Bushati: Shqipëria, e angazhuar për bashkëpunimin rajonal

Takimi, i organizuar nga Sllovakia si vend që ka kryesinë e radhës të Grupit të Vishegradit, kishte si qëllim t’i përcillte vendeve të Ballkanit Perëndimor përvojën e Polonisë, Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë në fushën e integrimit evropian. Teksa diskutimet gjatë tij u përqendruan në tre tematika: shteti ligjor, qeverisja e mirë dhe transparenca si dhe bashkëpunimi rajonal.

Në fjalën e tij, ministri Bushati u ndal në vëmendjen që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal në politikën e jashtme. Ai përmendi kontributin e palës shqiptare si në Konferencën e Berlinit, ashtu edhe në procesin që e ka pasuar atë e që synon përmirësimin e infrastrukturës rajonale, rritjen e shkëmbimeve dhe forcimin e lidhjeve mes popujve. Ai shtoi se këto janë edhe disa prej prioriteteve të Kryesisë shqiptare të SEECP gjatë këtij viti. Më tej, ai u shpreh se “riorganizimi i Komisionit të ri që vendos Përfaqësuesen e Lartë për Politiken e Jashtme dhe Zëvendës-Presidentin e Komisionit në krye të drejtimit dhe  koordinimit të Politikës së Jashtme dhe Zgjerimit si dhe Paketa e Zgjerimit 2014 kanë rritur fokusin mbi zgjerimin si një projekt gjeostrategjik politik”.

Në takim, u diskutua gjithashtu mbi pritshmëritë e vendeve të rajonit nga Komisioni i ri Evropian, mbi situatën në Ukrainë dhe krizën në Siri e Irak, ndërsa pjesëmarrësit ndanë mendimin se sfidat e përbashkëta duhen përballuar bashkërisht.

Në përfundim të tij, vendet anëtare të Grupit të Vishegradit dhe të Ballkanit Perëndimor mirëpritën vendimin për vendosjen e selisë së Sekretariatit të Fondit të Ballkanit Perëndimor në Shqipëri. Kjo është hera e parë që në Shqipëri vendoset selia e një organizate rajonale, dëshmi e një kontributi në rritje të vendit tonë në drejtimit të politikave të bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.