Rikthimi i privatësisë: Revolucioni i vërtetë i Apple

Kjo ndërkohë që Tim Berners-Lee, njeriu që krijoi rrjetin, bën një apel për një Magna Carta që do të shpëtonte internetin dhe që të rishikojë privatësinë: “Nëse një shoqëri mund të kontrollojë hyrjen në internet të të gjithë klientëve, nëse mund të monitorojnë të gjithë faqet që vizitohen, atëherë ka një kontroll shumë të madh mbi jetën e këtyre personave. Abuzimi me pushtetin i kompanive dhe qeverive në internet është bërë shumë i kollajtë”, ka deklaruar për britaniken The Guardian. Përgjigja nuk ka vonuar. Algoritmi është praktikisht i pacënueshëm, duhen ndoshta pesë e vite e gjysmë për të arritur të gjendet kodi i zhbllokimit për telefonin. Dhe mbi të gjitha, të dhënat për hyrjen në celular nuk i zotëron as Apple, që nuk mund të bëjë asgjë. Eshtë një revolucion mendor, përpara se të jetë teknologjik. Ideja që rrjetet mund të spiunohen dhe monitorohen ka qenë në këta vite një element paqartësie interesante. Nga njëra anë shqetësimi se të dhënat e tua mund të lexohen dhe arkivohen nga ata që kanë mundësinë të kontrollojnë, ata që i kanë mjetet. Nga ana tjetër lehtësimi, siguria e çuditshme e rrjetit dhe internetit: lëshimi i gjurmëve mundëson hetime më të shënjestruar dhe më efikasë, përballë rasteve kur duhen ditur lëvizjet e dikujt, numrat e telefonit që ka marrë, përmbajtja e emaileve dhe chat-it të përdorura direkt nga një celular. Kjo ndodh pikërisht sepse përdorimi i internetit, hyrja në të dhënat e rezervuara ka patur një menaxhim shpesh herë të pajustifikuar dhe të përciptë. Sikur të ketë patur një marrëveshje të heshtur. Gjithçka që bën në celular, gjithçka që vendos në “cloud”, të gjithë fotografitë që bën janë të gjurmueshme dhe të gjetshme. Janë pothuajse publike. Ashtu sikurse është pothuajse publike ajo që shkruan në profilet e rrjeteve socialë, edhe nëse ke vendosur t’i bësh të dukshëm vetëm për disa miq.

Gjatë këtyre viteve ka patur një ndërgjegjësim: unë nuk mund të ankohem nëse disa mesazhe të mitë, disa emaile, disa komunikime të rezervuar, apo edhe fotografitë, dalin dhe bëhen publike, apo lexohen prej personave që po kryejnë hetime për botën që më rrethon. Nëse dua që privatësia ime të respektohet, duhet të ndërroj sistem. Asnjë fotografi në “Cloud”, asnjë përdorim emailesh që mund të përfundojnë në duar të gabuara, asnjë mesazh (të llojeve të ndryshëm), mos aktivizo GPS-in në celular.

Të gjithë iPhone-t, dhe këtë shumëkush nuk e di, përmbajnë një seri informacionesh që ruajnë në kujtesë të gjithë pozicionet gjeografikë ku ka qenë një iPhone, deri në hollësitë më të vogla. Ose më saktë, të gjithë pozicionet ku ka qenë pronari i telefonit. Kjo seri informacionesh ishte e gjetshme deri dje. Që nga sot, nuk do të jetë më.

Do të rifillohet nga zero, pikërisht se ka filluar vetëdijësimi që ekzistojnë dy shpejtësi të ndryshme. E para është ajo e smartphone-ve në gjendje të na thonë gjithçka për atë që e zotëron. Dhe me aplikacionet e fundit të sistemit operativ Apple mund të mësohet edhe gjendja shëndetësore, përqindja e kolesterolit apo mesatarja e rrahjeve të zemrës. Në shpejtësinë tjetër, një botë ku të investigosh do të thotë të kthehesh në botën paradigjitale. Kur për të kuptuar diçka, duhej të kishe në dorë një mandat kërkimi, të hapje sirtarë dhe të lexoje dokumenta në letër. Nuk është dilemë e vogël. Kreu i FBI-së ka deklaruar se nuk dëshiron të mendojë për të afërmit që derdhin lot për fëmijën e marrë peng dhe që duan të dinë lëvizjet e fundit të pengut, që mund të nxirren përmes celularit. Tani nuk mund ta gjejnë më, për shkak të një algoritmi të pagjurmueshëm. Apo shërbimet e fshehtë që përpiqen të pikasin vendndodhjen e terroristëve dhe kanë shumë vështirësi. Në anën tjetër, është një botë njerëzish të zakonshëm që ka gjithë të drejtën të mbajë mbyllur sirtarët e vet personalë. Mbi këtë dilemë luhet edhe e ardhmja e teknologjisë dhe internetit. Por mbi të gjitha, biznesi i Apple dhe Google. Por kjo është sërish një tjetër histori. Roberto Cotroneo /corriere.it/

PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al