Platini vizitë në Finlandë, përballet me protestat e shqiptarëve

Ai ka qenë për vizitë në Helsinki por një grup shqiptarësh me flamuj kombëtarë kanë dalë në protestë përpara zyrave të Federatës Finlandeze të Futbollit ku Platini zhvilloi takimet. Sipas mediave finlandeze shqiptarët treguan edhe në Helsinki se janë kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Lapsi.al mësoi se shumica e protestuesve ishin nga Kosova, por ka pasur edhe shqiptarë të tjerë. Ata u mblodhën në qendër të Helsinkit përballë godinës ku Platini u prit me nderime.

“Ne duam drejtësi! UEFA është një mafia! UEFA = paratë e pista! UEFA – korrupsioni! Jo racizmit! Ik Platini! – ishin disa nga thirrjet e protestuesve.

Protestuesit gjithashtu kënduan këngë në gjuhën shqipe. “Ne duam UEFA të anulojë vendimin e dhënë pro racizmit dhe të ndryshojë rezultatin e ndeshjes 3-0 në favor të Shqipërisë – tha një prej protestuesve.

Lapsi.al mësoi se në fillim të protestës, kanë qenë rreth 50 protestues dhe ndonjë kurioz finlandez. Protesta kaloi pa probleme. Në vendngjarje ka pasur edhe dy makina të policisë, por sipas gazetave policët nuk kanë dalë nga makina dhe e kanë ndjekur protestën brenda në makinë edhe për të shmangur temperaturat e ulëta. Disa grupe të tjera tifozësh kanë lajmëruar një tjetër protestë në fillim të nëntorit.