Edi Rama, Njeriu i surprizave të mëdha

Nuk kanë kaluar as 48 orë nga vizita e Papa Françeskut dhe shija e mirë që Ai la tek ne është ende e freskët. “Shqiponja fluturon lart, por kurrë nuk e harron çerdhen e saj. Fluturoni lart me besimin në Zot”, kështu u shpreh ndër të tjera Shenjtëria e Tij, i cili mes mesazheve të shumta që dha, sidomos për të rinjtë nuk harroi të linte indirekt edhe porosi therëse për qeveritarët, që ndodheshin fare pranë tij në karriget përballë Altarit. Por, përtej kësaj, ajo çfarë kishte më shumë rëndësi ditën e diel ishte MESAZHI që ne i dhamë botës. Dhjetëra media botërore e pasqyruan vizitën e Papës si një ndër ngjarjet më të bujshme të ditës, në mos më e rëndësishmja. Papa Françesku e vizitoi Shqipërinë, ishin titujt në gjithë globin: U prit me ovacione dhe emocione të jashtëzakonshme nga mijëra të rinj, pelegrinë, myslimanë e të krishterë.

 Askush nuk mund të thotë që kishte diçka që nuk shkonte të dielën, sepse përtej çdo detaji tjetër të kuruar me delikatesë, siguria mbi të gjitha ishte maksimale e për këtë mbarëvajtje sigurisht që meritat i shkojnë qeverisë aktuale. Një organizimin përfekt, që binte në sy që në momentin kur Papa Françesku shkeli në tokën shqiptare e duke vijuar më tej  tek sheshi “Nënë Tereza” dhe në Bulervardin “Deshmorët e Kombit”, ku mbi 300 mijë qytetarë e prisnin duke tundur duart me mirënjohje e respekt. Ishin katolikë, myslimanë, ortodoks, bektashinjë apo ateistë  në Bulevardin kryesore të Tiranës. Kishin ardhur për Papën.

 Ati i Shenjtë ,sapo zbriti në Rinas iu drejtua Kryeministrit Rama që “ e  mbajta fjalën!”, pra erdha në Shqipëri. Me një parapërgatitje shembullore, për tu patur zili nga shumë vende ku shkon Papa, e inicuar dhe kontrolluar personalisht nga Edi Rama gjithçka ishte e bërë në përfeksion nga të gjithë ata të cilët punuan sëbashku; Kisha katolike dhe kryeministri, por edhe nga bashkia e Tiranës. Edi Rama meriton, për çka bëri, një falenderim të madh popullor, pasi solli Atin e Shenjtë, që na bekoi, por dhe na fisnikëroi më shumë , sidomos në sytë e botës. Kishim nevojë si komb për këtë vizitë, për fjalët e Atit të Shenjtë, të cilin jo çdo komb ka fatin ta ketë në truallin e tij të pranishëm fizikisht.

Shqipërisë iu bë një e mirë e madhe. Një super reklamë ndërkombëtare. Vizita e Papës patjetër që mund të konsiderohet një dhuratë e shenjtë, të cilën shqiptarët dhe qeveria Rama e trajtuan në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u bërë kështu pasqyrë e një shembulli pozitiv në sytë e gjithë globit. Ardhja e Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut në vendin tonë dhe mbarëvajtja e këtij eventi madhështor ka bërë gjithashtu që Edi Rama të shikohet me tjetër sy edhe nga skeptikët e djathtë, të cilët deri ditën e djeshme i gjykonin deklaratat e tij në daljet publike si fluska sapuni. Në fakt, mjafton të bëhet një “zzaping” nëpër rrjetet sociale e jo vetëm, për të kuptuar që gjatë vizitës së Papës kanë zier vetëm komentet pozitive, ku vlerësohej puna e Kryeministrit Rama dhe thjeshtësia me të cilën ai i prezantoi Papës Shqipërinë tonë, atë Shqipëri që si asnjëherë tjetër e bëri krenar për qytetarinë e treguar nga i gjithë populli.

 Edhe nëse nuk e duam Edi Ramën në disa veprime apo vendime këtë rradhë meriton notën dhjetë si kryeministër. U ndjemë krenar për gjithçka u bë në përgatitjet para datës 21 shtator dhe gjatë ditës së dielë derisa Ati i Shenjtë u ngrit në qiell, andej nga ku Zoti na shikon të gjithëve.

Në fund të fundit ky është Edi Rama, njeriu i surprizave të mëdha!