Platini dhe Shqipëria- Historia e dashurisë që u shndërrua në urrejtje

Në vitet 2006 -2007, kur Mishel Platini vendosi të kandidojë për postin e kreut të UEFA-s, shumë miqësisht kërkoi edhe votën e Armand Dukës për të fituar betejën me ujkun e vjetër, Lenart Johanson. Dhe pasi morri “po”-në, ish-sulmuesi i Juventusit u nis gjetkë, për të marrë vota të tjera.

Në shtypin francez sot përmendet një anekdodë. Ajo për mënyrën se si e joshi kreun e Federatës Maqedonase të futbollit, Darko Pançev, të votonte për të. Gjatë fushatës Platini mori vesh se Pançev nuk e kishte marrë trofeun e Këpucës së Artë, kur e kishte fituar në vitin 1991 për shkak të luftrave në ish-Jugosllavi. Kështu që ai organizoi në vitin 2006 me shpenzimet e veta një ceremoni për t’i dhënë trofeun shefit të Federatës Maqedonase dhe votuesit të nesërm të tij.

Më 25 janar 2007, edhe me votën tonë, Platini u bë presidenti i gjashtë i UEFA-s.

Natyrisht përtej lobingut, Platini e mori votën shqiptare edhe me famën e tij të madhe si futbollist me Sent Etienin dhe Juventusin. Për ta ndjekur përmes televizorit shqiptarët kishin shpikur edhe kanoçet e famshme. E pas vizitave në Tiranë si trajner i kombëtares franceze në vitet ’90 dhe dhjetë vjet më vonë si përfaqësues i FIFA-s, nuk mund të mos konsiderohej idhull.

Që prej 24 tetorit 2014, gjërat kanë ndryshuar dhe ai, tashmë i quajtur “Platinoviç”, është shndërruar në personazhin më të urryer të botës së futbollit për shqiptarët.

Por nuk janë vetëm shqiptarët që kanë ndryshuar mendim për të. “Ai ka qenë një mit, një zotëri i madh i futbollit, por sot ai është një politikan cinik si të gjithë të tjerët”, citohet në një revistë franceze bashkëkombasi i tij dhe ylli i dikurshëm i Mançester Junajtid, Erik Kantona.

Para fillimit të Botërorit brazilian ai u vu në qendër të akuzave pasi bëri një deklaratë të pavend ndërkohë që në vend kishin shpërthyer protestat. “Le të bëjnë një muaj pushim nga protestat, që t’i lënë vend festës së bukur të futbollit”, pati thënë ai duke shkaktuar jo pak polemika.

Në pranverën e këtij viti, dy gazeta angleze, “Sunday Times” dhe “Daily Telegraph”, e akuzuan se ishte korruptuar nga Katari, për t’i dhënë shtetit të pasur të Gjirit Persik, të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2022.

Edhe pse mohoi fillimisht që kishte takuar lobuesit e vendit aziatik, më në fund pranoi se kishte votuar për ta, me motivacionin “për të përhapur futbollin në vende të panjohura”, në një vend ku ka vetëm 2 milionë banorë dhe pjesa më e madhe janë të huaj që punojnë atje! Dhe kur doli lajmi se disa prej votuesve kishin marrë deri në 1,5 milionë euro për të votuar për Katarin nuk mund të mos shkonte mendja te Platini.

Edhe akuzat për korrupsion direkt nuk kanë munguar. Djali i Platinisë, Loro, një jurist 35-vjeçar, i cili gjithnjë ka punuar tek miqtë e të atit, pak kohë pas votës pro Katarit, ka filluar punë si drejtues i Burda Sport një shoqëri sportive që i përket 100% shtetit të Katarit.

Një tjetër skandal që ia ka përmendur shtypi europian, është edhe ai i dhëndrit të tij, 30 vjeçarit, Johan Cvajg. Në vitin 2009, ky kompozitor realizoi ëndrrën e fëmijërisë të çdo njeriu që ka studiuar muzikë. Ai drejtoi një orkestër prej 60 vetësh në operan e Parisit për të regjistruar himnin zyrtar të Europa League.

Ky himn i quajtur “Fantasy Football”, që dëgjohet në të gjithë televizionet e botës dhe në të gjitha stadiumet e Europës sa herë ka ndeshje të këtij kompeticioni,u fitua pas një tenderi të hapur nga vjehrri i tij, natyrisht me paratë e UEFA-s. Misheli “harroi” t’u tregonte të tjerëve se bëhej fjalë për dhëndërrin e tij.

Tanimë, shtatë vjet pas zgjedhjes së tij, Mishel Platini ka zhgënjyer shumëkënd. Jo vetëm shqiptarët!

Ky shkrim ka per autor Adri Myftiun