Padronët e botës

Fuqi të mëdha globale të epokës së Internetit (të gjitha amerikane) që, tamam si ato të vërtetat, janë gjithmonë në luftë mes tyre. Objekti i konkurrencës jemi ne. Apo 2.8 miliardë personat që, ashtu si ne, çdo ditë lundrojnë në internet dhe kanë një kartë krediti. Secili konkurent dëshiron të bëhet padron i botës, të ketë sa më shumë ndjekës digjitalë dhe të eleminojë konkurencën. Janë sovranë sa diskretë e të heshtur, aq edhe të fuqishëm. Për të fituar besnikërinë e klientëve, ofrohen që të bëhen furnizues globalë të gjithçkaje, produkte, shërbime dhe zgjidhje që përmirësojnë dhe thjeshtësojnë jetën tonë. Me një të klikuar të mausit. Në këmbim, duan të dinë gjithçka rreth nesh.
Në vitet e parë të jetës, i janë përkushtuar misionit të tyre fillestar: Google u përqëndrua tek motorri i kërkimit. Apple tek produktet inovativë, të shtrenjtë dhe të projektuar me shije të hollë. Amazon krijoi dyqanin më të madh të librave online. Microsofti e vendosi sistemin e vet të operimit në çdo tryezë pune. Facebook u rrit si albumi i kujtimeve i kujtdo që lidhej në internet. Ide digjitale ose jo, të cilat kanë sjellë miliarda dollarë fitime. Shpesh herë me praktika fiskale të diskutueshme, që tani po përfundojnë në shënjestër të autoriteteve. Eshtë ky rasti i Apple, ndaj të cilës BE ka ngritur një kauzë që vendos në bangën e të akuzuarit edhe qeverinë irlandeze, falë të cilës Apple ka paguar një normë më pak se 2% për një total prej 137 miliardë dollarësh fitime, për të cilët tani Brukseli do të kërkojë faturën. Të fuqizuara prej këtyre kapitaleve të jashtzakonshëm, “pesë të mrekullueshmit” u shndërruan në “ngrënës të gjithçkaje”. Totalitarizëm i ri, siç thotë themeluesi i Wikileaks, Julian Assange? Një deklaratë e fortë, por është e vërtetë që janë duke ribërë modelin ekonomik botëror. Mund të nxjerrin në pension, shumë shpejt, institucione që deri dje konsideroheshin të përjetshëm. Ja disa shembuj.
Apple, me funksionet “Pay” (Pagesë) dhe të njohjes biometrike që sapo janë integruar në iPhone 6, po shndërrohet në qarkun bankar më të madh të botës. Mund të paguhet gjithçka me celular dhe mund t’u themi një herë e mirë lamtumirë kartëmonedhave dhe portofolëve. Për çdo transaksion, sipas New York Times, do të marrë një përqindje (15 qindraka për çdo 100 dollarë).
Google dëshiron të komandojë qiejt me robotët fluturues pa pilot (ashtu si edhe Amazon) për të dërguar çdo gjë, kudo që të jetë. Po ndërton një rrjet të vetin të satelitëve, për të bërë të mundur dërgimin e Internetit në çdo qoshe të globit. Gjithçka në dëm të kompanive telefonike. Jo vetëm kaq: dëshiron të bëhet botuesi i vetëm i të gjithë informacioneve duke ofruar lajme (me kosto zero) në të gjithë vendet e botës, duke mbledhur ata që prodhohen prej gazetave dhe profesionistëve të lajmeve, që për t’i prodhuar paguajnë pagat e mijëra gazetarëve. Po kështu, ka shfrytëzuar superfuqinë e vet në sektorin e kërkimit për të diskriminuar konkurrencën në rezultate. Një sjellje që e ka sjellë nën lenten zmadhuese të Antitrustit të BE-së: aktualisht investigohet për abuzim të pozicionit dominues dhe rrezikon sanksione të rëndë.
Amazon ofron pothuajse gjithçka, që nga frutat tek sallatat, deri tek veprat e artit dhe lejon të bëhen blerje edhe me një tweet. Lufton fort me bërryla për të qenë i vetmi supermarket i botës; tregton muzikë dhe filma, tabletë dhe smartphone, në një konkurrencë totale dhe të hapur me Apple.
Facebook ka gjetur një rrugë të shtruar për të konvertuar shijet dhe preferencat tona, në mall për t’ua shitur reklamuesve, është futur në celularë dhe synon që të shkundë marrëdhëniet mes njerëzve, duke i bërë edhe më virtuale, falë një maske që nuk vishet por që simulon realitetin.
Microsofti ka kuptuar se koha e kompjuterëve është në perëndim, është futur në sektorin e celularëve dhe tabletëve duke blerë Nokian, ndërkohë që me linjën Surface është duke transformuar kompjuterët në një evolucion të ri të specieve, hibridë gjysmë tabletë dhe gjysmë laptopë. Risqet që miliona njerëz të përfundojnë në duart e këtyre të pestëve janë të dukshëm. /Panorama/