Tre faktorët që masin besimin e qeverisë

Nga Anastas Angjeli

Duke e konsideruar privilegj pjesëmarrjen time në këtë forum profesional e shkencor, tashmë të konsoliduar tuajin, për të sjellë e shkëmbyer përvojat dhe eksperiencat më të mira botërore dhe për të prezantuar në një format shkencor atë që është objektivi juaj kryesor, zhvillimi i një modeli institucional evropian të organit suprem të auditit që do duhet të përballet me sfidat që sjell ky transformim i rëndësishëm. 

 

Me lejoni të them pak fjalë përshëndetëse dhe në mbështetje të këtij aktiviteti, jo vetëm si profesionist ekonomist e financier, por edhe në emër te Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe natyrisht si Sekretar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, me të cilin bashkëpunon institucioni i KLSH.
Historia e 20 viteve të fundit të zhvillimit ekonomik, financiar dhe social, në kushtet e procesit të shpejtë të globalizimit dhe eficienca e kërkuar në përdorimin e fondeve publike ka çuar në zhvillime dhe ndryshime të shumta e të mëdha. Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Sepse “Një botë në globalizim, e cila ecën dhe zhvillohet shumë shpejtë, një botë në informacion që përsoset vazhdimisht e bën esencial auditimin për çdo qeveri që të jetë e mirë informuar rreth rreziqeve potenciale dhe atyre që ndodhin, më qëllim marrjen e masave, në kohën me të shpejtë të mundshme, për përmirësimet e nevojshme në menaxhimin me sukses të financave publike.”
Këto ndryshime nuk kanë lënë jashtë vëmendjes edhe ndryshime thelbësore në rolin e profesionit të Audituesit. Ato janë të gjithanshme, konceptuale, teorike e praktike, ligjore dhe institucionale, etj.
Ato, gjithashtu vijnë edhe sepse, në prioritetet e qeverive sot,veç të tjerash, një vend të rëndësishëm zë, përdorimi sa më i mirë i fondeve publike duke rritur cilësinë e shërbimeve ndaj publikut. Kjo është e lidhur ngushtë me përmirësimin e qeverisjes, shoqëruar me rritjen e besimit të qytetarëve në të. Ban Ki-Moon në Forumin Global të Qeverisjes së re në qershor 2007 ka theksuar se “Besimi ndërmjet qytetarëve, ndërmjet shteteve, dhe në vetë konceptin e qeverisjes është një nga nevojat më vitale për paqen dhe prosperitetin e njerëzimit”.
Zhvillimet e sotme ekonomike janë shoqëruar dhe me procese, operacione e sisteme “të sofistikuara” financiare, që krahas rritjes së shpejtësisë të veprimeve dhe operacioneve financiare, në shumë raste kanë stimuluar dhe fenomene abuzive deri në skandale të përmasave të mëdha, në përdorimin e fondeve publike, por jo vetëm, në institucione, tregje, kompani e korporata etj. Kësisoj ka dalë në pah edhe nevoja për më shumë vëmendje, kontroll e mbikëqyrje. Si rrjedhojë e krizës globale dhe e këtyre fenomeneve, sot në botë po vihet re një rënie e besimit ndaj qeverive, dhe në këtë kuadër një auditim i mirë, duke kontribuar në rritjen e transparencës ka potencialin të rrisë besimin e qytetarëve tek qeveria e tyre, çka sjell një qeverisje të mirë, me transparente e më të përgjegjshme.
Besimi ndaj qeverisë varet nga tre faktorë: Integriteti, Kompetenca dhe Transparenca. Një auditim cilësor që manifeston të tre këta tregues, ka potencialin të rrisë besimin e qytetarëve tek qeverisja.
Ndërkaq, promovimi i ndershmërisë dhe qeverisja kompetente, është shumë e rëndësishme, por ajo nuk mund të lihet vetëm në dorë të Audituesve, por duhet të jetë detyrë dhe angazhim i të gjithë, aktoreve dhe faktorëve, përfshi zyrtarët e zgjedhur, administratën publike, shoqërinë civile, median, përfaqësuesit e biznesit, etj. 
Sot nevojiten institucione publike dhe agjenci auditimi që e bëjnë punën më mirë për të promovuar ndershmërinë dhe qeverisjen kompetente. Kjo bëhet më e domosdoshme për të mirën e çdo vendi, për popullsinë e tij, për individin, fëmijët dhe nipërit tanë, për të ardhmen tonë..

Të nderuar pjesëmarrës..
Shqipëria, si pjese e këtyre zhvillimeve globale, si një vend që po ecën me vendosmëri drejt të ardhmes së saj evropiane, po përballet me një sërë sfidash, të cilat nuk mund të kapërcehen me sukses, veçse përmes një sërë reformash, në qendër të së cilave është mirëqeverisja. Dhe mirëqeverisja dhe reformat janë një binom i përhershëm i së tashmes dhe së ardhmes. Veç të tjerash ato janë të lidhura me reformat strukturore dhe të prioritizimit të ekonomisë që gjenerojnë punësim, të financave publike dhe sistemit financiar, reformat në sektorin energjitik, reformat në administratën publike dhe në drejtësi, etj , për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndruehëm dhe përmirësim të jetës sociale në vend.
Përballja me këto sfida dhe realizimi me sukses i reformave dhe qeverisja e mire sjellin në vëmendje rritjen e efektivitetit të luftës kundër korrupsionit, evazionit, e mashtrimit financiar. Kjo përmes forcimit të mbikëqyrjes mbi financat publike, si një mjet që ndikon fuqishëm në rritjen e përgjegjshmërisë qeverisëse, e në këtë proces, rolin kryesor, e kanë institucionet supreme të auditimit. Padyshim që roli i këtij institucioni dhe funksionet e tij, në këtë kontekst janë shumë dimensionale, por veç sa theksova nuk mund të mos përmendim edhe një instrument tjetër të rëndësishëm në manaxhimin e drejtë të financave publike, transparencën buxhetore, pasi kjo ndikon në ruajtjen e integritetit dhe rritjen e efikasitetit të shpenzimet publike, për një shpërndarje sa më të drejtë të burimeve publike në funksion të mirë administrimit nga ana e qeverisë. E pra edhe në këtë drejtim roli i institucioneve të larta të auditimit, është i një rëndësie të veçantë.
Dihet jo vetëm nga ana teorike se ka një lidhje të rëndësishme dhe të drejtpërdrejtë midis auditit të jashtëm dhe cilësisë së qeverisjes dhe një influence të tërthortë me performancën financiare të programeve qeverisëse. Pra në konteksin e përgjithshëm, institucionet supreme të auditimit shikohen si një komponent kryesor i sistemit të kontrollit financiar dhe i rritjes se përgjegjshmërisë qeveritare për çështjet financiare. 
Duke vlerësuar ketë forum profesional dhe shkencor me lejoni të shpreh vlerësimin dhe mbështetjen time duke besuar se kjo shërben njëhershi për të konsideruar drejtë rëndësinë e institucioneve të auditit reformat e ndërmarra në këtë drejtim për rritjen e efektivitetit të punës së tyre, efektivitet që kërkon jo vetëm konsolidim institucional por edhe nxitjen e bashkëpunimit ndër-institucional. Ndërkohë që institucionet supreme të auditimit duhet të zhvillojnë aktivitetin në mënyrë të pavarur, kanë nevojë të zhvillojnë marrëdhënie me ato institucione që kanë detyrën e zbatimit të përgjegjshmërisë qeveritare, dhe balancimi i kësaj marrëdhënie është mjaft kompleks por dhe me ndikim në objektivat kryesore që kanë këto institucione.
Tre janë lidhjet më të rëndësishme, në bashkëpunimin ndërinstitucional, me legjislativin, për të imponuar përgjegjshmërinë politike, me gjyqësorin për të imponuar përgjegjshmërinë juridike dhe shoqërinë civile, për të imponuar përgjegjshmërinë sociale. Vetëm nëpërmjet i këtyre lidhjeve ka mundësi të përmirësojë mbikëqyrjen e financave qeveritare. Rëndësi të veçantë ka edhe lidhja midis institucioneve supreme të auditimit dhe komisioneve mbikëqyrëse parlamentare, sidomos ato që kanë të bëjnë me financat publike. Ka një lidhje të rëndësishme midis auditimit të jashtëm, mbikëqyrjes legjislative dhe kontrollit gjyqësor. Ka një nevojë thelbësore për të rritur përgjegjshmërinë qeveritare nga institucionet zyrtare dhe ato jo-zyrtare, nga shoqëria civile dhe nga media, për të frenuar korrupsionin. Forcimi i institucioneve supreme të auditimit, komisionet legjislative për mbikëqyrjen e buxhetit, si dhe agjencitë e integritetit publik financiar është pa dyshim një nga sfidat e mëdha për vendet në zhvillim, pse jo dhe për vendin tonë.
Në këtë këndvështrim bashkëpunimi është punuar dhe po finalizohet edhe nisma e përbashkët e KLSH me Parlamentin dhe Qeverinë për ndryshimet e reja ligjore, në ligjin mbi KLSH që synojnë një përqasje bashkëkohore, evropiane bazuar në standardet e institucioneve ndërkombëtare të auditit, për auditimin e programeve dhe agjensive të qeverisë duke sjellë kalimin nga modeli i vjetër i kontrollit të bazuar në auditimin e pasqyrave financiare, përputhshmërisë dhe rregullshmërisë së transaksioneve ekonomike, drejt ekonomicitetin, eficiencën dhe efektivitetin e shpenzimeve publike, përmes auditimit të performancës apo atë që quhet “value-for-money audits”, apo të IT etj. Natyrisht, misioni i ri i synuar kërkon përkushtim por dhe angazhim të madhe të të gjithë trupës audituese. E rëndësishme është të vlerësohet se kjo përqasje e re nuk mund të lidhet vetëm me dëshirën e mirë por duhet të shoqërohet me reforma edhe në drejtim të rritjes së profesionalizmit dhe forcimit të integritetit të audituesve të tij. Sfidat dhe kërkesat për një model institucional evropian shtrojnë përpara jush përgjegjësi të mëdha të cilat gjykoj se do të keni vullnetin për ti kapërcyer me punë dhe duke u rritur bashkë me këtë institucion që po tregon se çdo vështirësi vetëm e përsos dhe e bën më të ndërgjegjshëm për vlerat që duhet të përçojnë në mirë administrimin dhe transparencën buxhetore. Këtë bindje timen e përforcon edhe kjo përpjekje e konsoliduar për të sjellë çdo përvojë të re dhe shkencore që do të mundësojnë kapacitete profesionale dhe me integritet për t’i bërë ballë sfidave të zhvillimit evropian.

*Fjala e Akademik, Prof. Dr Anastas Angjeli, Deputet, ne Konferencën e III-të Shkencore Vjetore “Auditimi Kombëtar në Shërbim të Qeverisjes Kombëtare”