Genc Kojdheli: Thelbi i reformës në punësim, fokusimi te arsimi profesional”

Intervistoi: Viola Thoma

Numri i vendeve të punës të shpallura nga Shërbimi Kombëtar është gati trefishuar dhe numri i vizitorëve është më shumë se dyfishuar. Një fakt i tillë pohohet nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Genc Kojdheli, gjatë një interviste për “Koha Jonë”, ku flet mbi reformën e re në punësim dhe efektivitetin e Zyrave të Punës. Duke shtuar më tej se duhet të kuptojmë që tendencat rinore nuk janë për të kryer vetëm një punë dhe ta përfundojnë jetën te kjo punë. “Këtë e konsideroj si një traditë të keqe që na i ka lënë periudha komuniste”, – pohon ndër të tjera Kojdheli….

Zyrat e Punës janë cilësuar si një risi në tregun e punës. Por veç imazhit, sa efiçente kanë qenë këto Zyra për t’u dhënë një mundësi të vërtetë personave që janë në kërkim të një vendi pune?

Ne kemi pasur një aspiratë vizuale për t’i dhënë një fytyrë  tjetër institucionit; deri vjet nuk njiheshin aspak dhe zyrat nuk gjendeshin. Gjëja e parë që ne bëmë ishte afrimi i zyrave të punës me qytetarët, duke ndryshuar dhe cilësinë dhe shërbimin. Së dyti, ka ndryshuar mënyra si ka funksionuar zyra e punës dhe së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, Komisionin Ndërkombëtar e Organizatën Ndërkombëtare të Punës, ne kemi aplikuar një model të ri shërbimi në të gjitha zyrat e reja që janë hapur, po ashtu edhe në zyrat që nuk janë rinovuar akoma, prapë është trajnuar stafi për të qenë në të njëjtin nivel që ne kërkojmë. Sipas kësaj praktike, konsistohet që çdo aplikant nëse nuk plotëson kushtet, në fillim kalon nëpërmjet kurseve të formimit profesional ose kalon direkt në ndërmjetësim me kompaninë që është ofruar. Aspirata  jonë ka qenë rritja e numrit të vizitorëve, por edhe e ndërmjetësve, jo vetëm në zyrat e punës por dhe në uebsitin tonë, ku publikohen vende vakante. Krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi më shumë vende plus të ndërmjetësuara nga SHKP në periudhën janar-shtator 2014. Numri i vendeve të punës të shpallura nga Shërbimi Kombëtar është gati trefishuar dhe numri i vizitorëve është më shumë se dyfishuar, përtej vizitave në faqen ueb. Gjithashtu, do ia vlente dhe një mënyrë tjetër se si ne kemi vepruar me programin e nxitjes së punësimit. Kemi një trefishim të fondit të nxitjes së punësimit për vitin 2014 krahasimisht më vitin e kaluar, prandaj nga 900 mijë dollarë, na u atribuan 2.7 milionë dollarë dhe teksa na u trefishua fondi, patëm trefishim të numrit të bizneseve që aplikuan për fondin e nxitjes së punësimit dhe patëm 3600 vende të reja përmes programit të nxitjes së punësimit.

Është konstatuar nga individë që janë punësuar nga ky program, pra nga “Nxitja e Fondit të Punësimit” se një pjesë e tyre kanë qenë të pakënaqur duke hequr dorë për shkak se u është dashur të bëjnë një praktikë nga 3-6 muaj. Si e shpjegoni këtë?

Jo, nuk është ky programi, mënyra se si funksion programi i nxitjes do të thotë: Një biznes merr para’ në këmbim të punësimit të individit në fjalë. Njerëzve dhe bizneseve u paguhen katër rroga bazë plus sigurime shoqërore dhe shëndetësore bazë, në mënyrë që të futen në punë dhe të ketë rroga të vijueshme. Në momentin që specialisti ynë evidenton parregullsi, atëherë biznesit i ndërpritet financimi i tij dhe dhënia e parave nuk bëhet që në fillim, por me faza, në mënyrë që të kemi një efektivitet të këtij procesi.

Cilat janë kriteret bazë që duhet të ketë një individ për të aplikuar në zyrat e punës dhe ky i fundit të quhet një aplikim i suksesshëm dhe efiçent?

Nuk ka kritere të përcaktuara për aq kohë sa ne aspirojmë të ofrojmë vende pune në sektorë të ndryshëm për thuajse të gjitha shtresat e shoqërisë. Duhet të theksohet diçka, se zyrat e punës nuk krijojnë vende pune, por shërbejnë si një ndërmjetësues dhe lehtësues për të papunët.

Në fillim të mandatit të saj qeverisës, mazhoranca premtoi  300 mijë vende pune. Sa janë punësuar në vitin e parë qeverisës dhe a do të mbahet ky premtim deri në fund të mandatit?

Ky mund të quhet një premtim, sa politik edhe ekonomik. Nëse mazhoranca ka premtuar 300 mijë vende pune, nuk do të thotë se këto vende do të hapen nga qeveria. Duhet t’i largohemi kësaj mendësie, gjithashtu në një ekonomi tregu sipërmarrja private është dhe thelbi i gjithë këtij procesi. Ne kemi ndryshuar numrin e ndërmjetësimeve të punës përmes programeve të nxitjes së punësimit. Janë punësuar këtë vit rreth 3600 individë dhe niveli i ndërmjetësimit të tyre shkon drejt 10 mijëve, por e theksoj se këto janë vende të hapura nga sektori privat dhe pikërisht kjo është aspirata jonë. Vetëm në sistemin ekonomik urban, një nga themelet e premtimeve tona është dhe rritja e mundësisë së punësimit në sektorin rural, agrobiznes, bujqësi, turizëm, kemi dhe një komponent tjetër që është ai i zbardhjes së vendeve të  reja të punës. Ne kemi një ekonomi informale shumë të madhe, pra njerëz që punojnë në të zezë e deklarohen të papunë duke i formalizuar dhe duke  vendosur brenda këtij sistemi, në të cilin duhen paguar taksa, sigurime shoqërore. Në këtë mënyrë, do reduktojmë nivelin faktik dhe statistikor të papunësisë në vend dhe si rrjedhim do rigjenerohen vende të reja pune.

 Aka një përqindje të individëve që punojnë në të zezë?

Jo nuk kemi, sepse kjo nuk është në politikën e SHKP-së. Ajo që di të them është se statistikat e prodhuara nga INSTAT-i dhe qeveria është se kemi pasur 43000 vendet të reja në sistemin e sigurimeve shoqërore, vetëm 43 mijë kanë dalë nga sistemi informal dhe kanë hyrë në sistemin formal. Si pasojë ka pasur një koordinim të Inspektoriatit të Punës, të Tatim-Taksave, do kemi një vazhdimësi të zbardhjes së këtyre vendeve të punës dhe për rrjedhojë një kalim të njerëzve nga ekonomia informale në formale.

Është diskutuar gjithashtu për kartën e papunësisë e cila përveç të tjerash përbën dhe një detyrim ligjor, kur do mundet ta përfitojnë qytetarët e papunësuar?

Ne jemi në proces të krijimit të kartës së papunësisë e arritja e prodhimit dhe krijimit të saj lidhet me më shumë se një institucion, por brenda gjysmës së vitit që vjen do të jetë e absorbuar.

Shumë vende europiane bëjnë studime tregu mbi papunësinë duke përcaktuar kërkesat e tij për profesione të caktuara. A është realizuar në Shqipëri një studim i tillë dhe a është përfshirë SHKP?!

Në të shkuarën kemi pasur studime në mos të mangëta, jo ekzistente të tregut të punës dhe e kemi vlerësuar si një nga mangësitë e mëdha të sistemit të tregut të punës. Kemi marrë angazhimin që të kemi dy studime tregu serioze, përveç studimeve të INSTAT, ne jemi duke kryer një bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare të punës dhe INSTAT, e cila quhet “Analiza e Aftësive dhe Nevojave” që është një spektrogramë e tregut të punës në Shqipëri dhe duke gjeneruar kërkesat që ka tregu për punë të kualifikuar e aftësi që ne të kuptojmë eventualisht se çfarë ka nevojë tregu. Gjithashtu, në bashkëpunim me “Friedrich Ebert Stiftung” jemi duke kryer një sondazh, qoftë me bizneset, qoftë me individët për të evidentuar se cilat janë pozicionet e punës më të kërkuara nga tregu dhe njëkohësisht se cilat janë pozicionet më të aspiruara nga studentët dhe cilat janë pozicionet më të paguara. Kemi një sërë projektesh të tjera për të bërë analizën e punësimit dhe sapo kemi nxjerrë pak para Buletinin Vjetor të punës nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit duke i hyrë sfidës për të gjeneruar të dhëna të vlefshme.

Në deklarimet e titullarëve të qeverisë dhe institucionit ku ju bëni pjesë thuhet shpesh se arsimi duhet të orientohet drejt shkollave profesionale. Ka një marketing të fuqishëm në këtë drejtim këto dy vite dhe duke parë numrin e regjistrimeve në shkolla profesionale mund të themi se është një zhvillim pozitiv. Por, a nuk rrezikon që orientimi drejt arsimit profesional, pas disa viteve të sjellë inflacion, njëlloj siç ka sot inflacion në diplomat e arsimit të lartë?

Inflacioni nuk krijohet thjesht nëse kemi sasi të tepërta në treg. Të tilla sasi duhet të ngelen të tepërta nëse nuk kërkohen dhe nuk përthithen nga tregu; ajo që ne dimë është se nëse do vazhdojmë të prodhojmë diploma të Shkencave Sociale është e sigurt që këta njerëz s’do gjejnë punë. Një student që ka mbaruar “Shkenca Komunikimi” ku mund të punojë?! Një individë që ka mbaruar “Marrëdhënie Ndërkombëtare”, mund të punojë në një ambasadë, ose në një kompani multi-nacionale, por këto janë të pakta. Masiviteti i numrave nuk justifikon dyndjet drejt disa degëve, nëse do të kishim universitete polivalente, të cilat përbëjnë angazhime financiare që për momentin nuk i mbulojmë dot, situata do ishte më e thjeshtë. Duke u nisur dhe nga fakti se universitete shtetërore e ato private ofrojnë një gamë shumë të limituar qoftë të diplomave, qoftë të profilizimeve shumë të specifikuara, pra nuk mund të flasim sot në Shqipëri për diploma fizike nukleare, apo në automatikë të avancuar sepse nuk kemi të tilla. Thelbi i reformës sonë është fokusimi te arsimi profesional dhe tregu europian ka për të pasur gjithmonë nevojë për krahë pune të kualifikuar. Sfidën që kemi ne e kanë dhe shumë vende europiane që kanë një dyndje të gjeneratës së re drejt arsimit akademik të lartë, por me sfond humanistik. Më shumë pak përjashtime vendet gjermanike ose shumë vende skandinave janë më të prirura ndaj teknologjisë. BE-ja ka për të pasur nevojë për krahë pune të kualifikuar dhe theksi ynë është që të rinjtë shqiptarë të kualifikohen në fusha që do tërheqin investimet e huaja direkte. Dhe pas 10-15 vitesh është e garantuar se do jemi pjesë e BE. Unë jam shumë koshient  dhe modest duke thënë se ne mund t’i sigurojmë BE-së teknikë shumë të mirë.

Sistemi arsimor në Shqipëri po prodhon një numër shumë të lartë, ekonomistësh, juristësh, si e ka menaxhuar Shërbimi Kombëtar i Punësimit këtë kërkesë të tejngopur të tregut në shifra konkrete?! A është gjetur një strategji punësimi në këtë rast?!

Detyra e shtetit dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit nuk është gjetja e vendit të punës individëve që kanë mbaruar një shkollë të caktuar. Detyra e një shteti është t’i atribuojë njohjen e diplomës në mënyrë që të ketë vlera juridike dhe praktike. Për dikë që është jurist apo ekonomist kjo nuk diskutohet dhe do ishte irreale të besoj se detyrën për të gjetur punë këtyre njerëzve e ka shteti. Duhet të kuptojmë se tendencat rinore nuk janë për të kryer vetëm një punë dhe ta përfundojnë jetën te kjo punë. Këtë e konsideroj si një traditë të keqe që na i ka lënë periudha komuniste.

Mesatarisht në botë njerëzit ndryshojnë nga 4-6 punë gjatë gjithë jetës së tyre sepse i tillë është tregu, tepër i ndryshueshëm dhe nuk ka një siguri të vendit të punës. Ne kemi disa programe që do të kërkojnë shumë kohë dhe disa programe ekstra të cilat lidhen me sipërmarrjen, pra që lidhen me praktika qoftë me vendet fqinje qoftë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Për të sjellë në Shqipëri kulturën e vetëpunësimit dhe për të pasur një lidhje simbiotike mes dëshirës që kanë të rinjtë dhe aftësisë  financiare, ekonomike e iniciativës për të pasur një biznes të vetin po krijohen inkubatorëve e biznesit në vend.

 

Sipas informacioneve të fundit inkubatorët e biznesit janë në fillim të implementimit të tyre, deri në çfarë stadi është arritur?

Do të nisin në qytetet kryesore të vendit sepse varet dhe nga hapësirat publike, por kemi disa aspirata sa i përket tregut të punës dhe nëse një i ri është i papunë e ka një kualifikim të caktuar, nuk duhet t’u thotë “jo” punëve që janë në profilin e vet. Shpeshherë, dëgjojmë mitin e punës në “Call center”. Është një industri e rritur ndjeshëm në Shqipëri e cila sjell para të pastër për ekonominë  shqiptare dhe vendosim në shërbim aftësinë tonë për të komunikuar në një gjuhë të huaj kundrejt një pagese. Është një investim i huaj direkt dhe të ardhurat mesatare nga një punonjës në Call Center janë më të mira se të një punonjësi mesatar në shtet, apo me disa profesione të tjera dhe shpeshherë dëgjoj se njerëzit nuk i preferojnë këto punë sepse shpesh dëgjoj se nuk janë punë në profil. Çfarë arsye ka të mësosh një gjuhë të huaj përtej dëshirës kulturore nëse ti nuk e përkthen atë në para?! Nëse njerëzit dinë gjuhë të huaj dhe ka punë, atëherë përse të mos i vendosin në punë aftësitë e tyre?! Unë nuk arrij të kuptoj se përse njerëzit preferojnë të rrinë në shtëpi, të rrinë pa punë teksa kjo gjë mund t’ju gjenerojë të ardhura. Vërtet nuk ka një aspekt profesional karriere, por ndërkohë që sapo të gjendet një mundësi më e mirë punësimi, ajo mund të përdoret si një mundësi për të sjellë të ardhura. Ne po bëjmë përpjekje për të sjellë investime direkte në Shqipëri në gjuhën angleze për të diversifikuar situatën, por papunësia rinore sot është një sfidë globale. Sipas një studimi të bankës gjermane, të rinjtë shqiptarë janë pyetur rreth dy pritshmërive që përkonin me rrogën e tyre të parë dhe sa kohë nga diplomimi ata do të gjenin punën e tyre të parë dhe në të dyja rastet përgjigjet e tyre ishin irreale. Studentët  mesatarë mendonin se do të kishin një rrogë nga 400-600 euro në punën e tyre të parë që është totalisht e pajustifikuar me atë që ofron tregu i punës dhe besonin që do të gjenin një punë në profil nga 3-6 muaj pas diplomimit kur konsiderojmë se çfarë stadi ekonomik kemi dhe kërkesën e cila është disproporcionale me ofertën. 

Duket që të rinjtë tanë s’e kanë fort idenë se sa si janë dinamikat e tregut të punës, se si paguhen vendet e punës dhe sa e vështirë është të gjesh dhe të mbash një vend pune. E ky domosdoshmërisht nuk është faji i tyre pasi ka një mungesë informacioni në treg dhe ne prandaj po përpiqemi që përmes këtyre anketimeve, të japim informacion real mbi atë që ndodh. Gjithashtu midis sfidave të mëdha që ka Shqipëria, binomi më i madh i punësimit ngelet Tiranë-Durrës. Ajo që kërkohet nga të rinjtë është mendjehapësi në përfshirjen në pozicione pune jo aq perfekte në fillim të karrierës së tyre. Kërkohet një farë fleksibiliteti, një farë adaptueshmërie me tregun nga ana e të rinjëve.

 

Mendoni se liberalizimi i tregut i ka krijuar hapësira pjesës më të madhe të aplikantëve ne SHKP dhe në zyrat e punësimit  për të gjetur një vend punë në profilin e tyre?!

Liberalizimi i tregut vjen vetvetiu dhe ne jemi një nga komponentët që merret me çështjen e papunësisë. Gjithashtu kemi një lëvizje të moderuar të Shqiptarëve që punojnë në sektorin e restorant hotelerisë në lindjen e mesme, ndërsa në nivel lokal liberalizimi i tregut ka sjellë një liberalizim, ose franksionim të ri të tregut . Ndërsa disa kompani të quajtura “The Headhunters” që gjëmojnë një përqindje të vogël, nuk kanë një impakt të madh numerik por gjëmojnë te cilësia dhe jo te sasia.

 

Një nga shqetësimet e Bashkimit Europian ka qenë punësimi i të rinjve dhe duke përqindja e të papunëve po vjen në rritje. A po tregohet ai bashkëpunues dhe me vendet jo-anëtare?

Sfida më e madhe e BE-së sot është papunësia rinore, janë disa vende të cilat gjenden në një situatë më problematike se ne. Një prej tyre është Franca, në të cilën unë pata një takim me homologët e mi atje, gjenden në të njëjtën situatë problematike. Papunësia u rrit për herën të tretë në Francë javën e kaluar, sipas deklaratave zyrtare dhe kryesisht bëhët fjalë për shifra të papunësisë rinore. Ka disa komponentëqë e bëjnë të vështirë  papunësinë rinore, kompani të cilat janë transferuar tjetërkund për shkakë të kostove të lira, rrogat tëpër të larta, kodet e punë, dhe e gjithë kjo situatë e ka bërë shumë të vështire investimin nëBashkimin Europian.

Si pasojë ka mangëi për vënde të reja pune dhe BE ka një fokus të të rinjëve drejtë kualifikimit, polivalencës dhe drejtë krijimit të start-upeve. Sfida jonë është e ngjashme me atë të shumë vendeve europiane, për  arsye se diferencat ekonomike janë goxha të mëdha dhe modeli ekonomik është goxha ndryshe. Por në bisedimet që ne kemi pasur kemi konstatuar projekte binjakëzimi për të konstatuar praktikat e tyre më të mira nëpëmjet granteve dhe fondeve për Shqipërinë.