Kjo është prokuroria

Zbardhja e skandalit të vjedhjes së Thesarit të Shtetit, fajësia apo pafajësia e Ardian Fullanit, janë çështje që do të provohen në vijim dhe një test për gjykatat. Ajo që ka rëndësi në gjithë këtë histori është fakti se shteti më në fund ka një Prokurori që nuk tërhiqet përballë presonit, apo lidhjeve dhe pushtetit që ka personi nën hetim. Arrestimi i një guvernatori përbën njëherësh dhe një nga arrestimet në niveli më të lartë të zyrtarëve në Shqipëri. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në hierarkinë shtetërore ka pak a shumë të njëjtën rëndësi si drejtuesit e lartë të vendit. Ndaj, firmosja e fletarrestim ndaj kreut të Bankës ka qenë një risk jo i vogël për drejtuesit e organit të akuzës. Janë tre emra në Prokurorinë e Përgjithshme që kanë marrë përsipër këtë proces, duke vënë në rrezik karrierat, por jo vetëm ato. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, Prokuror i çështjes “Fullani”, Ramadan Troci, guxuan të bëjnë diçka që pasardhësit e tyre nuk e kanë çuar as nëpër mend. Ka pasur dhe më parë dosje me fakte përvëluese në duart e prokurorëve. Dosje me emra zyrtarësh të lartë, ministra të zhytur në korrupsion deri dhe kryeministra të papërgjegjshëm. Fakti është që askush prej zyrtarëve të organit të akuzës nuk e hodhi hapin as për t’ju afruar këtyre zyrtarëve të lartë dhe jo më të kërkonte futjen e tyre në burg. Maksimumi i procedimeve dhe arrestimeve, gjatë viteve të fundit, ka qenë deri në nivel drejtorësh dhe zëvendës ministrash. Ndërsa me prangosjen e Guvernatorit të Bankës, në Shqipëri ka rënë përfundimisht miti i “të paprekshmëve”. Mund të thuhet se efektet e veta i ka dhe qëndrim i mazhorancës së sotme qeverisëse dhe vendosmërisë për të zbatuar ligjin. Por duke qëndruar larg politikës, axhenda e së cilës jo gjithmonë është përputhur  me atë të drejtësisë, merita për cenimin e të paprekshmëve i takon Llallës, Fushës dhe Trocit. Në Shqipëri gjithmonë ka munguar modeli i një prokurori si ai i Antonio Di Petros në Itali, njeriu që hetoi skandalin më të madh të korrupsionit dhe lidhjeve mes politikës dhe mafies në Itali. Rasti i tre prokurorëve në fjalë dhe çështja e vjedhjes së Thesarit të Shtetit i ka pak a shumë gjithë elementët dhe ngjashmëritë me Di Pietron. Hetimet e tjera për çështjen e vjedhjes së Bankës, por jo vetëm, tregojnë se ka është koha për një hetim të madh, të ngjashëm me operacionin “Duar të pastra” në Itali. Problemi në Shqipëri është se abuzimi me detyrën dhe korrupsionin, nuk është vetëm në politikë, administratë, apo sistemin bankar, por edhe vet brenda radhëve të sistemit të drejtësisë në gjykata. Ndaj, Shqipërisë i duhet një “Di Pietro” ose një grup prokurorësh që e ka ndarë mendjen dhe nuk di të tërhiqet. Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, Prokuror i çështjes “Fullani”, Ramadan Troci kanë hedhur hapin e parë, që po ndryshon historinë drejtësisë në vend. Në këtë rrugë duken inkurajuar, jo thjesht me deklarata politike, por me nisma konkrete dhe me dhënien e garancive për ti shkuar deri në fund një operacioni kombëtar kundër korrupsionit. Sinjalet janë se pas Fullanit, dosje të tjera, me personazhe që quhen “pesha të rënda” të politikës janë nën hetim dhe pritet të finalizohen me arrestime të bujshme. Kryeprokurori Llalla dhe kryeprokurori i Tiranës, Fusha ditët e fundit i treguan opinionit se kjo është Prokuroria që i duhet vendit. Tashëm i mbetet në dorë politikës dhe pjesës tjetër të sistemit të drejtësisë, të tregojë nëse është kjo Prokuroria që atyre u duhet.