Rama në Rrëshen: Nderojmë ata që dhanë jetën për çlirim, vijojmë projektet

Fillimisht, Kryeministri inspektoi nga afër një sërë projektesh dhe ndërhyrjesh infrastrukturore të realizuara nga Bashkia e Rrëshenit, të cilat do t’u dhurojnë banorëve të tij më shumë lehtësi dhe komoditet në lëvizje dhe komunikimin mes tyre. Vetëm me fonde të Bashkisë së Rrëshenit në hyrje të qytetit janë ndërtuar trotuaret e qytetit, si dhe një rrugë me dy kalime, e cila do të ketë trotuare në të dy anët e saj, me pemë dekorative dhe ndriçim. Janë në funksion të qytetarëve edhe 8 lulishte me trotuare, ndriçim dhe stola, si dhe janë rikonstruktuar fasadat e 8 pallateve. Ndër të tjera janë sistemuar hapësirat mes pallateve, dhe janë vendosur në këto hapësira rreth 200 stola, si dhe janë mbjellë në tërësi më shumë se 1500 pemë dhe bimë dekorative. Kryetari i Bashkisë së Rrëshenit Ndue Kola sqaroi se të gjitha investimet e bëra i kanë kthyer frymëmarrjen qytetit.

Ndërkohë që një fond prej 80 milion lekësh është akorduar për Unazën e Qytetit.

“Ne jemi këtu për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre që vunë jetën në themelet e lirisë se kësaj zone por edhe për të përcjellë në gjithë këtë zone mesazhin e një rilindjeje që ka nisur përmes një sërë projektesh që tanimë janë përfunduar apo janë rrugës dhe projekte të tjera që kemi diskutuar sot me kryetarin e bashkisë, që do të vijojnë në funksion të transformimit në radhë të parë të infrastrukturës shkollore duke vendosur si pikë referimin gjimnazin e Rrëshenit dhe pastaj për tu shtrirë më tutje, por edhe të jetës kulturore dhe sportive”, tha Rama.

Ndërsa kryebashkiaku i Rrëshenit, Ndue Kola ka deklaruar se “Ne kemi bërë disa punë por puna më e madhe është vlerësimi që na ka bërë qeveria, Kryeministri Edi Rama, duke na akorduar një fond të konsiderueshëm për Unazën e qytetit, krejt e shkatërruar”.

Në varrezat e Dëshmorëve të Mirditës janë vënë kurora me lule, dhe është zhvilluar ceremoniali në përkujtim të të rënëve të kësaj zone.