Cefa: Shkarkimi nga KLD politik, do i drejtohem Kushtetueses

Cefa tha se një veprim të tillë do e bëjë për të mbrojtur dinjitetin e tij, ndërsa e cilësoi shkarkimin nga Kuvendi si politik.

 “Egoja imë si jurist më detyron që ta çoj të drejtën time deri në fund. Në mënyrë që jo vetëm unë si person “pastroj” CV-në time personale nga një njollosje krejtësisht e padrejtë dhe krejtësisht politike, por t’i them edhe gjithë shqiptarëve, gjithë komunitetit të gjyqtarëve, që në këto momente është nën trysni të qartë politike, që në fund të fundit kisha të drejtë në atë ç’ka thoja dhe është parlamenti, nëpërmjet komisionit hetimor antikushtetues, nëpërmjet një procedure antikushtetuese dhe të kundraligjshme, që gaboi”, tha ish-nënkryetari i KLD në një intervistë për Ora News.

Në vijim ai shtoi se këtë e ndiente si detyrim ndaj vetes por edhe ndaj publikut.

“Besoj se patjetër do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për dhënien e një vendimi final për këtë çështje. Për fat të keq, nuk e di nëse do të ketë ndonjë rezultat efektiv për zgjidhjen e pasojave të këtij veprimi, por pak rëndësi ka për mua, për mua e rëndësishme është që dinjiteti që më është cenuar jo vetëm mua, por KLD-së dhe gjithë sistemit gjyqësor në tërësi, të vendoset në vend”, tha Cefa.

Ish-Nënkryetari i KLD-së u shkarkua nga posti i tij këtë javë me votat e mazhorancës, pas përfundimeve që  dha Komisioni Hetimor i ngritur tij për të kolegun Lulzim Lelçaj.

Dy ishin arsyet kryesore të shkarkimit: “Konflikt interesi” dhe “marrje e kompetencave të Ministrit të Drejtësisë.”