Senatori Murphy: Me vend këshilla e Ilir Metës jo e Ivica Daçiç

Lajmi u përhap shpejt në tryezë dhe biseda ime me ministrin serb të Emergjencave Civile përfundoi kur i ftuari ynë në të majtë më tha: “A e dëgjove? Shqiptarët ngritën një dron mbi stadium. Ata kishin ngjitur tek ai një flamur të Shqipërisë së Madhe dhe i gjithë stadiumi shpërtheu. E kanë pezulluar lojën”.
Dhe kështu filloi udhëtimi im njëjavor në Ballkan. Ndasia ndër breza mes serbëve etnikë dhe shqiptarëve etnikë (një ndër shumë vijat ndarëse, të ngatërrueshëm dhe të ndërlikuara në rajon) ishte hapur përsëri. Kësaj here prej një flamuri të thjeshtë që tregonte territorin e imagjinuar të një shteti të bashkuar që përfshinte gjithë shqiptarët në rajon, i cili fluturoi mbi një ndeshje futbolli në Beograd, të martën mbrëma në një ndeshje mes kombëtares serbe dhe asaj shqiptare. Udhëtimi im po fillonte mbarë.

Pse Ballkani?
Unë kam pasur rezultate pozitive nga udhëtimet e mia diplomatike dhe kështu mendova të bëj një tjetër. Ky i fundit posaçërisht, si Kryetar i Nënkomitetit Europian të Komitetit të Marrëdhënieve Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci.
Udhëtova në rajon kësaj here pa senatorë të tjerë, për dy arsye. E para sepse Ballkani paraqet mundësi të mëdha tregtie për ndërmarrje nga Connecticut – kjo falë integrimit gradual në Bashkimin Europian, por edhe sepse në Connecticut ka një komunitet të madh biznesi shqiptaro-amerikan.
Por unë gjithashtu zgjodha këtë rajon për shkak të raportimeve të shumta të rritjes së pranisë së Rusisë në rajon.
Duke qenë në vijën e parë të krizës në Ukrainë gjatë këtij viti e pashë me sytë e mi se çfarë ndodh nëse Shtetet e Bashkuara kthejnë sytë mënjanë, ndërkohë që Rusia, pa asnjë lloj pengese, rrit ndikimin e saj në vendet kufitare me të.

Jam i vendosur të mos lejoj Rusinë të krijojë një zonë tjetër konflikti në Ballkan dhe udhëtimi im kishte për qëllim dhënien e garancisë këtyre vendeve se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara në sigurinë e tyre territoriale dhe ekonomike.

Serbia dhe Mali i Zi.
Mëngjesin pas ndeshjes shkova të takoj Kryeministrin relativisht të ri të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ende s’kishim përfunduar përshëndetjet diplomatike kur ai u hodh menjëherë tek incidenti i mbrëmshëm me flamurin. Ishte i shqetësuar se ky do të krijonte një seri të re provokimesh – ndoshta dhe dhunë – mes serbëve dhe shqiptarëve.
Më rikujtoi që lufta mes këtyre dy grupeve ishte ende tepër e freskët për t’u harruar.
Kuptova sesa fort po e përjetonte këtë çështje dhe mënjanova listën time të gjatë të gjërave që doja të diskutoja me të dhe i ripërsërita, ndoshta një gjysmë duzine herë, se fjalët që do të përdorte atë ditë për të përshkruar incidentin mund të përcaktonin nëse çështja merrte flakë apo do të shuhej.

Dukej se ishte dakord dhe fatmirësisht patëm mjaftueshëm kohë të ngrija shqetësimet për çështjen tjetër të madhe të javës, vizitën e Presidentit rus Vladimir Putin, në Beograd, e shoqëruar me një paradë ushtarake serbo-ruse ditën e nesërme.
I thashë se nëse Serbia ishte vërtet e përkushtuar t’i bashkohej Bashkimit Europian, atëherë vizita e nesërme nuk mund të shoqërohej me marrëveshje zyrtare ushtarake apo energjetike me Rusinë, gjë që mund të shkelte ligjet e BE-së.
Nënvizova që marrëveshjet e diskutueshme të Serbisë me Rusinë mbi projektin e gazsjellësit të Rrjedhjes së Jugut (South Stream) mund të shkelnin ligjet e BE-së dhe të ndikonin në shanset e Serbisë për të hyrënë BE.
Serbia, aleat historik i Rusisë që kur rusët e ndihmuan të çlirohej nga sundimi otoman në shekullin XIX, shpreson që njëkohësisht të bëhet pjesë e Bashkimit Europian dhe të mbajë lidhje të afërta me Rusinë.
Kjo nuk është diçka e pamundur, por ama është e mbushur me plot sfida. Vuçiq dukej se po e dëgjonte mesazhin tim, por gjithsesi mbeta i kënaqur kur zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, vendosi ta telefononte Kryeministrin pas takimit tim me të dhe t’i përforconte edhe një herë pozicionin e Shteteve të Bashkuara.
Pjesën tjetër të ditës e kalova në takime me udhëheqës të tjerë serbë, shoqërinë civile dhe udhëheqës të opozitës.
Këto takime shpeshherë u vështirësuan nga zhurma e lartë dhe shurdhuese e avionëve ushtarakë MIG rusë që shkonin e vinin gjoja, duke bërë prova për paradën e ditës së nesërme. Në një nga takimet, një koleg serb, gjatë uturimës së një avioni ushtarak, që ndodhej afër, u përkul dhe më pëshpëriti: “Nuk kanë nevojë për praktikë. Thjesht po
tregojnë muskujt”.
Doja të ikja para se të vinte Putini, kështu që të enjten në mëngjes u nisa për në Podgoricë në Mal të Zi.
Unë jam promovues i zgjerimit të NATO-s, sidomos pas agresionit rusnë Ukrainë. NATO, si një aleancë sigurimi e projektuar për të parandaluar luftërat, i ka mbajtur shtetet anëtare larg sulmeve nga shtete të tjera për gati shtatëdhjetë vjet.
Mali i Zi është i vetmi vend në Adriatik i cili s’është anëtar i NATO-s dhe unë shkova t’i inkurajoj që ata të bëjnë hapat e duhur për t’u bërë pjesë.
Ata janë të entuziazmuar për NATO-n dhe BE-në, por duket qartë që Rusia me kënaqësi do të merrte rolin e një mbrojtësi zëvendësues të Malit të Zi, nëse nuk e sjellim në NATO së shpejti.
Paratë dhe influenca ruse ndodhen kudo në Mal të Zi, në zhvillimin ekonomik, në pasuritë e patundshme, në shoqatat jofitimprurëse e lloj-lloj drejtimesh të tjera.
Dhe ata shohin një mundësi për të vendosur një bazë në mes të territorit të NATO-s. E nxita kryeministrin Milo Gjukanoviq të vazhdojë me reformat politike, ekonomike dhe ushtarake të nevojshme për t’iu bashkuar NATO-s dhe u largova i bindur që NATO duhet të mirëpresë kandidaturën e tyre sa më shpejt.

Kosovë
Kosova është një nga shtetet më të reja të botës, me shumicë shqiptare, që disa harta (dhe disa vende) ende e njohin si pjesë të Serbisë. Vizita ime në Kosovë ishte me po dhe jo gjysmë duzine herësh.
Partitë kryesore kanë qenë të paafta për të zgjedhur një kryeministër pas zgjedhjeve të paqarta të qershorit.
Me shumë para e mbrapa me Departamentin e Shtetit, nuk vendosnim dot a të shkoja?, – duke rrezikuar kështu të dukej sikur SHBA po përpiqej të ndikonte mes partive, apo të mos shkoja, gjë që do t’i përçonte mesazhin e gabuar një shteti të ri që dëshpërimisht
kërkon mbështetje dhe njohje (unë isha senatori i parë në një hark kohe shumë të gjatë që do të vizitonte Prishtinën).
Më në fund vendosa të shkoj të premten mbrëma pas një kompromisi gjenial. Unë do ta shkurtoja shumë vizitën, duke u takuar vetëm me presidenten e paanshme dhe veç me një grup të madh studentësh me dëshirë për reforma, si dhe me përfaqësues të pakicës serbe.
Duke mos u takuar me udhëheqësit politikë, do t’u përçoja mesazhin që SHBA është thellësisht e frustruar nga mungesa e progresit për formimin e qeverisë së re.
Siç shpresova, të gjitha gazetat e publikuan vizitën time në faqet e para, me mesazhin që paaftësia e partive për kompromise po i detyronte udhëheqësit e SHBA-së të pakësojnë vizitat e tyre diplomatike.
Fjalimin tim më të mirë e mbajta para studentëve të njërit nga universitetet më të mirë të Prishtinës duke u thënë, se si senatori më i ri amerikan, kisha pritshmëri që ata të mbanin barrën e të qenët “brezi themelues” i Kosovës.

Shqipëria dhe Kroacia
Të shtunën pasdite u nisa me një avion të vogël për në Shqipëri. Në mënyrë të parashikueshme, shqiptarët donin të flisnin vetëm rreth incidentit të ndeshjes.
Ata u ankuan që Serbia e shtroi rrugën e provokimeve, sepse nuk lejuan asnjë tifoz shqiptar në ndeshje, as nuk i ndaluan sloganet e flakta antishqiptare që ulërinin tifozët serbë.
Unë vazhdimisht i vija në dukje se mua personalisht m’u duk se ishin me faj të dyja palët, por ishte e dukshme që pështjellimi nga incidenti nuk ishte qetësuar.

E nxita ministrin e Jashtëm shqiptar të bënte të pamundurën që plani i vizitës historike të Edi Ramës në Beograd të ecte përpara dhe dhashë një deklaratë në një konferencë për shtyp e organizuar për vizitën time, ku thashë se “huliganizmi i futbollit nuk duhet të bllokojë asnjëherë pajtimin politik”.

Kryetari i Parlamentit shqiptar e shprehu këtë më mirë akoma pas takimit tim me të. Duke e perifrazuar, ai tha: “Për ne është më e rëndësishme të fitojmë lojën e një të ardhme të përbashkët europiane, sesa të fitojmë një ndeshje futbolli”.
Pas një nate në Tiranë të dielën, morëm avionin për Zagreb në Kroaci.
E shtova Kroacinë në minutën e fundit për dy arsye, e para disa punë kanë mbetur pezull në Connecticut (shiko më poshtë) dhe për shkak të nxitjes se mikut tim, Amos Hokstin, ndihmëssekretari i Shtetit për Sigurimin Energjetik.
Kroacia ka një mosmarrëveshje me një firmë hungareze për një kompani energjetike në pronësi të përbashkët.
Ndërmarrja shtetërore ruse Gazprom e ka shprehur hapur se do të ishte e kënaqur ta shuante mosmarrëveshjen, duke blerë si aksionet kroate dhe ato hungareze.
Kroacia, e cila është një aleat i besueshëm dhe i fortë i NATO-s dhe SHBA-së, nuk po tregon shumë interes për t’i shitur Gazprom-it, por ne menduam që do të ishte mirë që unë të shkoj dhe ta takoja Kryeministrin dhe Presidentin dhe t’i përsërisja rëndësinë e çështjes.
Në takimet e mia, të dy udhëheqësit me gatishmëri përsëritën përkushtimin e Kroacisë në NATO dhe dëgjova gjithë gjërat e duhura prej tyre për sa i përket interesit të Gazprom për kompanitë e tyre energjetike.
E mbarova vizitën me një drekë me ministrin kroat të Mbrojtjes.
Kroacia është e interesuar të shesë helikopterët e saj rusë dhe të blejë helikopterë Blackhaëks, të cilët prodhohen në Connecticut, në SHBA.
Ata kanë një flotë të vogël dhe si fillim ndoshta mund të blejnë helikopterë të përdorur para se të blejnë ata nga Stratford, por u premtova që do t’i ndihmoja të arrinin sa më lehtë marrëveshjen dhe të grumbulloja sa më shumë mbështetje në Kongres që ta aprovonin transaksionin.
Kthim për në shtëpi
Pas dreke, përshëndeta ambasadorin tonë në Kroaci dhe u nisa për në aeroport.
Vura kufjet dhe i thashë vetes që, pavarësisht javës së mbushur plot me ngjarje, që theksuan brishtësinë e vazhdueshme etnike të këtij rajoni të lodhur me luftëra, unë do të refuzoj këshillën që më dha ministri i Jashtëm serb kur na përcolli jashtë nga një mbledhje:
“Djalë i ri, e di cila është këshilla më e mirë që mund t’i jap dikujt që mundohet të kuptojë Ballkanin”? – më pyeti ai duke më prekur pak dorën. “Mos u mundo”.