BURGJET U HAPËN !

Pesë prej të paditurve janë futur në burg dhe pritet që gjykata të marrë vendimin bazuar në shkeljet që kanë kryera. Ky është numri më i madh i personave të proceduar brenda një dite për abuzimet dhe mospagimin e energjisë elektrike, aq sa dhe në njoftimin e Prokurorisë cilësohej si rast i rrallë. Po ky është vetëm fillimi. Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri prezantuan dje paktën e masave që do të merret për të shmangur vjedhjen e energjisë. Personat që vjedhin energjinë rrezikojnë deri në 3 vjet burg, ndërsa ata që i ndihmojnë të bëjnë lidhje të paligjshme, pra elektricistët, rrezikojnë deri në 5 vjet burg. Masat e fundit janë më të ashprat në historinë shqiptare që janë marrë nga institucionet për të shmangur abuzimet. Në operacionin e nisur dje veç Prokurorisë, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes do të jenë të pranishme dhe mijëra forca policie. Ashtu si në Kukës, prokuroritë e rretheve në bashkëpunim me institucionet e tjera kanë nisur përpilimin e listës së personave që do të ndiqen penalisht dhe do të futen në burg për abuzimet. Aksionet do të nisin nga bizneset dhe sipërmarrjet e mëdha, të cilat kanë vite pa paguar energjinë elektrike. Në rrethe listat janë dhe më të mëdha dhe figurojnë disa qytete që janë më problematike. Burgjet tashmë janë hapur, për një nga aksionet më të mëdhenj në vend, kur do të synohet jo vetëm mbledhja e parave, por edhe ndëshkimi i fenomenit të vjedhjes së energjisë për të mos u përsëritur më. Reagimet ndaj këtij operacioni pritet të jenë të mëdha dhe me kosto politike për mazhorancën e majtë. Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky aksion është i domosdoshëm. Madje, shtoi se ishte i vetëdijshëm se një pjesë e atyre që do të ndëshkohen janë elektorat i Partisë Socialiste dhe në zgjedhjet e radhës mund të mos votojnë të majtën. “Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë në shumë çmime dhe që dikush do na kthejë kurrizin dhe që dikush të na marrë mëri e mos na votojnë, sepse detyra jonë është që të udhëheqim duke treguar të vërtetën dhe për të mbajtur zotimet tona duhet të bëjmë të gjitha operacionet”,- u shpreh kryeministri Edi Rama. Prania e Kreut të Kuvendit Ilir Meta në takimin e djeshëm, ishte një garanci për mazhorancën, se kjo reformë është marrë seriozisht dhe qëndrimi i koalicionit, megjithë kostot politike, është i unifikuar dhe nuk ka kthim pas. Në këtë situatë, Partia Demokratike ka nisur që dje akuzat për përfitim politik nga kjo situatë. Ish-kryeministri Sali Berisha e quajti aksionin si një sulm për të fshehur rritjen e çmimit të energjisë elektrike, ndërsa bëri thirrje për nisjen e protestave. Në këtë mënyrë, opozita është bërë kundërshtuesja e parë e zbatimit të një vendimi që duhet të kishte nisur që në kohën kur Partia Demokratike ishte në pushtet. Ndonëse janë masa drastike në pamje të parë, bile të dhunshme ligjore, por duhet gjithsesi, pasi energjia është mall që duhet paguar. Nuk është aspak e drejtë që dy veta paguajnë në një pallat e dhjetë të tjerë e vjedhin. Nuk është aspak korrekte që në fshat paguajnë 10 shtëpi ,kurse 200 shtëpi të tjera vjedhin. Nuk ka asnjë logjikë që biznese të mesme apo të mëdha  nuk paguajnë qindra milionë lekë, kurse pensionisti shkon dhe pret në rradhë për të paguar atë faturë që i vjen tek dera e shtëpisë. Nuk ka sesi të lejohen ndërmarrje apo institucione shtetrore apo  edhe seli partish politike të cilat kanë dhjetra vite pa paguar . Ose si mundet që media të mëdha që bëjnë namin kur vidhet në Shtet ,por vetë nuk paguajnë energjinë? Bile ka informacione se disa e vjedhin në mënyrë përfekte dhe e mbulojnë se gjoja nuk mund të kontrollojë shteti një media! Si mundet të deputetë apo zyrtarë që kanë pas biznese nuk paguajën?  Kryeministri Rama ka të drejtë në këtë nisëm ligjore të shoqëruar me qindra forca policie gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë.

Vendimi i Qeverisë “Rama” mund të ketë kosto dhe mund të rëndojë mbi një pjesë familjesh që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për përballimin e çmimit të energjisë. Por ajo që bien në një mendje të gjithë është se situata absurde me faturat e energjisë duhet të marrë fund. Pincat e elektricistëve, prangat e policisë dhe burgu në vitin 2014 duken paksa një nismë e egër. Por nëse ajo do të zbatohet në masën 100 për qind, qeveria Rama do të bëjë një kapërcim historik në respektimin e ligjit.  Situata me fatuarat e energjisë nuk është diçka që u zbulua vetëm në këto vite. Historia e lagjeve dhe fshatrave që nuk paguanin dritat, sepse u thoshte deputeti i zonës ka nisur që në vitet e para të pluralizmit. Më pas, partitë politike panë se me faturat e dritave mund të merreshin dhe vota. Mund të bëheshin për vete  biznese dhe fabrika, që në letra sot rezultojnë se paguajnë në javë aq sa një konsumator familjar. Ndaj në çdo fushatë zgjedhore, një nga premtimet ishte dhe ajo e faljes së faturave të papaguara. Në traditë këtë abuzim me ligjin dhe paratë e buxhetit të shtetit e kthehu pikërisht Partia Demokratike, zyrtarët e së cilës sot bërtasin më shumë kundër zbatimit të ligjit. Nga kjo politikë e blerjes së votave me “drita” dëmi gjithmonë ka shkuar ne buxhetin e shtetit dhe sot kemi një sektor energjetik në prag të falimentimit total, si pasojë e mungesës së seriozitetit të vet shtetit në radhë të parë. Ndaj nisma e djeshme, po përpiqet të vendos drejtësi për 20 vjet padrejtësi dhe abuzime me shtetin. Ndaj nisma e djeshme nuk duhet parë si një betejë thjesht për faturat e dritave, por si një betejë për vendosjen e ligjit.

Edi Rama e bëri publik vendimin e tij për këtë supëraksion që do të mbetet në histori pas Lazaratit e Dukagjinit, pas shembjes së ndertesave pa leje, pas mbylljes së piramidave të universitetëve private. Tani beteja ka filluar për vendosjen e ligjit në këtë sektor jetik e që natyrisht do të jetë paksa i vështirë se kap një numër të madh personash e interesash.

Me humor dje një analist që flet disa ekrane tha : Burgjet u hapën! Merrni triko leshi me vete këto dy muaj ,pasi po ftohet moti dhe burgu është edhe më i ftohtë! Shpresojmë që policia të mos bëjë selektim në emra që do të arrestohen , nëse nuk kanë paguar apo vjedhur enërgjinë elektrike.

Burgjet u hapën ! Paguani lekët ! Shteti ligjor po vjen, nga pak e përditë.