Floriana Garo: Jeta është treguar bujare me mua

Padyshim moderatorja e njohur Floriana Garo është një nga vajzat më simpatike dhe të dashura të ekranit tonë. E ëmbël dhe me një buzëqeshje të çiltër, në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” ajo rrëfen se nuk është e thjeshtë të qëndrosh në tregun mediatik kohë pas kohe, por që i mjafton të jetë në rregull me veten dhe të bëjë punën e saj siç duhet. Eksperiencat e saj në botën e televizionit nuk janë të pakta, pa harruar këtu edhe angazhimet në botën e modës.

“Jo vetëm modë” emisioni, të cilin Floriana moderon ka nisur sezonin e tij të tretë. Ashtu sikurse thotë edhe vetë bukuroshja tani mbetet e fokusuar tek emisioni, i cili uron që të ecë mirë dhe të bëhet akoma më me ndikim tek shikuesit. Përveçse angazhimeve, punës së saj të përditshme ajo tregon edhe për historinë e saj të dashurisë, duke u shprehur se të dyve ju pëlqen bashkëjetesa dhe martesën do ta bëjnë atëherë kur të vendosim të bëjnë fëmijë.

Jeni në tregun mediatik prej disa vitesh. Sa e lehtë është të qëndrosh në këtë treg kohë pas kohe?

Pa dyshim që nuk është e thjeshtë. Unë duhet t’i kujtoj vetes që të mos marr asgjë për të mirë, por të punoj fort dhe ta shtyj veten time përpara profesionalisht. Vazhdimisht do të dalin në treg njerëz të rinj me plot ambicie dhe dëshirë për të të zënë vendin, por mua më mjafton të jem ok me veten dhe ta bëj punën time ashtu sikurse duhet.

Nëse do të hiqnim paralele mes Amerikës ku ju keni jetuar dhe Shqipërisë ku ju jetoni aktualisht e mendoni mundësinë për t’u rikthyer sërish në Amerikë?

Në fakt jo! Unë e kam vendosur tashmë qe jeta ime është këtu. Amerika më përgatiti për të qenë e fortë dhe mendjehapur për gjithçka në jetë, por tashmë e kam bërë një zgjedhje për të jetuar dhe punuar në Shqipëri. Pa dyshim që dilema kam dhe mendoj herë pas here si do të ishte po të mos isha kthyer, por jam plotësisht e ndërgjegjshme për vendimin që kam marrë edhe pse në një moshë të re. Në Shqipëri ndjehem e përmbushur profesionalisht dhe emocionalisht pranë familjes dhe njerëzve të mi të dashur.

Përtej imazhit të vajzës me buzëqeshje të bukur dhe të dashur në ekran si edhe të njohur prej publikut, si është një ditë e zakonshme e Florianës mes punës, familjes dhe aktiviteteve të tjera?

Puna ime më kërkon që vazhdimisht të jem pjesë e eventeve dhe aktiviteteve të ndryshme edhe jashtë orarit zyrtar. Këto janë përgjithësisht në mbrëmje dhe unë i ndjek me kënaqësi, jo vetëm për faktin që më pëlqejnë, por edhe sepse janë burim materiali për emisionin tim. Krahas këtyre eventeve që natyrisht nuk janë përditë, unë e kaloj ditën në zyrë duke përgatitur intervistat, duke bërë research dhe duke vendosur për temat e emisionit; në xhirime, në studio ose jashtë dhe në takime të ndryshme pune. Përgjithësisht kthehem në shtëpi në orën 17.30 dhe pastaj kaloj kohë me partnerin tim duke u relaksuar, ose duke dalë për të ngrënë darkë, pirë diçka,ose edhe për të parë një film. Kur mundem, krijoj dhe hapësirë për të lëvizur diku jashtë Shqipërisë për t’u shplodhur dhe për të ndryshuar ambient.  

Ka nisur sezoni i ri i “Jo vetëm modë” në Tv Klan. Çfarë risish ka sjellë ky emision në këtë sezon të tretë?

Këtë vit e kemi zgjatur minutazhin e pjesës shqiptare të emisionit, pasi ai preferohet më shumë nga shikuesit. Jemi munduar gjithnjë që të shfaqim materiale sa më ekskluzive dhe me interes për publikun siç ishte edhe mbulimi i Ëorld Fashion Ëeek në Paris, ku patëm rastin  të intervistonim stilisten shqiptare me famë botërore Ema Savahl. Ky emision pati shumë sukses dhe e njohu më mirë publikun shqiptar me Emën dhe çelësin e saj të suksesit në SHBA.

Cila është kënaqësia më e madhe që ju ka dhuruar ky emision?

Njohja me njerëz frymëzues, të cilët unë i vlerësoj dhe respektoj, si edhe të paturit ndikimin tim tek publiku që më ndjek me anë të temave që unë përzgjedh. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur dëgjoj se njerëzit krahas të pëlqyerit të emisionit, gjithashtu marrin informacion dhe ndihen të frymëzuar nga ajo që shohin.

I ka plotësuar ekrani pritshmëritë tuaja? A do të ju shohim në ndonjë projekt tjetër televiziv?

Po i ka plotësuar pritshmëritë e mia. Ka qenë gjithnjë ajo që kam dashur të bëj dhe jam shumë e lumtur që bëj punën që dua. Tani jam e fokusuar që emisioni të ecë mirë dhe të bëhet akoma më me ndikim tek shikuesit. Projekte të tjera, nëse do të ketë, do të jenë të përkohshëm.

Në çfarë formati tjetër televiziv do ta shihnit veten po kaq të suksesshme dhe të dashur nga publiku?

Mbase në një talk shoë. Më pëlqen të intervistoj. Megjithatë, besoj se formati i “Jo Vetëm Modë” është perfekt për mua dhe për shijet e mia dhe në të tillë format jap maksimumin tim.

Duke marrë shkas angazhimet tuaja në gjithë këto vite punë, të është dashur në ndonjë rast të bëhesh pjesë e një kompromisi?

Jo, nuk më është dashur. Mbase kam qenë me fat, ose mbase kështu duhet të jetë. Unë gjithnjë i kam qëndruar fort ideve dhe parimeve të mia, si në jetë edhe në karrierë. Nuk kam bërë tolerime kur kam qenë e bindur për atë që kam dashur të arrij dhe njerëzit e kanë respektuar vendosmërinë time. Mendoj se kur dikush i ka idetë të qarta, shanset që të tjerët t’a pengojnë janë më të pakta.

Është shkruar dhe është folur për historinë tuaj të dashurisë me biznesmenin Tedi Ngjela. Keni menduar ndonjë plan për martesën?

Jo, na pëlqen bashkëjetesa dhe martesën do ta bëjmë kur të vendosim të bëjmë fëmijë. Brenda pak viteve besoj.

Jeni gjithmonë ne formë dhe me forma perfekte trupore. Cili është sekreti për të qenë gjithmonë kaq në formë?

Faleminderit, por në fakt nuk jam kaq perfekte. Jam e gjatë dhe kjo më ndihmon që të fsheh difektet e vogla që kam në trup. Megjithatë, unë ha shëndetshëm, nuk ha në darkë pas orën 18:00 dhe mundohem të jem sa më aktive. Jam marr me volejboll për 11 vjet dhe kam trup sportiv. Nuk merrem me palestër, por mendoj se është e nevojshme që ta nis për së mbari këto kohë e të mos e lë më.

E bukur, e suksesshme, e dashur prej publikut, e plotësuar sentimentalisht. Është kjo ajo që keni dashur  gjithmonë të jeni?

Pa dyshim. Jam shumë e kënaqur dhe krenare për gjithçka që kam arritur deri tani. Mendoj se jeta ka qenë bujare me mua dhe unë kam marr shumë prej saj. Mezi pres që së shpejti, të arrijë dhe unë të ndaj më shumë me të tjerët dhe të jap me shumë. Do të ndihem e plotësuar kur të kem fëmijë, të përfshihem më shumë në kauza humanitare, dhe të lë shenjën time pozitive në këtë botë.

Intervistoi: Sidorela Lepuri