Gramoz Ruçi, dru ministrave

 Në seancën parlamentare, Gramoz Ruçi u ka kujtuar ministrave se nuk mund të sillen si të jenë kryeministra, por edhe se duhet të njohin rregulloren e Parlamentit. Kritikat e Ruçit kanë befasuar jo vetëm anëtarët e qeverisë, por edhe një pjesë të deputetëve të Partisë Socialiste. Fillimisht, kreu i deputetëve të selisë rozë shprehu rezerva për fjalimin e ministres së Inovacionit, Milena Harito. Ruçi i kujtoi Ministres se fjalën duhet ta kishte marrë në fillim, sipas rregullores dhe procedurave parlamentare. Ndërsa shtoi, se kur flasin drejtuesit e grupeve parlamentare, ministrat nuk kanë më të drejtë ta marrin fjalën më pas. “E ndoqa me shumë vëmendje zonjën ministre, e përgëzoj për çka paraqiti, nuk kam asnjë vërejtje për të, ishte ekselente, shumë argumentuese dhe bindëse. Por dua t’i kujtoj ministres, juve që drejtoni seancën dhe gjithë ministrave. Fjala që paraqitët do të kishte vend ta kishit marrë në fillim, sipas rregullores dhe procedurave parlamentare. Pasi mbyllet diskutimi dhe pasi flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare nuk keni më të drejtë ta merrni fjalën… Keni një vit ministre, i mësoni dhe me Parlamentin të jeni korrekt herën tjetër”, – u shpreh Ruçi. Por ndonëse Ruçi shquhet si njeri e politikan korrekt, bile strikt në zbatimin e rregullave, ai duhet të ketë parasysh se një ministër më shumë respektohet me atë çka bën në realitet, në punë, pra sa efikas është, e jo për disa simbolika parlamentare, që gjithsesi duhen respektuar. Por nuk janë thelbi i punës dhe i portretit të një ministri. E në këtë rast, mundet që Ruçi si burrë me mend që është, mund ta kishte kursyer ministren Harito, e cila është një ministre me integritet dhe jashtëzakonisht profesioniste. Bile është një nder për PS-në që e ka, derisa ta ketë, pasi më shumë sakrifikon ajo duke qëndruar në Shqipëri, ndërkohë që familjen e ka në Francë. Ajo është një nga kokat e shkencës shqiptare të informatikës dhe teknologjisë së informacionit. Por Gramoz Ruçi siç duket jo në një ditë të mirë humori, nuk ka duruar dhe ka fshikulluar edhe dy ministra të tjerë. Edhe më kritik dhe shpotitës ka qenë pas fjalës së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministrit të Energjetikës, Diamian Gjikuri, pas informimit që po bënin për fushatën kundër vjedhjes së energjisë elektrike. “Zotërinj ministra, kur vini këtu në Parlament duhet të mendoni se nuk jeni kryeministër, por vini për të dhënë llogari dhe jo të fshiheni pas thirrjes që ju bëri kryeministri dhe dëgjova ministrin e Brendshëm dhe atë të Energjisë që janë përfshirë në aksion. Qeverisja nuk bëhet me aksion, qeverisja bëhet me qeverisje çdo ditë. Çfarë dua të them me këtë? E morët fjalën e folët nga 15 minuta. Zotërinj, para së gjithash sistemi energjetik vuan për drejtim, vuan nga keqmenaxhimi, vuan për administrim”, – ka deklaruar Ruçi. Por nuk e ka lënë me kaq Ruçi. Bëri edhe disa kritika të tjera, të cilat ishin në thelb të një “prindi” partiak që do rregulla.

Deklaratat e djeshme, kanë shkaktuar jo pak debate brenda radhëve të mazhorancës. Gramoz Ruçi është jo vetëm drejtues i deputetëve të PS-së, por edhe një nga ligjvënësit më jetëgjatë në Parlament. Mbi të gjitha, Ruçi njihet dhe si një mendje “e ftohtë” në selinë e PS-së, që reagon vetëm kur sheh se gjërat nuk janë në drejtimin e duhur. Kështu thuhet, të paktën. Ndaj dhe deklarata e djeshme e tij, mund të jetë dukur si një shuplakë për një pjesë të kabinetit ‘Rama’. Por nuk duket se është thjesht zbatimi strikt i Rregullores së Parlamentit, sebepi. Flakërima e shuplakës së Ruçit bëhet edhe më e hidhur për një pjesë të ministrave, teksa llogarisin se nuk janë më deputetë, por prej disa muajsh kanë vetëm detyrën e ministrit dhe kur kreu i grupit bën kritika, këto mund të përkthehen edhe si pakënaqësi e gjithë deputetëve të Partisë Socialiste. Në këtë linjë ishte dhe deklarata pasuese e Ruçit, duke u shprehur se deputetët e PS-së do të kërkojnë më shumë llogari nga ministrat. “Do ju thërrasim në interpelancë se për këtë jemi votuar, për votëbesimin që na ka dhënë elektorati”,  – shtoi Ruçi. Për hir të së vërtetës, pakënaqësitë e deputetëve të majtë nuk mungojnë. Kryeministri Rama qeveris në ekip, por si drejtues më përvojë që është e që nuk ka shumë qejf t’i kritikojnë bashkëpunëtorët, u ka dhënë gjithmonë të drejta fuqiplota vartësve të tij. Duket se kjo garanci që u ka dhënë Rama, ka krijuar dhe një lloj autonomie të ministrave ndaj deputetëve. Kjo mundet të ketë sjellë mërira të një pjese të deputetëve dhe janë shfryrë tek Ruçi, që më pas ka hedhur një dorë druri mbi kokat e ministrave.

Sinjalet e dhëna dje nga Ruçi duket se kanë krijuar një lëkundje të lehtë në kabinetin “Rama”, por edhe në sallën e Parlamentit. Ndaj dhe kryeministri brenda pak minutave e mori situatën në dorë. Në fjalimin e mbajtur pas kreut të grupit parlamentar, Rama vuri në dukje, jo rastësisht, se dy ministrat që vlerësonte për punën që po bënin lidhur me fushatën kundër vjedhjes së energjisë ishin Tahiri dhe Gjiknuri. Në fund të fundit, “zot shtëpie” tashmë e për një kohë të gjatë , është Edi Rama.

 

DEKLARATAT NË KUVEND

Ruçi për ministren Harito:

“E ndoqa me shumë vëmendje zonjën ministre, e përgëzoj për çka paraqiti, nuk kam asnjë vërejtje për të, ishte ekselente shumë argumentuese dhe bindëse. Por dua t’i kujtoj ministres, juve që drejtoni seancën dhe gjithë ministrave. Fjala që paraqitët do të kishte vend ta kishit marrë në fillim sipas rregullores dhe procedurave parlamentare. Pasi mbyllet diskutimi dhe pasi flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare nuk keni më të drejtë ta merrni fjalën. Pasi mbyllet diskutimi dhe pasi flasin përfaqësuesit e grupeve parlamentare, nuk keni më të drejtë ta merrni fjalën. Në qoftë se do ta merrni fjalën pas mbylljes se diskutimit, kërkoni që të hapet diskutimi nga e para. E ndoqa me vëmendje, thashë se s’kam asnjë vërejtje, por s’kishit asnjë të re për ta hapur diskutimin nga e para kur ishte mbyllur diskutimi. Prandaj këto janë proceduara dhe praktikat parlamentare. Keni një vit ministre, i mësoni dhe me Parlamentin të jeni korrekt herën tjetër”.

Ruçi për Ministrin Gjiknuri:

“Nuk jam në gjendje të dalloj se kur fillon ministri dhe kur vazhdon kryeministri. Qeverisja nuk bëhet me aksion, por me qeverisje çdo ditë. Folët nga 15 minuta dy ministrat, por para së gjithash, sistemi vuan nga keqmenaxhimi dhe keqadministrimi. Janë 2252 elektriçistë që ka sistemi dhe ju mendoni se këto lidhje të paligjshme nuk i kanë bërë këta? Absolutisht, që këta i kanë bërë. Po fusni ca konsumatorë hajdutë brenda, ndërsa lihen hajdutët jashtë”.

Ruçi për ministrin Tahiri:

“Ne do kërkojmë llogari për këta tregues. Kur vini këtu, duhet të përgjigjeni si ministër për administrimin e sistemit që keni në varësi. Nuk luftohet krimi me aksione policie, por çdo ditë. Nuk mendoj se ka krim më të madh se ato 150 milionë eurot e dëmeve. ….Do ju thërrasim në interpelancë se për këtë jemi votuar, për votëbesimin që na ka dhënë elektorati”.