Sokrati-Kabashi flasin shqip edhe në “Kings-Place” të Londrës

”Apologjia e Vërtetë e Sokratit” e interpretuar nga aktori ynë i mirënjohur Mirush Kabashi është shfaqur në sallën e teatrit londinez “Kings Place”,  nën kujdesin e Ambasadës Shqiptare në Londër.

Në një sallë të tejmbushur me diplomatë, me stafin e dy Ambasadave, atë të Shqipërisë dhe Kosovës, shqiptaro-britanikë, anglezë dhe tjerë të huaj, artisti ynë arriti të përçonte tek publiku vlerat e një interpretimi të vërtetë artistik të një niveli shumë të lartë dhe forcën e vërtetë të fjalës shqipe në skenë.Mirush Kabashi Sokrati

Dhënia e kësaj shfaqje që ishte një sukses i plotë dhe i merituar, thotë Ambasadori Mal Berisha,  duke shtuar se ky event u është njoftuar 53.000 antarëve të klubit të teatrit Kings Place në tërë botën.

Me këtë monodramë, Mirush Kabashi ka lartësuar gjuhën dhe teatrin shqiptar në skenat mw prestigjioze; të Parisit, Vjenës Kajros,  Kievit, Torontos,  Athinës,  Beogradit,  Prishtinës,  Lionit Plovdivit,  Gjenvës, etj.duke ka marrë duartrokitje dhe vlerësime të veçanta.

 “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, që bazohet mbi pamfletin e shkrimtarit grek Kostas Varnalis, është vënë për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës në vitin 1997 dhe po atë vit, pas interpretimit në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të Teatrit në Kajro (Egjypt), aktori Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpreti më i mirë mes 1000 aktorëve nga 46 vende të botës.

Gjatë këtyre viteve “Apologjia e vërtetë e Sokratit” është shfaqur mbi 100 herë thuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ndërsa në vitin 1998 Kabashi është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Monodrama e parë në historinë e teatrit shqiptar është vlerësuar në disa veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare. Në Festivalin mesdhetar “Butrinti 2002″ Mirush Kabashi është nderuar si aktori më i mirë dhe po të njejtin vlerësim ka marrë edhe në Festivalin ndërkombëtar “Kiev-Traverny” në Ukrainë. Në festivalin ndërkombëtar të Plovdivit (Bullgari) aktori Mirush Kabashi është nderuar me kupën e Ministrit të Kulturës, ndërsa ka marrë Medaljen e Karrierës në vitin 1999 në Kajro.

“Apologjia e vërtetë e Sokratit” është pjesëmarrëse në festivalet ndërkombëtare të Manastirit (Maqedoni), atë “Sllavia 2004 ” në Beograd, si dhe në festivalin “Teuta 2007″ në Kotorr (Mali i Zi).

Aktori Mirush Kabashi, numëron në karrierën e tij mbi 100 role në teatër dhe më shumë se 20 të tjerë në kinematografi.

Almarina Gegvataj