Në Beograd. Të mundësh një “armik” të lig dhe budalla

Pak përpara se të niste zallamahia, atje, në stadiumin « Partizani » të Beogradit, gjeta kohën mes tensionit të asaj ndeshjeje nervëshkatërruese të shkëmbeja batuta me një nga kolegët e mi. Shkak u bë një episod anekdodik, por shumë domethënsës. Në skajin tjetër të fushës, diku aty mbi tunelin nga hynin dhe dilnin lojtarët, një grup ultrasish të skuadrës Serbe, po digjnin një flamur: ishte flamuri i NATO-s. Shiko, shiko, i thashë gazetarit që kisha pranë, edhe sot, 15 vite më pas, këta idiotë duan të na identifikojnë me pahir me NATO-on, duke u vetshpallur njëkohësisht si armiq të saj. Kaq thashë në atë moment. Nuk përmenda Millosheviçin dhe tragjedinë që ai i la pas vendit të tij; as sindromën vetshkatërruese të serbëve që përsëritet në mënyrë ciklike në histori, që nga koha e betejës së Fushë Kosovës e deri tek bisedimet e Rambujesë; madje as patologjinë e një kombi që di të rendë pas vetëflijimit, duke ruajtur në kujtesën kolektive kryesisht vetëm disfatat.

As nuk kisha kohë dhe as nuk ishte vendi ti kujtoja të gjitha këto. Në fund të fundit, unë dhe kolegët e mi, ishim aty për të parë një ndeshje futbolli. Qeshë i bindur për këtë, madje nuk hezitoja të ironizoja (me kozmopolitizmin sipërfaqësor të një pjese të Tiranës kaviar do të thoshte ndonjë miku im kosovar) ata që kërkonin të shihnin tek kjo përballje sportive shumë më tepër sesa kaq. Duhet ta pranoj se isha gabuar. Dhe jo pak.

Sepse përballë u ndesha me një kor gjigand që thërriste pa pushim: “vdekje shqiptarëve”. Me një ndeshje që filloi me këndimin e këngëve të çetnikëve dhe vazhdoi me vërshëllimën në kor të himnit tonë. Me policë të çoroditur që bënin çmos të nervozonin tifozët që në aeroport. Me futbollistë milionerë, që më shumë sesa të bënin detyrën e tyre si profesionistë, si lojtarë të mirfilltë të Premier Ligës, u pëlqente të shiteshin si patriotë dhe të përdhosnin flamurin e kuq të “armikut”.

Më pas, kur u gjenda nën goditjet me sende të forta që vërshonin drejt ndejtëseve ku qenë ulur tifozët e paktë kuq e zi; me brutalitetin e forcave të rendit që nuk të linin të shihje më atë që po ndodhte në fushë; me thirrjet që vazhdonin për vdekjen e shqiptarëve, e kuptova se nuk po asistoja thjesht në një ndeshje futbolli.

Disa orë më vonë, tek qëndronim në avion, për të lënë njëherë e mirë tokën beogradase, të njëjtën gjë do të më pranonin edhe shumë nga futbollistët që kishin qenë në fushë. Lenjani kishte akoma pjesë të trupit që i dhimbnin. Debatik Curri e Taulant Xhaka po ashtu. Lorik Cana, kapiteni që ish ulur në fund të avionit, më shumë ishte krenar për grushtat që kish dhënë sesa për goditjet që kishte marë. Por, të gjithë tregonin se kishin kaluar nëpër një ferr. Jo atë që u pa “live” nëpër ekrane: me karrike që thyheshin në kurriz e me grushta tifozësh që mësynë në fushë. Jo, jo, një tjetër edhe më të rëndë. Kur kishin lënë fushën e lojës, pas agresionit barbar të ultrasve serbë, aty në tunelin që të çonte në dhomat e zhveshjes, i kish pritur një barbari edhe më e madhe. Policë dhe civilë, puntorë të stadiumit dhe badigardë pa uniformë, kishin lëshuar shkelma dhe grushta mbi ta. Shenjat e gjithë kësaj batërdie ishin të dukshme edhe në avionin e kthimit, megjithëse lojtarët shqiptarë, të flisnin me bezdi për to. Ata kërkonin të tregonin pjesën e tyre inteligjente dhe fine. “Donin të na e punonin,- më tha një moment Ansi Agolli-, por ne u treguam më të zgjuar. Kur lojtarët tanë ishin në dhomat e zhveshjes, serbët ishin të çmendur me mjetin fluturues që u ngrit mbi stadium, dhe ata do të kenë menduar ndonjë hile. Kanë menduar që për të provokuar të gjithë atë që ndodhi, këtë mjet e kishin ngritur në stadium anëtarët e delegacionit shqiptar. Prandaj, gjë e pa dëgjuar ndonjë herë, ata futën katër pjestarë civilë të shërbimit sekret, për të kontrolluar dhomën tonë. Ndoshta kishin dhe qëllim tjetër- vazhdon Ansi Agolli. Ndoshta donin të na fusnin ndonjë paisje të ngjashme në mjediset tona, për të ngritur pastaj alibinë se i gjithë provokimi ishte projektuar nga ne. Por, -më thotë ai- ne i bllokuam. Si me komandë ndezëm të gjithë smartfonët tanë dhe filluam ti filmonim. Ata u gjendën të përgjuar dhe nëse kanë patur ndonjë qëllim të keq me prapamendim, nuk arritën ta bënin”. Po, po u treguam më të zgjuar, thotë me të qeshur Bulku, që i ulur fare pranë sediljes së Agollit e ka dëgjuar krejt rrëfimin e tij.

Pse vërtet – mendoj,- kaq me budallallëk dhe symbylltësi kanë hyrë në këtë betejë “armiqtë” tanë? Ç’u duhej ta fillonin këtë histori me këngë cetnikësh? Ç’u duhej i gjithë ai presion policor? Ç’kishin me himnin? Ç’u duhej përdhosja e simboleve shqiptare, kur mund të na mundin kollaj në fushën e lojës? Pse i duhej një futbollisti si Mitroviq, të rendte për të kapur në ajër pëlhurën me portretin e Ismail Qemalit, ndërkohë që mund t’i mposhtte profesionalisht, pasardhësit e tij?

Këta serbë, ekipi i të cilëve kushton mbi 120 milionë euro, pra së paku dhjetë fish më tepër sesa i yni, që luanin në fushën e tyre, që vinin nga një shkollë futbolli me emër, i kishin të gjitha kartat në dorë për të na mundur. Por, ata nuk zgjodhën këtë. Ata zgjodhën të sillen si bij të denjë të Arkanit. Ata donin medalien e nacionalistit dhe jo nderimin e profesionistit. U sollën si budallej dhe nuk na mundën dot. Dolën nga fusha me turp dhe të përqeshur nga mbarë bota.

“Kishe të drejtë me historinë e flamurit të Natos- më thotë kolegu im. Edhe atëherë në vitin e largët 1999 ata u sollën po njësoj. Kishin në dorë ta gjenin fjalën me shqiptarët. Të uleshim me ta. Madje dhe ti dominonin. Nëse kjo do të kish ndodhur, Kosova edhe sot nuk do të që kurrë e pavarur. Por, ata edhe atëherë zgjodhën rrugën e disfatës heroike. I shkuan pas çmendurisë së Milloshevi çit dhe u ndëshkuan me bombat e NATO-s. Ata më mirë preferojnë të humbasin si heroj, sesa të fitojnë si njerëz normalë”.

Në përmasa të tjera e njëjta fabul u përsërit të martën e 14 tetorit në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Ne kishim përballë një ekip që ndofta edhe mund të na mundte. Madje kish shumë gjasa ti’a arrinte kësaj. Por si lojtarët dhe aq më shumë tifozët e tyre zgjodhën të sillen si budallej. Budallej dhe të ligj. Sindroma e humbësit të përhershëm u rishfaq tek ata.

Ishte e lehtë ti bëje këto komente teksa pas orës 1 të mëngjesit, ne qëndronim ende pa arsye, të ngujuar në autobus, përpara godinës së aeroportit. Askush nuk na thoshte asgjë. Autobuzi as nuk lëvizte, as nuk i hapte dyert.  Kjo qe “hakmarrja” e fundit e pilocisë sebe ndaj nesh. Një prej derejtuesve të tyre na tha një moment se do na kërkohej të mbushnim një formular. Përse? Për çfarë? Që të dëshmonim se po largoheshim shëndosh e mirë? Që të dëshmonin se ata nuk ishin treguar harbutë? A mos vallë serbët po e kuptonin se kishin rënë në kurthin e ngritur prej vetë atyre? Se edhe njëherë ishin treguar të këqijtë e vetvetes? Këtë, në një farë mënyre, e pohonin edhe drejtuesit e kombëtares shqiptare. Homologët serbë i ishin lututur tanëve disa herë të riktheheshinn në fushë. Ta vazhdonin lojën. Me sa duket edhe ata e kishin kuptuar figurën që kishin bërë dhe kërkonin të rikuperonin më të mirën e mundshme. Por tashmë ishte vonë. Tejet vonë.

Avioni çarter me kombëtaren e Shqipërisë dhe ata pak tifozë e gazetarë, u ngrit nga aeroporti i Beogradit aty rreth orës 2 30 të mëngjesit. Pas një ore udhëtim ata u gjendën në festën madhështore të organizuar në Rinas. Mijra vetë këndonin “O sa mir me qenë shqiptar o eeeee…” Në sytë e tyre nuk kishte ligësi. Kishte gëzim. Gëzimin e përligjur jo se qemë treguar më të fortë, por thjeshtë se ishim treguar më të zgjuar.