Topi i Artë, ja lista me 23 kandidatët

Kandidatët u përzgjodhën nga votimet e kapitenëve, trajnerëve të ekipeve kombëtare dhe nga një juri e specializuar, ndërsa ceremonia e dorëzimit të trofeut do të zhvillohet në datën 12 janar 2015 në Zyrih të Zvicrës, raporton Sport News.

Në datën 1 dhjetor, organizatorët do të zbulojnë emrat e tre lojtarëve finalist, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave.

Duke shfletuar mes emrave bien në sy disa detaje pikante, 6 janë lojtarët nga Kombëtarja gjermane: Philipp Lahm, Mario Gotze, Toni Kroos, Thomas Muller, Manuel Neuer e Bastian Schweinsteiger.

Ndërsa për Italinë ky është një tjetër vit i errët, pasi në listë nuk ka asnjë futbollist nga gadishulli Apenin.

Manchester United, Manchester City, Paris Saint-Germain dhe Juventus kanë vetëm nga një lojtar, ndërsa mungesa më e madhe në pamje të parë është ajo e Luis Suarez, i cili zhvilloi një sezon fantastik me skuadrën e Liverpool.

Por,  kafshimi i Chiellinit duket se ka peshuar shumë në votat për uruguajanin.

Një tjetër mungesë e madhe është edhe Franck Ribery, i cili u rendit i treti në garën e vitit të shkuar, ndërsa Robert Lewandowski, Arturo Vidal e Miralem Pjanic janë gjithashtu disa nga emrat që nuk figurojnë te lista e 23 finalistëve, edhe pse vijnë nga një sezon pozitiv.

Një shuplakë të madhe merr Barcelona me Dani Alves, Gerard Pique, Sergio Busquets dhe Xavi Hernandez jashtë 23-shes, ndërsa nga Premier League, Wayne Rooney e Robin van Persie mbeten jashtë.

Në hierarkinë e Juventusit, Pogba kalon Andrea Pirlon, sepse francezi e shikon veten mes 23 më të votuarve, ndërsa Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi mbeten dy favoritet e kësaj gare që do të finalizohet në mesin e muajit janar.

Interesant është edhe fakti se Atletico Madrid që luajti finalen e Champions League, nuk përfaqësohet me asnjë lojtar.

Lista e plote me lojtaret:

Gareth Bale, Karim Benzema, Diego Costa, Thibaut Courtois, Cristiano Ronaldo, Angel Di Maria, Mario Goetze, Eden Hazard, Zlatan Ibrahimovic, Andres Iniesta, Toni Kroos, Philipp Lahm, Javier Mascherano, Lionel Messi, Thomas Mueller, Manuel Neuer, Neymar , Paul Pogba, Sergio Ramos , Arjen Robben, James Rodriguez, Bastian Schweinsteiger, Yaya Toure