Fevziu: Kam kohë për të gjitha pasionet e mia!

 Blendi Fevziu tashmë është një ikonë e gazetarisë shqiptare dhe një fyrmëzim për të rinjtë që duan të merren me gazetari dhe publicistikë.

Ka intervistuar një sër personalitetesh të politikës në vend dhe asaj ndërkombëtare. Ka arritur që të përballë në studion e Opinion kundërshtarët më të fortë politik të kohës, si Nano dhe Berisha.
Fevziu është shquar për një stil të veçantë në të shkruar.
Ai është është autor i disa libravë dhe qindra opinioneve dhe analizave në shtypin e shkruar dhe televiziv. Në këtë intervistë për tvklan.al Fevziu rrëfen disa detaje nga puna e tij e përditshme, marrëdhëniet që ka më të bijën Mishelin dhe pasionet e tij.
Blendi emisioni Opinion nga të gjitha sondazhet e deritanishme është më i ndjekuri në Shqipëri. Sa sadisfaksion iu fal ky fakt dhe sa punë fshihet pas kuintave?

Nuk do të doja të përdorja superlativen “më i ndjekuri”. Ka shumë emisione që ndiqen masivisht në Shqipëri. Opinion hyn ndër këto emisione dhe kjo padyshim më jep kënaqësi. Sa për punën, që të jesh 4 herë në javë në transmetim direkt përbën një problem jo të vogël dhe kërkon më shumë punë se sa vërehet nga transmetimi.

Temat që zgjidhni të trajtoni në Opinion shpeshherë krijojnë debate shumë të nxehta. A është vështirë të menaxhoni situata të tilla?
Deri tani jo. Ka momente kur durimi hollohet, ka momente që nervozohem, por kaq.

A ndodh që të ftuarit t’ju “tradhtojnë” në momentin e fundit?
Zakonisht jo! Problem është ta konfirmojnë. Por ka raste që ka qëndrime politike kur palët tërhiqen. Psh në emisionin për përgjimet ata u tërhoqën rreth orës 4 pasdite ndërkohë që emisioni fillonte në 9 të darkës.

Cili ka qenë emisioni që le të themi keni patur pak pritshmëri dhe në fakt iu ka ndodhur e kundërta, audienca ka qenë “On the Top”?
Ka disa të tilla. Tipiku ka qenë ai i Marsit 2009 kur një emision për “ngjarjen Pango” dhe shkarkimin e tij si ministër, u shndërrua nga një emision me jo shumë pritshmëri në emisionin më të ndjekur Opinion që nga koha që ne masim audiencën. Besoj se i vetmi emision që mund të ketë pasur më shumë shikueshmëri se sa ai ka qenë debati Nano – Berisha i 31 Janarit 2002. Këtë vit, sërish emisioni më i ndjekur ka qenë ai që u zhvillua një ditë pas ndeshjes Serbi – Shqipëri me praninë e Presidentit të FSHF – së, Trajnerit De Biazi, të disa futbollistëve të kombëtares dhe disa të pranishmëve në atë ndeshje.

Ju ishit një ndër gazetarët që shoqëruat, Papa Françeskun gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe patët mundësi të flisnit më të. Si do ta përkufizonit figurën e Atit të Shënjtë dhe personalitetin që e karakterizon atë?
Në aq pak kohë sa kontaktova me të m’u duk se shpërndante një mirësi dhe sens drejtësie. Nuk kishte misticizmin e Papa Gjon Palit të II që po ashtu e kam takuar në vitin 1999, por me siguri ju them që përçonte një lloj besimi që nuk e gjen kollaj tek njerëzit e rëndësishëm sot.

A keni shembuj që i ndiqni në gazetari?
Ka disa, por kryesisht të huaj.

Çfarë mendon Fevziu kur shikon se shumë përpiqen ta imitojnë në moderim dhe mënyrën e të bërit gazetari?
Nuk e kam vënë re këtë gjë. Edhe nëse ndodh është fare normale. Të gjithë imitojmë nga pak.

A ekziston censura në media?
Besoj se po. Por për këtë duhet të pyes i gazetarët që hyjnë rishtaz në këtë profesion që me gjasë e kanë shumë më të vështirë se sa ne.

Dukë qenë se jeni drejtuesi i një emisioni shumë të rëndësishëm, si e menaxhoni kohën tuaj jashtë ekranit?
Shumë kënaqshëm. Kam kohë për të gjitha pasionet e mia, që nga leximi, e shkruajtura e deri tek udhëtimet.

Keni menduar të hiqni dorë nga Televizioni?
Ende jo!

Si gazetar profesionist dhe autor i disa botimeve, si ju duken të rinjtë në gazetari?
Nuk është se unë ndjek kaq mirë të rinjtë dhe dua t’ju them një gjë. Unë nuk besoj se ka gazetarë të rinj apo gazetarë të vjetër. Ka gazetarë të mirë dhe gazetarë mediokër. Ka gazetarë me ndikim dhe gazetarë që bëjnë këtë punë thjeshtë sepse kjo punë ju ra. Mosha është thjeshtë konvencion. Edhe pse eksperienca i ndihmon jo pak ata që e kanë.

A mendoni se brezat që po vijnë janë premtues?
Gjithnjë brezat që vijnë janë më të mirë se sa ata që ikin. Mos kini dyshim për këtë. Thjeshtë janë ndryshe dhe reflektojnë kërkesat dhe stilin e kohës…

Blendi është babai i një vajze, cila është marrëdhënia që keni me Mishelin?
Besoj e kam një marrëdhënie shumë të mirë!

A është kritike ndaj jush, ka raste kur i jepni të drejtë?
Kohët e fundit po, ka nisur të bëhet më kritike dhe më e rreptë. Shpesh këmbëngul për detaje që mua më duken të pranueshme ose “të falshme”. Ndaj ju thashë më sipër që brezi i ri është padyshim më i mirë se sa ne…

Do dëshironit që vajza juaj të ndjekë rrugën e Gazetarisë?
Kjo është një çështje që i takon asaj. Unë do të isha i kënaqur me çdo profesion që ajo do ta pëlqente, që do ndihej komode e që mbi të gjitha, do të dinte ta bënte mirë.

Shpesh jeni komentuar në media si njeri me shumë shije të hollë përsa i përket mënyrës së të veshurit, si në ekran ashtu edhe në jetën e përditshme. E kujt është merita?
Kjo besoj se hyn tek ekzagjerimet e zakonshme të medias. Thjeshtë dikujt që rri në ekran, veshja i bie më në sy se sa dikujt tjetër që nuk e ka këtë shans. Tirana eshtë e mbushur me djem dhe vajza që vishen në mënyrë të përsosur.

A shpenzoni shumë?
Gjithnjë më pak se sa mund të mendoni ju!

Cilat janë tre gjera që nuk keni mundur t’i realizoni asnjëherë në jetë?
Përderisa jam akoma aktiv, nuk mund të them që kam gjëra të parealizuara. Ditën që do largohem nga ekrani do t’ju them se cilat janë gjërat që nuk bëra dot. Me siguri do jenë shumë më tepër se sa 3!

Pengu më i madh që keni?
Nuk di ta them këtë moment, por s’ka asnjeri në botë pa pengje!

Intervistoi: Vilma Kërçiku. TV Klan