Gjovalin Shkurtaj: Askush s’do t’a gëlltiste poshtërimin dhe racizmin serb

“Unë mendoj se përgjatë gjithë 40 minutave të para, ndeshja ishte jashtë çdo parametrash njerëzorë për t’u luajtur. Dhe prapëseparapë, ata djem azganë, gjetën forcën dhe luajtën në mënyrë të përkryer. Kur droni, hyri në fushë, situata ishte pothuajse në kulmin e saj, me fishekzjarre dhe sende të forta, që hidheshin vazhdimisht në fushë. Dhe për çudi, të gjitha këto zhvilloheshin nën vështrimin e qetë të Presidentit Serb, i cili sodiste gjithë këtë katrahurë nga ballkoni VIP i stadiumit.

Çfarë ndodhi më pas dihet. Kjo më shtyu të shkruaja dhe të hidhja në letër opinionin tim se çfarë ndjeva për këtë ndeshje. Duke u nisur nga sa pashë dhe dëgjova, mendova se e vetmja rrugë ishte që me sa mundja të shkruaja diçka që të mund t’i tregonte opinionit publik amerikan dhe atij ndërkombëtar, se e vërteta ishte ndryshe dhe se sytë e vëmendja duheshin hedhur në fenomenin e racizmit ekstrem të serbve ndaj shqiptarëve dhe dhuna e pashoqe kundër djemve tanë” – tha Shkurtaj.

Shkurtaj duke folur për ngjarjen e ndodhur në ndeshjen Shqipëri-Serbi, më 14 tetor, në stadiumin “Partizani”, tha se askush nuk mund të kaperdinte racizmin dhe dhunën në Serbi, aq më pak deklaratat e përfaqësuesve europianë. Ndërsa qëndrimin e Ramës nda Kryeministrit serb e ka metaforizuar si një “dorezë dueli” e hedhur në fytyrën e Vuçiç.

“Askush nuk do t’a gëlltiste kollaj atë poshtërim, racizëm dhe dhunë që na u bë në Serbi. Sikurse dhe nuk do të gëlltiste dot fjalët e Platinisë apo zëdhënesës së Komisionit Europian një ditë pas ndeshjes. Gjithashtu nuk do të harrojmë kurrë gjakun e derdhur të Kosovës në dhjetëvjeçarë e shekuj dhe do të nderojmë ata dëshmorë që dhanë jetën për shtetin e ri të Kosovës.

Veprimin e Edi Ramës unë do ta quaja një qëndrim të një mendësie të re Evropiane. Qëndrimi i Edi Ramës ishte një dorezë dueli e hedhur në fytyrën e kryeministrit serb, të cilit nuk i mbetet gjë tjetër veç t’a pranojë ose ta refuzojë dhe të vërtetojë të ardhmen pro-Ruse të Serbisë, ashtu siç edhe iu betuan Putinit në datën 16 tetor”- tha Shkurtaj.

I pyetur nga gazetaria Ilva Tare se cili është roli i medias dhe a ka Shqipëria mundësi të shpalosë imazhin dhe versionin e saj në mediat ndërkombëtare, Shkurtaj u përgjigj:

“Pavarësisht nga rritja dhe fuqizimi i medias apo ngritja profesionale e gazetareve tanë, unë kam vënë re se ne si komb nuk po arrijmë të çajmë dhe të shfaqim para botës një imazh tjetër të Shqipërisë.

Kjo kërkon pa dyshim investime në manaxhimin e imazhit, kompani lobizmi, por edhe rritje të kapaciteteve të pushtetarëve tanë për t’u paraqitur dhe për t’a shprehur në mënyrë intelektuale dhe profesionale imazhin e ri shqiptar. Por, unë mendoj se të gjithë shqiptarët, jo vetëm politikanët, duhet dhe mund të bëjnë më shumë për të folur dhe për t’a përmirësuar e ngritur më tej imazhin e Shqipërisë sonë” – tha ai.

Pjesë nga intervista me studiuesin Gjovalin Shkurtaj:

Ilva Tare: Profesor, ju ishit nga të vetmit që ngritet zërin në një nga mediat më të mëdha amerikane, si ju erdhi kjo ide?

Gjovalin Shkurtaj: Një ditë pasi u zhvillua ndeshja unë shkrova një artikull me titull “Miq faqebardhë dhe mikpritës faqezinj”. Të them të drejtën jam 71 vjeç dhe deri me sot mund të them se nuk jam tifoz dhe se mund të kem parë shumë pak ndeshje futbolli. Por kjo ndeshje ishte disi tjetër. Përgatitja shpirtërore për një përplasjeje me Serbinë dhe fakti që përgjatë javëve të fundit përpara ndeshjes u trumbetua me të madhe nga ana e Serbëve se nuk do të lejonin asnjë tifoz shqiptarw, bëri që edhe unë dhe ime shoqe Leonora të uleshim përpara televizorit dhe të shihnim këtë ndeshje. Për hir të së vërtetës po them se u ndiemw të dy shumë keq që kur u hap ndeshja, nga mënyra e pritjes, reagimi poshtërues ndaj himnit të flamurit shqiptar dhe klithmat e tërbuara, (Vritini vritini shqiptarët), dëgjoheshin shumë qartë përmes ekranit.

Imagjinoni sa rënqethëse dhe shokuese do të ishin këto thirrje dhe kjo trysni psikologjike për djemtë e kombëtares sonë, që ndodheshin atje në fushë. Unë mendoj se përgjatë gjithë 40 minutave të para, ndeshja ishte jashtë çdo parametrash njerëzorë për t’u luajtur. Dhe prapëseparapë, ata djem azganë, gjetën forcën dhe luajtën në mënyrë të përkryer. Kur droni, (apo helikoteri lodër) hyri në fushë, situata ishte pothuajse në kulmin e saj, me fishekzjarre dhe sende të forta, që hidheshin vazhdimisht në fushë. Dhe për çudi, të gjitha këto zhvilloheshin nën vështrimin e qetë të Presidentit Serb, i cili sodiste gjithë këtë katrahurë nga ballkoni VIP i stadiumit. Çfarë ndodhi më pas dihet. Kjo më shtyu të shkruaja dhe të hidhja në letër opinionin tim se çfarë ndjeva për këtë ndeshje.

Ilva Tare: Profesor, po pse pikërisht Fox News ?

Gjovalin Shkurtaj: Në datën 17, të premten që kaloi, në mos gaboj, pashë në kompjuter intervistën që dha Kryeministri Edi Rama për CNN-in. Po atë ditë CNN-i, botonte një shkrim me tituj të mëdhenj: “Vellai i Kryeministrit Shqiptar komandoi dronin” etj… Ishte shumë e shëmtuar për mua si shqiptar të shikoja se si mediat e huaja, edhe ato prestigjoze si CNN-i, të merrnin për bazë thëniet e lobimit serb, (edhe pse nuk ishin të bazuara dhe s’u provuan kurrë) dhe të ngrinin një alibi ndërkombëtare për gjoja prapaskena shqiptare për çfarë ndodhi.

Duke u nisur nga sa pashë dhe dëgjova, mendova se e vetmja rrugë ishte që me sa mundja të shkruaja diçka që të mund t’i tregonte opinionit publik amerikan dhe atij ndërkombëtar, se e vërteta ishte ndryshe dhe se sytë e vëmendja duheshin hedhur në fenomenin e racizmit ekstrem të serbve ndaj shqiptarëve dhe dhuna e pashoqe kundër djemve tanë. Nuk e di nëse ia dola, por të paktën tentova të kontribuoja me atë që munda për të bërë diçka, si shqiptar.

Ilva Tare: Cili është roli i medias dhe a ka Shqipëria mundësi të shpalosë imazhin dhe versionin e saj në mediat ndërkombëtare?

Gjovalin Shkurtaj: Sot media quhet “fuqia e tretë” në shoqërinë tonë. Fuqia e saj, është e jashtëzakonshme dhe sa vjen e rritet më shumë me futjen dhe përhapjen e përdorimit të internetit kudo. Nëse më përpara për të lexuar dhe përkthyer një artikull në të famshmen New York Times do të duheshin ditë, sot edhe një shqiptar që nuk di anglisht, mjafton të ketë hyrshmëri (akeses) në internet dhe softwarin google përkthime (translate) dhe mund të përkthejë në një sekondë nga anglishtja në shqip çdo artikull. Në Shqipëri sot mund të themi pa frikë se media është një superfuqi. Kush kontrollon median kontrollon dhe opinionin publik. Por, për fat të mirë, bashkë me rritjen e këtij pushtetit mediatik, sot mund të themi se kemi dhe shumë gazetarë, të cilët tashmë janë rritur dhe zhvilluar së tepërmi.

Një tjetër aspekt pozitiv është gazetaria hetimore ( investigative), e cila ka filluar të ketë efektet e veta dhe në shoqëri, me zbulimin e skandaleve të ndryshme. Gjithashtu, janë përhapur kohët e fundit dhe të ashtuquajturat bloge ( apo portale interneti), ku gazetarë të ndryshëm shprehin në mënyrë më të drejtperdrejtë mendimet e tyre, pa u cunguar nga të ashtuquajturat procedura editoriale apo nga pronarë të mediave (p.sh. Respublica apo Lapsi). Por, pavarësisht nga rritja dhe fuqizimi i medias apo ngritja profesionale e gazetareve tanë, unë kam vënë re se ne si komb nuk po arrijmë të çajmë dhe të shfaqim para botës një imazh tjetër të Shqipërisë. Kjo kërkon pa dyshim investime në manaxhimin e imazhit, kompani lobizmi, por edhe rritje të kapaciteteve të pushtetarëve tanë për t’u paraqitur dhe për t’a shprehur në mënyrë intelektuale dhe profesionale imazhin e ri shqiptar. Ēshtë për të ardhur mirë, që kryeministrat e fundit shqiptarë, qoftë Berisha dhe Rama, janë poliglotë dhe pavarësisht nga shkalla e njohjes së gjuhëve të huaja, kanë arritur të shprehin në media të ndryshme imazhin dhe mesazhin e Shqipërisë.

Por, unë mendoj se të gjithë shqiptarët, jo vetëm politikanët, duhet dhe mund të bëjnë më shumë për të folur dhe për t’a përmirësuar e ngritur më tej imazhin e Shqipërisë sonë. Në një kohë kur interneti ka zhdukur çdo lloj kufiri apo pengese (barriere), mjafton që ne të dimë të komunikojmë në mënyrë të kulturuar dhe të përcjellim imazhe pozitive të shoqërisë sonë, për të bërë që emri i kombit tonë të përmirësohet në arenën ndërkombëtare. Fjala e bukur, e konceptuar drejt dhe pa ngjyrime dhune apo nacionaliste, prek (impresionon) më shumë se çdo lloj mesazhi tjetër. Ky duhet të jetë imazhi ynë, që çdo shqiptar që është i pranishëm sot në Facebook, Twitter apo në rrjete të tjera sociale duhet ta ruajë me fanatizëm.

Ilva Tare: Cili është mendimi juaj mbi vizitën e Edi Ramës në Serbi?

Gjovalin Shkurtaj: Askush nuk do ta kapërdinte (gëlltiste) kollaj atë poshtërim, racizëm dhe dhunë që na u bë në Serbi. Sikurse dhe nuk do të kapërdinte (gëlltiste) dot fjalët e Platinisë apo zëdhënesës së Komisionit Europian një ditë pas ndeshjes. Gjithashtu nuk do të harrojmë kurrë gjakun e derdhur të Kosovës në dhejtëvjeçarë e shekuj dhe do të nderojmë ata dëshmorë që dhanë jetën për shtetin e ri të Kosovës. Porse, forca dhe treguesi i rritjes së një shoqërie tregohet në aftësinë e saj për t’i tejkaluar këto ndjenja dhe për të arritur ta gjykosh me ftohtësi, veprimin e Edi Ramës, të cilin unë do ta quaja një qëndrim të një mendësie të re Evropiane.

Qëndrimi i Edi Ramës ishte një dorezë dueli e hedhur në fytyrën e kryeministrit Serb, të cilit nuk i mbetet gjë tjetër veç t’a pranojë (pra të pranojë të ardhmen evropiane të Serbëve) ose ta refuzojë dhe të vërtetojë të ardhmen pro-Ruse të Serbisë, ashtu siç edhe iu betuan Putinit në datën 16 tetor (dy ditë mbas ndeshjes me Shqipërinë). Kështu që unë, si individ, e mbështes vendimin e Edi Ramës për të shkuar në Serbi.

Ilva Tare: Çfarë mendoni mbi nacionalizmin dhe a do të ndikojë vendimi i UEFA-s në rritjen e nacionalizmit në Shqipëri dhe në Serbi?

Gjovalin Shkurtaj: Mendoj se vendimi i UEFA-s ka ndikuar menjëherë në një rritje të ndjeshme të ndjenjave nacionaliste brenda të dy palëve. Gjithashtu, duhet pranuar se ky vendim i padrejtë, mund të çojë në përshkallëzim të dhunës dhe akteve vandaliste kundër të dyja palëve. Por, do të ishte vërtet për të ardhur keq, nëse ajo çka u arrit në Ballkan, që nga 2008, falë NATO-s dhe ndikimit të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të çbëhet nga një incident i tillë. Përsonalisht mendoj se nuk ishte thjesht një vendim i UEFA-s, por ne të gjithë pamë dhe një mosveprim dhe zbythje të autoriteteve më të larta europiane përballë problematikës së ngritur.

Po ritheksoj një fakt që më duket shumë domethënës dhe i pamirë, i papranueshëm: askush nuk flet për 40 minutat e para të ndeshjes në të gjitha mediat botërore. Ēshtë tamam sikur dikush t’i ketë prerë me dorë ato 40 minuta, sikur nuk kanë ndodhur kurrë, dhe sikur dy engjëj po luanin me njëri-tjetrin dhe, befas, ia behu djalli i veshur me flamur shqiptar dhe çdo gjë u ngatërrua. Pikërisht heshtja e kancelarive evropiane kundrejt asaj që ndodhi, është vërtet për të ardhur keq. Dhe unë shpresoj që ne si shqiptarë do të dimë të dalim mbi ndjenjat tona momentale dhe të ngremë e të kërkojmë me dinjitet të drejtat tona.