vetëm do tipa bjerrakohës, pa punë dhe pa shkollë, që urrejnë paradite tërë botën dhe pasdite edhe vetveten!
Pra nacionalistët deri dje të matur kosovarë, kësaj herë u tërbuan krejt…
Merre me mend edhe studiues të filozofisë në Prishtinë po më thonë se janë ndier krenarë me dronin dhe – flamurin, sipas Spartak Ngjelës e fashistëve të Tiranës – që s’ishte dhe s’ishte, dhe nuk ishte flamur, por një “Banderolë” (Edi Rama), “Baner” (Glauk Konjufca), “Karikaturë” (H.M.) ose “Goblen”, E.Robelli.)
“I ke sharë simbolet kombëtare” – më turren mua, duke pandehur se shqiponja ishte simbol kombëtar dhe vetë harruan se po ajo mendësi, po ata tipa, kishin kallë në sheshin qendror të Prishtinës po atë shqiponjë të zezë dykrerëshe, vetëm pse e kishte dizajnuar si flamur Ibrahim Rugova!?

Dhe, këtë, kur e përmendi kolegu Vehbi Kajtazi në një TV-debat, turbonacionalistët ranë në konfuzion.
Pas vendimit të UEFA-s (Komisionit të garave) shumë shqiptarë u ndien shpirtërisht të kafshuar e të lënduar nga ky mekanizëm evropian dhe, nga zemra e plastë, nisën ta shajnë Evropën, sikurse në gjykimet falso ideologjike të Enver Hoxhës dhe interpretimit ideologjik të historisë.
E frikshme të shahet Evropa, në kohën kur shqiptarët nuk kanë asgjë tjetër.
Asnjë projekt më serioz.
E vërteta është se BE-ja me të gjithë mekanizmat e saj, pra edhe UEFA përdor balancën politike edhe për ngjarje jopolitike, siç ishte ndeshja e futbollit.
Dhe në këtë balancim të fajit (si në luftën e ftohtë, kur mëtohej balancimi i frikës) ndodhi hileja më e madhe: Moralisht u ndëshkua Shqipëria, e jo Serbia, gjë që i vështirëson edhe më shumë raportet mes këtyre dy popujve.

Gabimi fatal i UEFA-s, përkatësisht Komisionit disiplinor të saj ishte ndëshkimi moral i Shqipërisë, me çka e fundosi kredibilitetin e vet dhe vërtet e përligji racizmin, ndonëse as shqiptarët nuk janë hiç më pak racistë, së paku si shfaqje, vetëm se u mungon fuqia për zbatimin (ekzekutimin) e burimeve të pashtershme fashiste…
Mendoj dhe nuk jam pishman që mendoj se Shqipëria është dashur të fitojë ndeshjen 0:3 në tavolinë, porse do të duhej për hir të balancës tipike evropiane t’i merreshin pikët, mirëpo kurrë dhe në asnjë çast nuk ia kam lejuar vetes të bëj krahasim dhe të vë paralele mes dy nacionalizmave që janë në parim njësoj, por jo njësoj të rrezikshëm, së paku jo për mijëra e dhjetëra mijëra jetë njerëzore.
Rreth 300 mijë njerëz ka vrarë në luftërat e viteve ’90 nacionalizmi serb, që rrëshqiti në fashizëm konsensual.

Porse nacionalizmi shqiptar është i njëjtë vetëm në të bërit shoqëri atij serb, shoq në budallallëk!?
Për cinikët, në lojën e futbollit askush nuk doli fitues, sepse të dyja palët me vërsuljet ndaj njëri-tjetrit e dëmtuan lojën e futbollit.
Për realistët Shqipëria ishte cak i sulmeve shumëpalëshe, që nga fishkëllima e himnit kombëtar shqiptar dhe mbulimi i flamurit shqiptar në dritaren (semaforin) zyrtar të stadiumit të “Partizanit” (gjë që pak u theksua nga pala shqiptare dhe nga vetë UEFA!?) ulërimat fashiste kundër shqiptarëve, hedhja e sendeve piroteknike në fushë e deri te hyrja e huliganëve që mësynin t’i rrahnin futbollistët shqiptarë.

Por ajo që dhemb dhe e irriton secilin sportdashës, shqiptar, serb apo evropian është fakti se pala shqiptare hapur e ka gënjyer tërë një popull dhe të gjithë fansat e saj, De Biazi, Duka e Cana, duke qenë mendjelehtë mesdhetarë – ballkanikë, kanë dashur ta fitojnë ndeshjen 0:3 në tavolinë, pa djersë, prandaj kanë refuzuar urdhrin e arbitrit britanik, për të dalë në fushën e gjelbër, qoftë edhe për ta ndërprerë ndeshjen zyrtarisht, nëse do të mungonin kushtet themelore për lojë fer dhe të pandikuar nga jashtë.
Lorik Cana ka nënshkruar një raport zyrtar që po thoshte se refuzon të dalë në fushë!?
Këtë nuk na e kanë thënë “heronjtë” shqiptarë, të cilët për pak sa nuk ia zunë vendin në piedestalet e tyre Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës e Ibrahim Rugovës!?
Cana ka refuzuar të luajë – thjesht refuzimi sipas statutit të UEFA-s ndëshkohet me pezullim nga garat.
Porse sipas logjikës evropiane, Shqipëria nuk u pezullua, Serbia u penalizua (lehtë fare) dhe të gjithë mbetën të pakënaqur!?
Dhe një i tillë, shqiptar etnik i Kosovës, po më thoshte në rrjetet sociale: “Pse po na e merr të drejtën që të shfryhemi, sepse e dimë mirë se me mllef nuk ndryshohet vendimi”!?
Shfryhuni shqipe, po mos harroni të bëni ndonjë hair për veten dhe shoqërinë.

Epo, jo askujt nuk ia marr emocionet dhe as nuk ia vras ëndrrat, unë shkruaj për të qenë “i huaj”, jo emotiv, jo “krejt si na” dhe jo mbi të gjitha me mendësinë e turmave.
Unë shkruaj për ta bërë diferencën!
E thashë më lart, në Tiranë gjakrat nisën dhe u qetësuan, madje elitat politike e kulturore po flasin fort për pajtim dhe për ta shmangur valën nacionaliste.
Frika i rri mbi krye Kosovës,si një vranësirë e mllefosur, ngjizur për breshër.
Kujdes me Evropën dhe me fjalët tuaja.
Ismail Kadarenë e konsideroj si nacionalistin më heroik dhe më të mençur shqiptar që nga rilindësit e këtej.

Po, pse ai nuk foli me këtë rast, pse nuk u çart?
Sepse i njeh mllefet e turmave dhe nuk do që të çorientohen shqiptarët aq sa ta shajnë e pështyjnë Evropën.
Sepse kur e shanin komunistët shqiptarët vuanin.
Kadare i ruan të tjerët nga vetja.
Ai i qeton dhe mbron shqiptarët nga zemërimi me Evropën.
Kadare është evropiani më tipik shqiptar.
Kurrë s’do ta shajë më Evropën.
Frika rëndom është këshilltari më i keq.
Nacionalizmi është frikë paranoike nga tjetri/tjetra, prandaj për kosovarët është këshilla më e keqe.
I shpie në dhunë ende pa i qetuar plagët e luftës!
Dhe krejt në fund, një justifikim për fjalët e mia.

Kam thënë se në stadiumin e “Partizanit” në Beograd nuk ishte Serbia, ajo nuk ishte fytyra e Serbisë dhe i rri kësaj deklarate.
E shihni, ish-presidenti serb, Boris Tadiq, tha se fjalët e Nikoliqit janë të tmerrshme, ai ftoi serbët për t’i mbrojtur shqiptarët dhe mbi të gjitha ishte impresive demonstrata në Novi-Sad, ku qytetarët serbë mbanin banderola: “Mos e prek fqinjin tim shqiptar”!
Kjo është gjuha e disa serbëve, kjo është gjuha e Evropës dhe është pra edhe gjuha ime.

Më quani si të doni.
Edhe serb, nëse kjo u kryen punë!
© KOHA Ditore