FSHF: Ja provat, për tre pikët që duhet ta na i rikthejë Apeli!

Sipas FSHF, vendimi është dukshëm i orientuar, që të ndikojë rezultatet sportive të grupit eliminator, ndërkohë që fokusi kryesor, në këndvështrimin e FSHF, duhet të jetë atmosfera ekstremisht e dhunshme dhe ngjarjet që në mënyrë të pakthyeshme, ndikuan në ndeshjen e futbollit. FSHF ka nisur provat në Apelin e UEFA-s dhe nëse vendimi nuk ndryshon, do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. “Vendimi i sotëm i UEFA-s nuk është i pranueshëm për FSHF, sa i takon ngjarjeve të datës 14 tetor 2014 në stadiumin “Partizani” të Beogradit, përpara gjatë dhe pas ndeshjes. Është besimi ynë i patundur, që atje nuk ekzistojnë provat e mjaftueshme dhe arsyetimi ligjor, qe çojnë në një vendim të tillë. Vendimi është qartësisht jo i proporcionuar, kundrejt shkeljeve që kanë ndodhur. Detaje të mëtejshme do të jepen kur të bëhet publik, argumentimi mbi vendimin. Vendimi është dukshëm i orientuar, që të ndikojë rezultatet sportive të grupit eliminator, ndërkohë që fokusi kryesor, në këndvështrimin e FSHF, duhet të jetë atmosfera ekstremisht e dhunshme dhe ngjarjet që në mënyrë të pakthyeshme, ndikuan në ndeshjen e futbollit. FSHF është plotësisht e orientuar që ta apelojë, këtë vendim tek autoritetet kompetente sportive. Detajet e provave të apelit, nuk mund të jepen përpara publikimit të argumenteve të vendimit por disa çështje janë kategorike: FSHF nuk mban asnjë përgjegjësi për hyrjen e banerit fluturues në stadiumin e Partizanit. Siguria është një përgjegjësi e organizatorit. Nuk kishte tifozë shqiptarë në stadium. FSHF nuk mund të jetë përgjegjëse për mungesën e sigurisë në territorin serb, brenda dhe jashtë stadiumit. Nuk ekzistonin kushtet e sigurisë për të vazhduar lojën. Arbitri i drejtoi lojtarët jashtë fushës për arsye sigurie por sipas raporteve, nuk ekziston vendim i arbitrit dhe as i zyrtareve te tjerë të UEFA-s, që siguria u rivendos. Fusha mbeti e pasigurtë. – Ka prova të qarta mjekësore që lojtarët e ekipit shqiptar ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë të luanin, si pasojë e dëmtimeve, që rrodhën nga dhuna e tifozëve vendas që hynë në fushë. Ndëshkimet janë dukshëm të padrejta, sepse thuajse barazojnë masat ndëshkuese. Një stadium që ofroi parulla etnike, politike dhe fetare, urrejtje raciale u ndëshkua në mënyrë të njëjtë, me një “baner” të vetëm, të paligjshëm dhe me origjinë të pavërtetuar. Shkaqet finale që çuan në braktisjen e ndeshjes ishin mungesa evidente e sigurisë dhe dhuna e pësuar nga lojtarët shqiptarë dhe e ushtruar nga tifozët vendas.Lojtarët shqiptarë nuk u njoftuan kurrë që zyrtari i ndeshjes vendosi që takimi të vazhdonte. Ky pozicion është produkt fantazie. Skuadra shqiptare nuk refuzoi kurrë të vazhdonte ndeshjen. Lojtarët shqiptarë deklaruan se ata ishin fizikisht dhe psikologjikisht të paaftë për të luajtur një ndeshje futbolli. Nuk ka referencë, në raportet zyrtare që zbrazja e stadiumit ishte mënyra e përshtatshme për të vendosur kushtet e sigurisë. Në qoftë se në opinionin e zyrtarëve të UEFA-s, kjo ishte gjëja e drejtë që duhej bërë, ata duhet të zbraznin stadiumin dhe më tej të rifillonin ndeshjen dhe të ftonin lojtarët shqiptarë në fushë, nëse ata i konsideronin lojtarët shqiptarë në gjendje për të luajtur. Vendimi për të mos luajtur nuk ishte një vendim që ne e morëm. Ne nuk mund të pendohemi për një vendim që s’kemi marrë. Ishte një pamundësi për të luajtur dhe jo refuzim.