A do na mjaftojnë burgjet për të gjithë vjedhësit e energjisë…?

Sfidat që ka marrë përsipër Qeveria e zotit Rama janë vërtetë shumë të vështira dhe njëkohësisht të një rëndësie jetike për të ardhmen e Shqipërisë. Duhet kurajë e madhe t’u futesh këtyre punëve e rreziqeve të akumuluara gjatë, duhet besim e urtësi e madhe ta ndërmarrësh këtë aksion sot, kur kriza ekonomike është në kulmin e saj. Por nuk mjaftojnë vetëm këto. Duhet dhe një organizim i madh, duhen njerëz të përkushtuar dhe duhet të kesh mbështetje të gjerë në popull. Me që ra fjala, si është sot situata në popull..? E dimë që një pjesë e madhe e shqiptarëve janë mësuar tash 25 vjet të mos e paguajnë energjinë elektrike, duke përfituar nga të gjitha “qeveritë e rrumpallës” që kanë administruar punët e shtetit në këtë vend. Është e lehtë gjithashtu të kuptohet se aksioni kundër vjedhësve të energjisë elektrike është shumë më i madh dhe më i vështirë se ai i Lazaratit të drogës.

 Lazarati i energjisë është i shtrirë në tërë vendin dhe vjedhja e energjisë është shumë më e sofistikuar se mbjellja e drogës. Fijet jashtë matësve janë nën tokë e mbi tokë, jashtë e brenda mureve, janë lidhur me e pa punonjësit e Ndërmarrjes së Shpërnadrjes, janë në fshat e në qytet, në mal e në fushë, në çdo pallat, shtëpi private, biznes etj. Shifrat tregojnë se janë afro 600 mijë vjedhës të energjisë elektrike nëpër Shqipëri, të cilët vjedhin afro 150 mln euro në vit buxhetit të shtetit dhe gjithë shqiptarëve të tjerë që e paguajnë rregullisht atë. Për këtë arsye një pjesë e madhe e shqiptarëve rrinë e mbajnë frymën këto ditë, duke pritur a do ta kapërcejë Qeveria Rama edhe këtë greminë të madhe të lënë nga qeveritë paraardhëse të papërgjegjshmërisë, të paaftësisë,të anarkisë dhe kaosit. Por, nga ana tjetër, besoj se nuk është e vështirë të kuptohet se pjesa më e madhe e shqiptarëve është pro rregullit,pro ligjit dhe pro shtetit. Pas marrjes së “kështjellës së drogës” në Lazarat, pjesa më e madhe e njerëzve po rifitojnë besimin te ligji dhe po kuptojnë se pa rregull nuk vjen asgjë, se në rrugën ku na pat futur për së dyti herë Berisha, po na priste gremina e dytë e madhe. Problemi është se paligjëshmeria këtu është bërë mal dhe njeriu nuk di nga t’ia fillojë më parë. Pastaj mendo, të kesh edhe opozitën kundra për çdo gjë. Ajo ka kohë që tashmë bën opozitë, duke mbajtur anën e së keqes. Opozita verbohet dhe nga çdo sukses i Qeverisë dhe bën ç’mundet për ta penguar atë, pasi e di mirë se ashtu siç ka qeverisur ajo Qeverinë me Berishën dhe Bashkinë me Bashën, do t’i vijë radha vonë të riktheje besimin e shumicës së shqiptarëve për vete.                                                                                      

Do të ketë 2 vjet burg për vjedhësit dhe 5 për faturuesit, tha Kryeministri në takimin e madh para nisjes së stuhisë kundër Lazaratit të vjedhësve të Energjisë. Kodi Penal është përshtatur për këtë vepër penale dhe vërtetë tani duket se nuk po bëhet shaka me këtë punë. Madje në shumë qytete aksioni i burgosjeve të hajnave të energjisë ka nisur. Por unë dua të ndalem në një pikë të dobët të këtij ligji dhe të këtij aksioni. Janë afro 600 mijë vjedhës që vjedhin sot afro 40% të energjisë dhe sipas ligjit i takon secilit të shkojë në burg. Nuk është shumë e vështirë të kuptohet sa energji ka vjedhur çdo kush. Me pak llogari të thjeshta mund t’i bëhet me shumë përafërsi fatura e vjedhjes secilit. Pra, nëse do ta zbatojmë vërtetë këtë herë ligjin, duhet të mendojmë se mund të shkojnë në burg afro 600 mijë shqiptarë, çka më duket e pamundur. Edhe po të ishte e mundur, do të kishte kosto e pasoja të mëdha për Qeverinë Rama-Meta dhe stabilitetin e vendit. Pastaj burgu ka dhe një anë tjetër medalje të rëndë për ekonominë. Ne duhet t’i mbajmë të burgosurit në burg. Janë afro 5 mijë euro në vit shpenzime për një të burgosur. Kështu që, prej vjedhësve të energjisë e pësojmë dy herë: e para, se na kanë vjedhur energjinë. Dhe e dyta, se duhet t’i mbajmë në burg. Për këtë arsye mendoj se frikësimi me burgje mund të bëjë efekt pozitiv deri një ditë, por nëse nuk do t’i fusim vërtetë në burg vjedhësit, kjo do të bënte efekt të kundërt me aksionin. Vjedhësit do ia merrnin shpejt dorën edhe kësaj qeverie dhe do t’i riktheheshin zanatit të vjetër. Gjëja më logjike më duket arrestimi i përkohshëm i hajdutëve më problematikë, sipas shkallës së dëmit që kanë bërë dhe mbajtja e tyre në paraburgim apo në burg deri ditën e likuidimit të plotë të faturave dhe gjobës përkatëse. Shlyerja e burgut dhe e dëmit të shkaktuar me para në dorë, ka efekt më të madh se çdo lloj dënimi tjetër si për vjedhësit, po ashtu edhe për shtetin dhe pjesën e shëndoshë të shoqërisë. Gjithashtu në këtë aksion nuk ka se si të mos merren para sysh edhe disa kategori njerëzish, siç janë familjet në pamundësi reale ekonomike për ta paguar energjinë,të cilët asistohen sot nga shteti për ushqimin. Kjo fashë e dobët e shoqërisë nuk mund të dënohet edhe pse me ligj quhet vjedhëse e energjisë, si gjithë të tjerët. Pjesa më e madhe e shteteve krahas ushqimit këtyre u asiston edhe aq energji, sa t’u mjaftojë për gjërat më të domosdoshme. Pra ideja që kam është sa më pak njerëz në burg dhe sa më shumë dënime me para,pasi vërtetë jo vetëm nuk na dalin burgjet për gjithë këto vjedhës,por çdo hajdut i energjisë do na dëmtonte dy herë nëse shkon në burg.