Edi Rama:Do të zhbëjmë Shqipërinë informale me çdo kusht

Ditën e hënë, në orën 08.00 të mëngjesit, Kuvendit do t’i dorëzohet projektbuxheti i ri, në sekondën e parashikuar nga Kushtetuta. Për herë të parë Kuvendi do të ketë gjithë hapësirën kohore të nevojshme për të shtrirë diskutimin mbi projektin e buxhetit të ri me të gjithë grupet e interesit dhe padyshim edhe vetë deputetët për ta diskutuar me të gjithë zgjedhësit, në të gjithë territorin. Ajo çka unë do të veçoja sot, për hir të këtij diskutimi, nga projekti i ri është rritja e pensioneve për pensionistët kryefamiljarë, rritja e ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike dhe rritja e pagës për aftësinë e kufizuar, në funksion të përballimit pa as më të voglën dhimbje të heqjes së fashës së famshme dhe shumë abuzive të 300 kë. Në të shkuarën janë bërë 4 ndryshime në adresimin e çështjes së të ardhurave nga konsumatorët, janë bërë të katërta me rritje uniforme të çmimit. Në të 4 herët është thënë dhe është shkruar në letër se do të ketë kompensim përmes rimbursimit të shtresave në nevojë. Në të 4 herët ata që e kanë pësuar, kanë qenë pikërisht më të dobëtit. Ata që nuk kanë mundur t’u shpëtojnë dhimbjeve të padrejtësisë, kanë qenë pikërisht më të dobëtit. Ata që kanë provuar në kurriz dështimin e skemës së rimbursimit apo kompensimit, kanë qenë pikërisht më të dobëtit.

Ne nuk do të bëjmë as kompensim, as rimbursim. Ne do të rrisim pensionet dhe do të rrisim mbështetjen ekonomike, do të rrisim pagën e aftësisë së kufizuar. Çdo pensionist kryefamiljar do të ketë rritje të pensionit. Çdo familje me ndihmë ekonomike do të ketë rritje të ndihmës ekonomike. Çdo person me aftësi të kufizuar do të ketë rritje të pagës së aftësisë së kufizuar. Askush nuk do të ndjejë asgjë lidhur me heqjen e të ashtuquajturës fashë mbrojtëse, që në fakt është bërë fasha mburojë e hajdutëve të energjisë elektrike, që manipulojnë sahatet, që vënë nga një sahat përkatës për të ulur nën 300kë dhe që e grabisin ditë-natë këtë shtet të dërrmuar nga të katër anët në gjithë këto vite, duke bashkëpunuar në krimin e vjedhjes së 150 milionë eurove në vit dhe të mohimit të mundësive reale për të bërë shumëçka që nuk arrihet të behet, vetëm e vetëm sepse nuk duan të paguajnë atë që konsumojnë.

 

Ne kemi gjetur një Shqipëri informale. Kurora me gjemba e këtij informaliteti që torturon trupin e këtij vendi dhe që nuk e lë këtë vend të ngrejë kokë, është pikërisht grabitja në bashkëpunim e energjisë elektrike. Krijimi çdo vit i një grope që thellohet vit pas viti, duke e turpëruar vendin tonë dhe duke e lënë si të vetmin vend në Europë që s’ngjan me asgjë rreth e rrotull dhe që për të kërkuar dhe për të gjetur ngjashmëri duhet të kthejë sytë në kontinente të tjera dhe në zona të pazhvilluara të kontinenteve të tjera, ku s’ka as shtet, s’ka as ligj, s’ka as rend dhe s’ka as drejtësi. Këtë turp ne do t’ia lëmë atyre që e meritojnë të mbajnë, por ne do t’ia heqim Shqipërisë dhe ne do ta bëjmë Shqipërinë të ngrejë kokë.

 

Këtë gropë, jo vetëm do ta mbyllim, por këtë pasuri të jashtëzakonshme kombëtare që është pasuria në burime energjie do ta kthejmë nga një litar në qafë që rrezikon të mbysë tërësisht vendin, në një burim fitimi.

 

Na duhen 5 vite! 5 vite që të kalojmë nga një fazë ku subvencionojmë me borxhe mbajtjen në këmbë të sistemit dhe humbasim çdo vit mundësinë për të ndërtuar 100 kilometër rrugë kombëtare; humbasim çdo vit mundësinë për të ndërtuar 150 shkolla të standardeve europiane; humbasim çdo vit mundësinë për të ndërtuar 6 spitale moderne rajonale të standardeve europiane; humbasim çdo vit të ardhura të barabarta me të ardhurat nga tatimfitimi i kompanive, i gjithë kompanive shqiptare, njësoj sikur të kishim dyfishin e kompanive në këtë vend; humbasim çdo vit një shumë të barabartë me shumën që i paguajmë të gjithë personave në nevojë; humbasim çdo vit mundësinë që nga kjo pasuri të përfitojnë të gjithë, duke u ngarkuar të gjithë atyre që paguajnë një barrë ende më të madhe, vit pas viti, dhe të kalojmë në një fazë tjetër të historisë së këtij vendi, ku pikërisht nga ky sektor të na vijnë jo humbjet, por përfitimet. Pikërisht nga ky sektor të na vijnë jo vetëm paratë mbrapsht që treten në gropën e hapur me vite të tëra, por të na vijnë dhe të ardhura shtesë për të financuar nevojat e mëdha dhe me vite të tëra të papërballuara dot, të këtij vendi.

 

Kjo është ambicia jonë!

 

Ne nuk kemi pranuar alternativën e rritjes uniforme të çmimit. Ne e kemi parë rritjen uniforme të çmimit në 4 herët kritike që është bërë jo si reformë, por si mënyrën më të shpejtë për të shpëtuar nga kolapsi, jo duke e zgjidhur problemin, por duke e shtyrë problemin. Jo duke bërë reformën, por duke ia lënë atyre që vijnë pas ditën e qametit. Për këtë arsye, ne e kemi refuzuar alternativën e rritjes uniforme të çmimit si një alternativë të dhimbshme, më shumë se ç’duhet dhe se ç’mundet, por dhe se ç‘është e nevojshme për të gjithë ata që paguajnë. Kemi zgjedhur alternativën e heqjes së fashës për të garantuar që ata që paguajnë të mos paguajnë më për ata që nuk paguajnë.

 

Nuk jemi kufizuar vetëm tek ky aspekt. Sepse në të shkuarën është rritur çmimi, por sa janë rritur investimet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike? Mjafton të themi që kemi 20 vjet që e dëgjojmë që jugu i vendit tonë është një nga burimet më të mëdha të mundshme të rritjes ekonomike dhe është një nga perlat e Mesdheut dhe qysh prej viteve ’70 në jugun e vendit tonë nuk është bërë asnjë investim për të siguruar vajtjen normale të energjisë. E dinë mirë të gjithë ata që pushojnë në jug, ashtu siç e dinë mirë të gjithë banorët e jugut, se çfarë lloj energjie marrin dhe sesi dridhet llamba nga pamundësia për t’u ndezur dhe nga pamundësia për të qëndruar fikur.

 

Sikundër, sot kemi trashëguar një sistem ku mungojnë fare, nuk ekzistojnë, rreth 150 mijë matësa, pa llogaritur sahatet e manipuluar nga brenda kompanisë që në bashkëpunim ka parë “rrushi – rrushin dhe është pjekur”. Duke parë që kompania iu dorëzua korrupsionit, në bashkëpunim mes niveleve më të larta të CEZ-it dhe niveleve më të larta të qeverisë, kanë bërë edhe ata pjesën e tyre. Sepse gjithkush që e vjedh energjinë, e vjedh edhe falë elektricistit apo faturistit që shkon atje dhe në këmbim të bakshishit të radhës ha dhe thith shtyllën kurrizore dhe palcën e ekonomisë dhe të shtetit tonë.

 

Sigurisht që gjëja më e shëmtuar, gjëja më e padrejtë, gjëja që duhet fshirë njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut në këtë vend është afrofeja. Por është një masë e përkohshme që e kanë përdorur vijimësisht që të gjithë, për arsyen e thjeshtë se asnjëherë nuk kanë menduar si ta ndërtojnë sistemin. Gjithmonë kanë menduar si ta shtyjnë ditën e qametit. Për arsye se janë sjellë si Lala Gjoni, në vend që të silleshin si udhëheqësit dhe administratorët e një vendi normal. Sa të jetë Lala Gjoni, hani, pini e këndoni dhe pastaj, kur të mbarojë festa, mbytuni të gjithë po të doni se Lala Gjoni e ka mbaruar pjesën e vetë dhe është duke treguar përralla. Kjo nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjedhja jonë.

 

Ne nuk kemi ardhur në qeveri për të shtyrë sa më gjatë qëndrimin tonë në pushtet. Ne kemi ardhur në qeveri për të bërë zgjedhjet e duhura për këtë vend dhe për ta lënë vendin shumë më të fortë dhe shumë më të gatshëm për të shkuar drejt së ardhmes se ç’e gjetëm. Me çdo çmim dhe me çdo kosto, ne duhet të bëjmë reformat e munguara për vite të tëra. Me çdo çmim dhe me çdo kosto, ne duhet të bëjmë modernizimin e këtij shteti. Me çdo çmim dhe me çdo kosto ne do t’i japim shtetin të gjithë atyre që janë njerëz që respektojnë ligjin, janë njerëz që respektojnë taksa, janë njerëz që nuk i shkelin semaforët, janë njerëz që kokulur ndërtojnë jetën e tyre me punë të ndershme. Ne jemi përfaqësuesit e tyre, në radhë të parë. Ne nuk jemi këtu për të vënë gjoba sociale.

 

 

 

Është turp që midis nesh të ketë njerëz që të imagjinojnë nocionin e gjobës sociale. Nuk ka gjoba sociale. Kush shkel semaforin duhet të paguajë. Duhet të paguajë një faturë të kripur që të mos ta shkelë prapë. Historia  e gjobave sociale është historia e korrupsionit dhe vegjetimit në një batak, nga ku ne nuk dalim dot në rast se nuk ndajmë qartë dhe prerë se; detyra jonë është t’u shërbejmë me devotshmëri, të gjithë atyre që zbatojnë ligjin, t’u garantojmë të gjithë atyre që respektojnë ligjin se në rrugën e tyre nuk do të ndeshen me të fortët që janë mbi ligjin. E nga ana tjetër t’u tregojmë të fortëve, se kanë qëndruar mbi ligjin, qoftë dhe kur kanë pasur semaforin përballë, se ajo epokë ka mbaruar.

 

Përndryshe ne nuk jemi asgjë tjetër veçse një zgjatim i një kohe që i ka marrë shumë kohë Shqipërisë dhe që i ka marrë shumë kohë qoftë atyre që janë pensionistë dhe që nuk e kanë merituar që pas 20 e ca vitesh lirie e demokracie të gjenden aty ku janë, por janë aty pikërisht aty se nuk janë bërë reforma që do të sillnin transformimin rrënjësor ekonomik dhe social dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

 

Sepse zhvillimi të cilit i jemi dhënë si të marrë për 20 e ca vjet ka qenë i paqëndrueshëm; prit pyje, shkatërro lumenj, pushto plazhe, kap rrugë, kap rotonda, futu nëpër lagje, ndërto këtu, ndërto atje dhe mos pyet se çfarë vjen mbrapa. Por jemi në kohë, së pari. Kemi një strategji të qartë, së dyti. Vazhdojmë të përfitojmë nga eksperienca e së shkuarës, duke lexuar të gjithë librin e trashë me volume të gabimeve të së shkuarës, të cilat ne nuk kemi për t’i përsëritur. Ne nuk do të bëjmë asnjë ditë, atë që kanë bërë paraardhësit tanë, duke menduar si do të shtyjmë qëndrimin tonë në pushtet dhe duke ia lënë faturat mbrapa pensionistëve, personave me aftësi të kufizuar apo fëmijëve tanë.

 

Ne nuk kemi ardhur këtu as për të qenë të përjetshëm dhe as për të marrë mandate pas mandatesh pa parë se çfarë po ndërtojmë.

 

Ne kemi ardhur këtu për të ndërtuar. Kemi ardhur këtu për të ndërtuar, jo duke bërë ndonjë shpikje të madhe, por duke mësuar nga e shkuara dhe duke e parë të ardhmen me sytë e asaj Europe ku duam të integrohemi.

 

Integrimi europian nuk janë fare, gjëkundi, ato ligjet që  ne miratojmë këtu me shtytjen dhe me bekimin  e Europës. Integrimi europian janë këto reforma dhe janë këto rrugë që i krijojnë mundësi të gjithë shqiptarëve që duan jetojnë me punë në këtë vend  dhe jo atyre që duan të rrinë gjithë ditën në kafe edhe të shajnë kë t’i dalë përpara dhe të tallin kë t’i kalojë nga mbrapa, duke pretenduar se s’mund të bëjmë asgjë tjetër.

 

Integrimi europian është pa diskutim vendosja në binarët e ligjit e të gjithë mënyrës se si ne funksionojmë.

 

Shqipëria informale nuk mund të vazhdojmë më. Shqipëria e ndërtimit mbi trotuare; Shqipëria e zaptimit të rrugëve; Shqipëria e zaptimit të lagjeve, e ndërtimit të qebaptoreve ngjitur me dhomën e gjumit të tjetrit dhe e nxjerrjes së tymit poshtë krevatit ku fle tjetri, nuk mund të vazhdojë më. Shqipëria e cila është dyndur nga ajo shëmti e tmerrshme që quhet edhe  biznes, medemek, që këtu po lulëzon biznesi mbi trotuare, po lulëzon biznesi në kurriz të pensionistëve e në kurriz të fëmijëve, e po lulëzon biznesi duke zënë rrugët e zjarrfikëseve e po lulëzon biznesi  duke i bërë anët e rrugëve kombëtare sikur janë korridori i ndonjë mejhaneje gjigande në një nga vendet më të bukura të Mesdheut, nuk mund të vazhdojë më.

 

Kush thotë se ne duke prishur ato që duhet t’i kishin prishur,-madje nuk duhet t’i kishin lënë të ndërtoheshin, bashkitë, duke filluar nga bashkia e Tiranës,- po dëmtojnë biznesin, po mbyllin vende pune, le ta kujtojnë se sa shumë u dëmtua biznesi kur u shkatërrua autokolona e ndërtimeve pa leje mbi lanë dhe le të kujtojnë se sa shumë u varfërua Tirana, kur të gjithë ata që kishin ato ndërtime abuzive të shëmtuara, të pista mbi lanë, me paratë  e tyre shkuan dhe u futën në rrugën e normalitetit dhe bënë investimet e duhura.

 

Nuk humbi asgjë Tirana, nga ato operacione. Përkundrazi, u kthye në një vend që përfitoi shumë më tepër qoftë qyteti, qoftë cilido nga ata që kuptoi se mbaroi loja dhe që ishte një epokë e re që duhet të fillonte.

 

Thënë të gjitha këto, përfitoj nga rasti që të shtoj edhe një element tjetër. Është për të ardhur keq, realisht është për të ardhur keq, që të gjithë ata që minimalisht duhet të heshtnin për të mos thënë duhet t’u vinte zor që t’i dalin popullit përpara për t’i thënë se çfarë thagmash po bëjmë ne dhe që realisht mashtruan për vite të tëra, duke thënë se sa të jetë Lala këtu, jo do ta merrni energjinë nga të doni, se edhe po e vodhët, s’ka gjë se ju mbron Lala, se Lala nuk do të lejojë asnjë që të vijë dhe t’ua u bëjë juve ashtu siç ju nuk doni. Gjëja që shohim se në rrugën e çlirimit të trotuareve, e çlirimit të rrugëve, e çlirimit të hapësirave publike ndeshim me ndërtime abuzive të shëmtuara të legalizuara dhe të hipotekuara që i shesin si ruajtje selektive. Turp më të madh nuk ka. Ndërkohë që gjëja më e thjeshtë do të ishte që në rast se ato ngrehina që i nxjerrin në televizor dhe dalin e bëjnë edhe ato recitimet te shtëpia e ushtrisë do të ishin vërtet selektive, fare thjeshtë do të duhej të bënin detyrën e  tyre; të çonin fadromën dhe ta bënin aty deklaratën që “kjo është selektive, ja si po e prishim ne dhe ja se si e lanë ata që janë sot në pushtet”.

 

Por fakti është që e vërteta është komplet ndryshe. Jo vetëm që kanë lënë të bllokohen shumë hapësira, por ia kanë faturuar popullit shqiptar, jo në formën e pengesës, por në formën e parasë. Sepse për të gjitha ato legalizime dhe të gjithë ato hipoteka nuk mund të bëhen prishje, duhen bërë shpronësime. Kemi bërë shpronësime në krah të Universitetit të Tiranës. Aty, ku ata çibanët e vegjël u bënë të mëdhenj dhe e rrethuan Universitetin njësoj siç e rrethon tumori zemrën me metastaza. Ishin të paprishshme ndryshe, sepse kishin marrë legalizimin në fund të gushtit, pra kishin dy muaj që kishin humbur zgjedhjet dhe hipotekën në fillim të shtatorit, para se të fillonte punë qeveria e re. Pra, duhej bërë shpronësimi e kështu duhej vepruar se nuk ka rrugë tjetër; siç kemi bërë shpronësimin për të gjithë trasenë e Lungomares së Vlorës, siç do të na duhet të bëjmë shpronësimin për të liruar sytë e Lezhës nga disa lloj ngrehinash që janë bërë si farsë betoni dhe nuk lënë të shohësh fare që ka qytet mbrapa, nuk të lënë ta shohësh fare as Memorialin e Skënderbeut, kur do të shkosh për në Shkodër se janë ngritur përmbi lumë dhe në buzë të rrugës. Mirëpo janë legalizuar dhe hipotekuar. E nëse nga qindra mijëra legalizime në 8 vjet janë legalizuar 20 e pak mijë ndërtime, fatkeqësia kombëtare është se shumica e këtyre ndërtimeve nuk janë ndërtimet e atyre që kanë ndërtuar shtëpi për të futur kokën, nuk janë ndërtimet e atyre që kanë ardhur nga zonat e varfëra dhe të largëta për të ndërtuar një jetë më të mirë. Nuk janë ndërtimet e atyre që nuk kanë mundësi tjetër për të shkuar përpara, përveçse të marrin titullin e pronësisë; nuk janë në zonat informale. Janë pikërisht ndërtime për biznes, ndërtime për qëllim fitimi.

 

Shikoni hyrjen e aksit më strategjik turistik të Shqipërisë, hyrja për në plazhin e Durrësit, ku dynden masat më të mëdha të turistëve. Kur ngjiteni nga rotonda shikoni poshtë dhe parafytyroni që ka një magazinë drush që i është ngjitur rotondës e legalizuar, e me hipotekë. E sot ajo duhet shpronësuar se përndryshe shkon në gjyq dhe ta shumëfishojnë faturën. Këta janë përgjegjës për një krim të madh ekonomik, që i kanë lënë pas jo qeverisë, as deputetëve, por ia kanë lënë pas çdo shqiptari që kontribuon me taksat e veta buxhetin, sepse përmes buxhetit duhen paguar gjithë ata pronarë të sajuar me magazina drush që kanë pasur kurajën të zaptojnë rrugën dhe që kanë gjetur lidhjet e tyre o me parti, o me para, o me shaban, për t’u bërë pronar.

 

Kjo është historia që ne kemi trashëguar, por kjo është historia që ne duam të mbyllim. E në këtë histori asgjë nuk mund të bëhet ndryshe nëse ndryshimi rrënjësor nuk ndodh dhe nuk konsolidohet në marrëdhënien me pasurinë më të madhe kombëtare që Zoti (kush beson në Zot) apo natyra ua ka falur shqiptarëve dhe që është energjia, burimet e energjisë.

 

Jemi vendi i dytë në botë për forcë potenciale energjitike pas Norvegjisë. Norvegjezët sot janë superfuqi botërore, ndërsa ne jemi shëmbëlltyra më e praparanueshme në sytë  cilitdo që hedh sytë për të parë se çfarë  bëjmë ne  me këto burime dhe me këto pasuri, sepse jemi hajdutët e vetvetes, për vite të tëra. Epo vjedhjen e vetvetes ky vend nuk mund ta mbajë më përsipër. Unë jam shumë krenar që jemi të gjithë pjesë e një shumice që ka marrë përsipër që t’i japë fund kësaj vjedhje të vetvetes. Jam i bindur se siç po tregojnë jo shifrat e arrestimeve, por shifrat e arkëtimeve të vetëm tre ditëve të këtij operacioni se ndryshimi do të jetë i madh dhe se ndryshimi do të jetë i qëndrueshëm. E pikërisht, sepse morëm përsipër të bëjmë këtë gjë, ditën e hënë ne do të firmosim mbështetjen e parë financiare masive për sektorin e energjisë, mbështetje që nuk i është dhënë për vite të tëra qeverisë paraardhëse, pikërisht se institucionet financiare nuk mbështesin financiarisht Lala Gjonin. Nuk mund ta mbështesin dot filozofinë e Lala Gjonit.

 

Sot kjo mbështetje vjen si pasojë e kredibilitetit që ka gjithë plani i reformës, për të kaluar nga një situatë ku ne paguajmë sikur të kishim një mallkim, paguajmë nga xhepi sepse jemi të pasur në burime energjitike, në një situatë ku ne të marrim në xhep, sepse kjo pasuri është një pasuri që mund të nxjerrë dhe do të nxjerrë fitime për këtë vend, nëse gjithë plani ynë dhe elementë të planit që shkojnë nga ndalimi i vjedhjes tek investimet, tek masat e zgjuara se sigurisht tek ekspansioni në treg, do të kenë vendosmërinë tonë dhe mjafton vendosmëria jonë për të pasur suksesin e duhur. Sepse, fatmirësisht nuk kemi asgjë për të shpikur, por vetëm kemi për të bërë me vendosmëri, vendosmëri, vendosmëri. Le të thonë çfarë të duan, le të mendojnë çfarë të duan. Detyra jonë nuk është të shtyjmë ditët në pushtet duke lënguar. Detyra jonë është ta shfrytëzojmë qëndrimin tonë në qeveri për të mos lejuar më që Shqipëria të lëngojë, siç ka lënguar 20 vjet.

 

***

 

Kryeministri Edi Rama, ndërhyrja pas fjalës së Kryetarit të grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi:

 

Dua të falënderoj shumë Kryetarin e Grupit, sepse me çka trajtoi, më solli dhe mua në vëmendje dy elementë të cilët unë nuk i preka në fjalën time. Nga ana tjetër, na ndihmoi që të shpjegojmë për njerëzit edhe mbi këta elementë, sepse dizinformimi është shumë i madh edhe përpjekja për të nxitur pakënaqësinë tek njerëzit nga ata që deri dje kishin përgjegjësinë që të administronin këtë pasuri kombëtare, është natyrisht e pandashme.

 

Thënë këto, do të doja të thosha pse ky operacion, që nuk është aksion është operacion, filloi tani. Pse nuk filloi menjëherë, 1 vit më parë apo pse nuk filloi 6 muaj më parë. Për një arsye themelore dhe për disa arsye të tjera që janë, besoj unë, dytësore, por po kaq të rëndësishme.

 

Arsyeja themelore është se kompania ishte në një konflikt ligjor. Kompania vërtetë kishte mbetur në duart e shtetit, por nuk ishte kompania e shtetit. Ishte një kompani private, e privatizuar ashtu siç është privatizuar dhe në këtë rast, besoj, nuk është pavlerë të kujtohet se ne, në atë kohë, qartësisht e analizuam atë privatizim dhe e thamë me plot gojën që do të ishte një privatizim i dështuar, që nuk do të sillte atë përmirësim që normalisht privatizimi pretendohet se duhet të sjellë, por do të sjellë përkeqësim.

 

Fakti është që kur kompania u privatizua me argumentet se një kompani private do të mund të ishte shumë më e pandikuar nga politika, nga lidhjet klanore, farefisnore e ku di unë se çfarë, të gjitha këto shumë influencuese në gjithë këtë vjedhje të madhe, do të ishte shumë më efikase në ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, do të ishte shumë më e garantuar në procesin e bërjes së investimeve dhe do të ishte po ashtu më e lirë nga pikëpamja e hapësirës së veprimit për të manovruar si një aktor në treg dhe jo si një degë elektorale e partisë në pushtet. Të gjitha këto, në fakt, nuk u vërtetuan. U vërtetua e kundërta. U vërtetua që kompania nga 34 % humbje dhe vjedhje, shkoi në 45 %, duke kapur një shifër rekord pas vitit  ’97. U vërtetua që kompania nuk bëri investimet që kishte marrë përsipër.  Fakti që la pas një rrjet më të amortizuar se ai që kishte gjetur e aprovon këtë.  U vërtetua që kompania nuk i shpëtoi ndikimit politik, por përkundrazi, u fut në një marrëdhënie perverse me pushtetin, duke ndërtuar sëbashku një skemë korrupsioni politik dhe financiar.

 

Nxjerrja jashtë e kompanisë, ashtu siç ajo u nxor, në mënyrë të dhunshme dhe pa u përgatitur një proces që do të na jepte mundësinë si shtet që të bënim avokatinë e palës sonë, në rast të një arbitrazhi. Avokatia e palës mund të bëhej vetëm bazuar mbi dokumentacion dhe fakte, jo me fjalime. Kështu ne e gjetëm kompaninë në një konflikt, në një konflikt ligjor që na bënte të pamundur investimet, na bënte të pamundur asnjë lloj mbështetje nga organizma dhe institucione financiare që sot kanë akorduar fonde të konsiderueshme investimesh. Na bënte të pamundur, po ashtu edhe nxjerrjen e gjithë kësaj strukture jashtë ndikimeve të natyrshme politike apo klanore, apo farefisnore e kështu me radhë. Por ndërkohë, kush e ka ndjekur procesin dhe kush i ka parë shifrat, sepse janë bërë publike, kompania brenda këtij ngërçi nuk ka qëndruar në pasivitet. Përkundrazi, dhe ajo që Kryetari i Grupit e citoi me besnikëri si shifër, rënia e konsiderueshme e humbjeve në raport me katrahurën dhe me shifrat alarmante të momentit kur ne e morëm Qeverinë është rezultat i mirëadministrimit të kompanisë. Ka një rënie të vazhdueshme të humbjeve. Ka një rritje të vazhdueshme të arkëtimeve. Ka një rritje të besueshmërisë, pa dyshim! Kush ka ndjekur shifrat e njerëzve të akuzuar për vjedhje të energjisë, apo të njerëzve brenda kompanisë të akuzuar për bashkëpunim në vjedhje, mund ta verifikojë fare lehtë se operacioni nuk ka filluar tani si një aksion, apo si një hap i parë. Operacioni është një përshkallëzim i një procesi të nisur që ditën e parë që është marrë kompania në administrim, ku ne kemi konstatuar një sërë gjërash. Ky Kuvend përpara sesa të mbyllej miratoi një ndryshim në Kodin Penal. Ndryshim në Kodin Penal që e propozuam ne, që e propozoi Ministri i Energjisë, bazuar tek fakti se konstatuam që ndëshkueshmëria e gjithë atyre që çoheshin përpara drejtësisë për vjedhje të energjisë, apo për bashkëpunim në vjedhje nga kompania, ishte zero. Duke përfituar nga hapësira që linte Kodi Penal dhe duke trajtuar këto hapësira, si hapësira për korrupsion. Faktikisht, unë mund t’ju jap një shifër. Kjo kompani, nën këtë administrim, në 1 vit ka prerë mbi 600 mijë lidhje të paligjshme. Një strukturë e sakatuar, e lënë rrugëve, pa zot, me pronarin jashtë shtetit që kërkonte dëmshpërblime kolosale për mënyrën sesi u përzu dhe në një proces administrimi shumë heroik, do ta quaja unë, nga një grup i vogël njerëzish.

 

Në kushtet e mungesës së plotë të një reforme brenda strukturës, 600 e ca mijë lidhje të paligjshme dhe asnjë i dënuar. Nuk e kam numrin e saktë të atyre që kanë vajtur në Prokurori, por janë shumë. Janë mjaftueshëm. Janë shumë më shumë se këta që janë kapur këto ditë dhe që do ta kenë fatin pak më ndryshe. Sepse Kodi Penal që ne miratuam dhe që hyri në fuqi në 19 gusht, sanksionon që kush vjedh energjinë nuk ka as nga 1 deri në 3, as nga 3 deri në 5, as gjobë, ka 3 vjet burg. S’ka fare diskrecion gjykata. Sepse u vumë përpara faktit që gjykatësit përpara hajdutëve të energjisë rrinin si lypësat tek stacioni i trenit, me dorën shtrirë dhe prisnin monedhën që ta linin hajdutin të vazhdonte rrugën. Kanë lënë njerëz të kapur për vjedhje energjie, gjoja në gjendje të lirë dhe pastaj të pafajshëm, me 2 mijë lekëshe e me 3 mijë lekëshe e me 5 mijë lekëshe. Kështu që të jemi shumë realist, operacioni ka nisur në kohën e duhur dhe nuk do të mbarojë në fund të vitit.

 

Kështu që të jemi shumë realist, operacioni ka nisur në kohën e duhur dhe nuk do të mbarojë në fund të vitit. Operacioni do të jetë konstant. Procesi i nisur do të jetë një proces që do ta shoqërojë kompaninë deri kur çështja e vjedhjes së energjisë të mos jetë më një çështje kombëtare dhe kur hajdutët e energjisë, të mos jenë një kolektivitet hajdutësh dhe faturistësh, por të jenë njësoj si në çdo sektor tjetër të krimit, njerëz që marrin përgjegjësinë e tyre dhe shkojnë në burg. Kjo është e padyshimtë.

 

Sot ne ngremë njësinë operacionale speciale në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Energjisë. Çfarë është kjo njësi. Është një njësi jo policësh, as operativësh të krimit ekonomik, por është një njësi inxhinierësh dhe elektricistësh e pavarur nga kompania që do të ketë mision vetëm ndjekjen dhe kapjen e të gjithë atyre lidhjeve të paligjshme apo manipulimeve në matësit e energjisë, që janë fryt i bashkëpunimit mes hajdutit dhe faturistit, apo hajdutit dhe elektricistit të kompanisë. Janë disa punonjës të arrestuar në këto tre ditë. Pa as më të voglin dyshim e kemi shumë të qartë që nëse do ta izolojmë kompaninë nga kjo hajdutëri e madhe dhe do ta bëjmë shumë të qartë pjesën ligjërisht, strukturalisht, jo thjesht se mund të kapen, që kush bashkëpunon të kapet, -për bashkëpunimin në kodin penal kemi vendosur 5 vjet, – atëherë me siguri ne do të kemi një ndryshim shumë të shpejtë, që ka filluar të ndjehet sepse shumë nga ata që kanë bashkëpunuar që të bëjnë lidhjet e paligjshme apo për të manipuluar, po vrapojnë tani të çmontojnë lidhjet e paligjshme se thonë po na vjen te dera policia.

 

E kështu, ata nga bashkëpunëtorë të hajdutëve, do të jenë bashkëpunëtorë shumë të zellshëm, mendojmë ne, në këtë proces.

 

Kjo është arsyeja pse të gjithë këto gjëra duhen parë së bashku, nuk duhen parë të shkëputura. E më duhet të them se ulja e humbjeve, ajo shifra që përmendi Kryetari i Grupit, nuk është e thjeshtë, është spektakolare. Duke pasur parasysh të gjithë rrethanat dhe duke pasur parasysh një fakt, që unë e përsëris, e që është tregues kuptimplotë i rrugës së drejtë që ne kemi zgjedhur, që ditën e hënë firmosim 150 milionë dollarët e parë si mbështetje financiare për të investuar në këtë kompani. Askush nuk investonte në këtë kompani pa u zgjidhur konflikti ligjor. E gjithkush, BB, FMN, grupi i ekspertëve që këshillonte qeverinë nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard, nënvizonte domosdoshmërinë për të zgjidhur konfliktin ligjor në rrugën që u zgjidh. E zgjidhja  e konfliktit ligjor në rrugën që u zgjidh, ndryshe nga çfarë thotë pala tjetër, jo vetëm që ka marrë komplimente nga gjithë këto institucione se u ka hapur rrugën mbështetjes financiare. Një mbështetje financiare që vjen edhe si integritet i këtij procesi se përndryshe nuk mund ta merrnim dot. Është kësti i parë dhe ecuria e të cilit shpresojmë shumë që do të na japë në fund të vitit të ardhshëm edhe 150 milionë të tjera. Ta bëjmë 300 milionë. E që do të jenë investime për t’i dhënë fund njëherë e mirë afrofeve e për të kaluar në një situatë tjetër. Paralelisht me këtë, ne jemi në diskutime me kompanitë më të mëdha të botës, më prestigjioze në botë, me suksese në vende si i yni, se nuk ka shumë dallim, nuk është shumë më e lehtë të thuash se ka sukses në Danimarkë dhe ka sukses edhe këtu, -por me sukses në vende si i yni,-  për të hyrë në ciklin  e teknologjisë së re. E për të bërë atë që u bë në Korçë e që është një shembull spektakolar se si teknologjia e re mund të transformojë tërësisht marrëdhëniet mes një kompanie shtetërore apo jo shtetërore, pak rëndësi ka, me konsumatorin. Vendosja e sistemit të teknologjisë së re para se të bëhej investimi me ujin, solli, e para, rënie të ndjeshme të konsumit të ujit, sepse të gjithë kuptuan që çdo pikë do të paguhej e kështu nuk e lanë të lirë ujin që të lante rrugët e të vadiste bahçet. E nga ana tjetër solli që çdo konsumator të marrë faturën që i takon për aq pika uji sa harxhon. Kjo është faza ku ne do të hymë. Kur fola për 5 vjet, nuk vura një afat as elektoral, as publicistik, por fola për të gjithë hapat e reformës sonë. Operacioni i nisur ishte i parashikuar ekzaktësisht të niste pas mbylljes së konfliktit ligjor, e për shkak se mbyllja e konfliktit ligjor nuk ishte e gjitha në dorën tonë, e për shkak se i gjithë procesi i dorëzimit të akteve dhe të fakteve që ka përfunduar i gjithi në fund të shtatorit, nuk ishte i gjithë në dorën tonë, harku i fillimit të këtij operacioni masiv ishte përcaktuar harku nëntor-dhjetor. Ne filluam pak më shpejt se nëntori pasi ishim gati.

 

Kështu duke falënderuar Kryetarin e Grupit për nxitjen e mëtejshme të këtij diskutimi që na ndihmon të shpjegojmë më mirë për publikun gjithçka që po bëjmë  dhe duke e miratuar plotësisht atë që ai tha se është me fort rëndësi që ne t’i zhvillojmë këto seanca edhe për interpelanca, edhe për diskutime që na ndihmojnë të përcjellim një informacion, të përcjellim vizionin dhe problemet me të cilat ne përballemi tek publiku, gjë që me mungesën e opozitës është më e vështirë, unë dua të shpreh vlerësimin tim më të lartë për ministrin e energjetikës, ministrin e brendshëm, ministrin e mirëqenies sociale, të ministrin e ekonomisë dhe të gjithë grupit që duhet të jenë sot krenarë për faktin se ia kemi dalë të vendosim sot këtë proces në atë rrugë që nuk është më rruga pa fund e 20 viteve, por është rrugë që ka stacione dhe ka mbërritje absolutisht të sigurt dhe të suksesshme jo për qeverinë, por për mbarë vendin tonë.

 

 

(Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare)