Zyrtarë shteti, lekë me thasë

 Dje, ky institucion denoncoi penalisht 6 zyrtarë të institucioneve të shtetit shqiptar. Akuza është fshehje e pasurisë, mosjustifikim të ardhurash dhe transaksione të dyshimta parash. Konkretisht, Ardian Kalia, gjyqtar në Gjykatën e shkallës së parë Tiranë, nuk ka justifikuar pasurinë prej 40.000.000 lekësh, si dhe ka bërë deklarim të rremë për kontratat e apartamenteve me vlerë 73.000 euro dhe 44.000 euro. Nga drejtësia, lista e fshehjes së të ardhurave kalon tek Tatimet, një prej vendeve më të kërkuara dhe nga ata që do shumë “miq” për ta siguruar në administratë. Irena Gjika, drejtore e Drejtorisë së Regjistrimit dhe Shërbimit të Borxhit, Ministria e Financave, ka fshehur pasurinë prej 60.000.000 lekësh, thotë Inspektorati. 

Artan Bega, inspektor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka fshehur 20.000.000 lekë. Artur Taraj, inspektor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka fshehur shumën prej rreth 13.500.000 lekësh. Lista e inspektorëve vazhdon me Arben Xhaferin, i cili nuk justifikonte me pagën shumën prej 13.000.000 lekësh dhe Agron Selimaj, po me detyrë inspektor në Drejtorinë e Tatimeve, i cili ka bërë deklarim të rremë për shumën rreth 14.000.000 lekë. Nëse mbledh të gjitha abuzimet që ka zbuluar IKDKP-ja vetëm gjatë ditës së djeshme, rezulton se shuma e parave me të cilat është abuzuar arrin në rreth 2 milionë euro. Pra, vetëm 6 zyrtarë të shtetit kanë arritur të vendosin pasuri në mënyrë të padrejtë 2 milionë euro. Administrata shtetërore ka rreth 60 mijë nëpunës të nivelit të lartë dhe nëse gjysma e tyre kanë “kursyer” para dhe kanë “punuar” si këta zyrtarë, atëherë shifra e tejkalon disa herë buxhetin e shtetit.

Teksa lexon një deklaratë të tillë, natyrshëm çdo qytetari që mundohet ta shtyjë muajin me të ardhura modeste i lindin disa pyetje: Si mund të kursejë, në pak vite pune, një gjyqtar 400 milionë lekë? Rroga e një gjyqtari, megjithë dashamirësinë e qeverisë për t’i rritur ato dhe shpërblimet që mund të ketë marrë gjatë një muaji, nuk i kalon rreth 1.2 milionë lekë të vjetra. Por, gjyqtari në fjalë, jo vetëm që ka arritur të kursejë para, por edhe ka blerë dy apartamente me vlerë 120 mijë euro. Prapë këto i thotë Inspektoriati i Kontrollit ose  ILDKPKI, i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj.

Çudia shqiptare bëhet edhe më e madhe në rastin e Drejtorisë së Tatimeve. Vetë drejtoresha ka arritur që në pak vite,  të “kursejë” 600 milionë lekë. Ndërsa vartësit e saj, duket se kanë “paga” më të ulëta dhe kanë kursyer shuma më modeste, nga 200 deri në 130 milionë lekë. Rrogat mesatare në Drejtorinë e Tatimeve, variojnë nga 800 mijë lekë të vjetra, deri në 500 mijë lekë. Sado kursimtarë të kenë qenë nëpunësit e këtij institucioni, do t’u duheshin që të mos preknin asnjë qindarkë gjatë gjithë viteve të punës për të arritur të kursenin kaq shumë.

Kur sheh deklarime të tilla pasurish, kupton dhe arsyet pse njerëzit bëhen copë në mitingje që të fitojë partia e zemrës, apo pse mbajnë radhë në selitë e partive për të takuar ministrat dhe deputetët. Administrata nuk shihet më si vend pune komod për paga, por si një mundësi për të futur duart në xhepat e qytetarëve dhe për t’u larguar pas ca muajsh punë, me pasuri për gjithë familjen. Shifra të tilla abuzimesh që shokojnë qytetarët e thjeshtë, janë edhe sinjali se nga duhet të nisë pastrimi dhe reformat. Zyrtarët e drejtësisë janë ata që bien dukshëm në sy për nivelin e madh të pasurisë. Janë dhjetëra e qindra milionë lekë që rezultojnë të përfituara në kurriz të mosdhënies së drejtësisë për krime, prona dhe abuzimeve që mund të jenë bërë me qytetarët. Por teksa flitet për reformë, duhet kuptuar që ajo nuk bëhet me ndërrime emrash dhe denoncime për pasuritë. Gjëja e parë që duhet përcaktuar nga mazhoranca aktuale është sekuestrimi i çdo pasurie dhe prone që rezulton e vendosur në mënyrë të tillë.

Por lufta që ka filluar Prokuroria e Përgjithshme, Inspektoriati i drejtuar nga Ganaj dhe Kryeministri i vendit, duhet të gjejë mbështetje edhe tek ajo pjesë e politikës e cila nuk është përfshirë në të tilla akte korruptive. Natyrisht, që përmendja e emrave të mësipërm që vijnë si burim informacioni nga ILDKPKI apo vendimet e fundit të Prokurorisë Shqiptare, kanë nevojë për një vendim të formës së prerë nga gjykatat që të shpallen të fajshëm ose jo. Por problemi themelor duken se janë pikërisht gjykatat, ku jo pak gjyqtarë janë bërë milionerë dhe nuk ndëshkohen nga drejtësia, pasi mbrojnë njëri-tjetrin. Kjo është më e rrezikshme për shtetin dhe për demokracinë tonë, pasi kudo në botë ka akte korruptive, por në vendet demokratike ka një sistem drejtësie shumë efikas. Në Shqipëri janë hallka e drejtësisë, e cila bën pazare, korrupsion, përzihet në dhënie vendimesh pro krimit e mafias, ndërkohë që quhet të ndodhë ndryshe. Ndaj dueli mes këtyre botëve, të drejtësisë dhe padrejtësisë, është një duel i vështirë se në anën e padrejtësisë ka kaluar edhe një pjesë jo e vogël e organeve të drejtësisë shqiptare.

Edhe dje, kryeprokurori i Republikës mblodhi gjithë drejtuesit e prokurorisë në rrethe dhe urdhëroi sulm total kundër korrupsionit dhe mafias. Ndërsa politika nuk tha një fjalë inkurajuese për këtë në drejtim të Prokurorisë, por veçse e përcolli në heshtje. Dje duhej që gjithë partitë politike t’i jepnin mbështetje të fortë e të hapur Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, zotit Llalla që është sulur kundër një lukunie hajdutësh politikë.

Por është politika vetë, e përzierë në pisllëqe!